Putincani dhe Canaj, viktimat e Disiplinës
Luajtja në mesjavë e takimeve të kthimit për Kupën e Shqipërisë dhe pragu i ndeshjeve të javës së 14 të Kategorisë Superiore dhe të Parë kanë detyruar Komisionin e Disiplinës të dalë me vendimet për parregullsitë e vërejtura në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në futbollin tonë. Mbrojtësi serb i Dinamos, Marko Putincani dhe trajneri i Gramozit, Agim Canaj, janë dy nga viktimat e vendimeve të këtij komisioni. Putincani u pezullua për 5 ndeshje nga aktiviteti futbollistik për goditje me kokë të një lojtari të Bylisit, në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, Dinamo-Bylis (3-0). Për Putincanin sezoni i këtij viti mbyllet këtu, duke humbur të gjitha ndeshjet e mbetura gjatë 2009-s. Trajneri i Gramozit, Canaj, u gjobit me 30 mijë lekë nga Disiplina, për shkak të protestave me gjeste provokuese ndaj gjyqtarit në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, Flamurtari-Gramozi (1-1), e që në fund rezultoi me kualifikimin historik të skuadrës kolonjare për herë të parë në çerekfinalet e Kupës. Mes të dënuarve është edhe lojtari i Skënderbeut, Elvis Kraja, i cili për gjeste fyese e provokuese ndaj arbitrit u pezullua me dy ndeshje dhe 30 mijë lekë gjobë.
A. M.
A. M.