"Ditët e Albanologjisë" në Tiranë
Vetëm një vit nga zyrtarizimi si një institucion shkencor në kuadër të ristrukturimit dhe modernizimit të sistemit akademik dhe universitar shqiptar, Qendra e Studimeve Albanologjike ka vendosur të organizojë një aktivitet treditor, i ngjashëm me një bilanc fundviti për veprimtarinë e saj shkencore. Nga data 14-16 dhjetor, organizohen në Tiranë "Ditët e Albanologjisë". Aktivitetet nisin me një ceremoni të dekorimit pas vdekjes së prof. Selman Rizës me urdhrin "Nderi i Kombit" pas vdekjes, e me një simpozium shkencor të organizuar për të, e do të vazhdojnë me disa takime për promovimin e botimeve albanologjike të këtij viti, me tryeza debati mbi gjuhën, tryeza për promovime të veprave postum, apo edhe për zhvillimet arkeologjike. Aktivitetet do të jenë të shpërndara në QSA, Akademinë e Shkencave dhe hotel "Tirana". "E vetëdijshme për kompetencat shumëplanëshe të trupës së saj shkencore dhe për kapacitetin e vet realizues, Qendra e Studimeve Albanologjike organizon këtë vit edicionin e parë të veprimtarisë treditore ‘Ditët e Albanologjisë‘, që do të zhvillohet rregullisht çdo fundviti, si kurorëzim i punës kërkimore-shkencore e botuese të punonjësve të QSA-së e bashkëpunëtorëve të saj të afërt", thuhet në njoftimin prezantues të këtij aktiviteti. Pjesë e këtyre veprimtarive do të jetë edhe një ekspozitë me thesare të kulturës materiale shqiptare, që do të vendoset në muzeun arkeologjik dhe hollin e QSA-së, me fonde nga Instituti i Antropologjisë Kulturore. Të ftuar do të jenë autoritete të shtetit, por edhe trupi diplomatik i vendosur në Tiranë.