E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çitaku: Kosova nuk ka asgjë çfarë të fshehë

Nga Express më 16 shkurt 2011 në ora 21:38

(E plotësuar) Ushtruesja e detyrës së ministres në largim të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se raporti i Dick Martyt për kinse trafikim organesh është tërësisht i pabazë dhe ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

Në fjalën e saj para vendeve të KS të KB-ve, Çitakua ka theksuar se akuzat e përmendura në këtë raport nuk janë të reja, por ato tashmë kanë qenë subjekt i hetimeve ndërkombëtare, në veçanti i Tribunalit të Hagës, UNMIK-u dhe së fundi nga EULEX-i.

“Populli i Kosovës më shumë se çdokush tjetër, ka nevojë dhe kërkon hetime pasi nuk ka asgjë çfarë të fshehë. Një qëndrim i njëjtë, i qartë është shprehur edhe nga Qeveria e Shqipërisë”, ka theksuar ajo, duke shtuar se raporti ka lënduar thellësisht ndjenjat e kosovarëve, por gjithashtu ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

Çitaku është ndalur edhe te zhvillimet e fundit politike në Kosovë, të cilave iu parapriu dorëheqja e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, gjë e cila çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat u zhvilluan të qeta dhe ku të gjitha partitë politike pranuan rezultatin e zgjedhjeve.

Në këtë drejtim ajo ka përmendur arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës, pjesë e të cilit do të jenë edhe minoritetet.

Duke folur rreth integrimit të pakicës serbe në shoqërinë kosovare, Çitaku ka theksuar se ka pasur një progres të rëndësishëm, ku një numër i konsiderueshëm serbësh kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe për herë të parë pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ishte më e lartë se në zgjedhjet e organizuara nga strukturat paralele, ndërkohë që për herë të parë po ashtu në demokracinë e re të vendit një politikan serb do të jetë së shpejti zëvendëskryeministër i Kosovës.

Çitaku ka folur edhe rreth regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në fillim të prillit. Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ftojë komunitetin serb sidomos në veri që të jetë pjesë e këtij procesi.

Ajo ka theksuar se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet peng i strukturave paralele serbe, të cilat janë të përfshirë në krim dhe trafikim, ku sipas të dhënave vjetore të KB-ve, Kosova humb 40 milionë euro në vit për shkak të kontrabandës në dy pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, Çitaku ka theksuar se pala kosovare është e gatshme për bisedime në lidhje me çështje teknike, dhe atë me ndërmjetësimin e BE-së.

Reduktimin e trupave të KFOR-it në 5 mijë, Çitaku e ka vlerësuar si rezultat i ngritjes së sigurisë në Kosovë. Ajo po ashtu ka përmendur edhe njohjet e reja për Kosovën, ku deri më sot, një ditë para trevjetorit të pavarësisë, vendi jonë është njohur nga 75 vende të botës.

Zanier: Tre muajt e fundit, me pasiguri dhe paqartësi politike

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier ka vlerësuar të mërkurën mbrëma në seancën e KS të KB-ve se tre muajt e fundit në Kosovë janë karakterizuar nga pasiguria dhe paqartësia politike.

Duke prezantuar raportin e sekretarit të përgjithshëm të KB-ve, Ban Ki Mun, Zanier ka rikujtuar se liderët kosovarë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit janë në procesin e formimit të qeverisë dhe shfaqi shpresën se ky proces do të përmbyllet sa më shpejt.

Zanier ka përmendur disa thirrje të ndërkombëtarëve, për të cilat ka thënë se edhe ai vetë i përkrah që “Kosova duhet të ketë qeveri me duar të pastra”.

Duke folur rreth raportit të Dik Martit, shefi i UNMIK-ut ka vlerësuar se ky raport duhet marrë seriozisht dhe se nevojitet një hetim i gjerë

Ai ka ftuar raportuesin Marti që të paraqesë sa më shpejt të gjitha faktet EULEX-it, si organ përgjegjës për nisjen e hetimeve preliminare, ndërsa ka shprehur edhe nevojën e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Zanier ka theksuar se zyrtarët e EULEX-it i kanë thënë se janë të gatshëm të ndërmarrin përgjegjësinë e plotë, e cila u është ndarë atyre në lidhje me këtë rast.

Shefi i UNMIK-ut ka nënvizuar nevojën e nisjes së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa k potencuar faktin se serbët në veri vazhdojnë të refuzojnë të përfshihen në shoqërinë kosovare.

Zanier ka thënë se situata në veri është me rëndësi për stabilitetin e gjithë Kosovës.

Jeremiq: KB të hetojë trafikun e organeve

Shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiq i kërkoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara formimin e një mekanizmi “ad-hoc” që do të hetonte pohimet për kinse tregti me organe në Kosovë.

Ai këto komente i bëri të mërkurën mbrëma në mbledhjen e KS të KB-ve në Nju Jork, ku po diskutohet raporti i rregullt i sekretarit të përgjithshëm të KB-ve Ban Ki-Mun, të cilin në emër të tij e prezantoi shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanier.

Jeremiq tha se në këtë mënyrë ka ndodhur në rastet paraprake që kanë pasur të bëjnë me krimet e luftës në Ballkan, pavarësisht se nga cila palë janë kryer ato dhe në rolin e tyre politik.

Sipas Jeremiq mekanizmi hetues “ad-hoc” do t’i përgjigjej Këshillit të Sigurimit si formues i tij. Ai ka theksuar se vetëm përmes aktivitetit të KS të KB-ve mund të parandalohen standardet e dyfishta, ndërsa ka shtuar se para se gjithash çështja e hetimeve nuk duhet politizuar.

Jeremiq tha se Beogradi është i përkushtuar për dialogun e paralajmëruar me Kosovën, ndërsa shtoi se bisedimet janë një rast i mirë për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara.

“Serbia vjeshtën e kaluar paralajmëroi se është e gatshme për dialog. Ne ende presim Prishtinën dhe shpresojmë se ata do të jenë së shpejti të gatshëm”, tha Jeremiq, duke shtuar se bisedimet kontribuojnë në vendosjen e paqes, stabilitetit dhe pajtimit në Kosovë e rajon.

Numri një i diplomacisë serbe pranoi se gjatë bisedimeve do të ketë shumë çështje të komplikuara, por me kohë duhet krijuar besimin dhe mirëkuptimin.

“Rezultatet sigurisht se arrihen nëse të dyja palët tregojnë vullnet të mirë në arritjen e një marrëveshjeje konstruktive, e cila do të jetë e dobishme për të gjithë qytetarët”, ka thënë Jeremiq.

Ai tha se “Prishtina zyrtare po vazhdon të inkurajojë ndërtimet ilegale të shtëpive dhe përhapjen e dhunës, gjë e cila paraqet sfidë për UNMIK-un në veri të Kosovës”.

Duke folur për procesin e kthimit, Jeremiq theksoi se deri më tash vetëm 120 serbë të Kosovës janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Jeremiq tha se Prishtina zyrtare po përpiqet të shtrijë pushtetin në veri të Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.

Ai përkujtoi se UNMIK-u për Serbinë është forma e vetme diplomatike e prezantimit të Kosovës dhe shfaqi shqetësimin e thellë për shkak të refuzimit të palës kosovare që të marrë pjesë nën emrin e UNMIK-ut në takimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Përveç Jeremiqit, anëtarëve të Këshillit të Sigurimit u është drejtuar shefi i UNMIK-ut Lamberto Zanier, ndërsa në takim po merr pjesë edhe ushtruesja e detyrës së ministres në largim të Kosovës, Vlora Çitaku.

Nis mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin do të shqyrtohet raporti i radhës mbi Kosovën të sekretarit të përgjithshëm Ban Ki-Mun, që përfshin periudhën 19 tetor 2010 deri më 15 janar 2011.

Kosovën në këtë mbledhje do ta përfaqësojë ushtruesja e detyrës së ministres së Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, ndërsa raportin e sekretarit Ki-Mun do ta paraqesë përfaqësuesi i tij special në Kosovë, Lamberto Zanier.

Në raport sekretari i përgjithshëm shpreh keqardhjen për shpërbërjen e koalicionit qeverisës në tetor 2010, duke thënë se shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme e shtyu dialogun e paralajmëruar Kosovë-Serbi.

Ban Ki-Mun shpreson që zhvillimet në Prishtinë do të çojnë në përshpejtimin e dialogut për të cilin ai u bën thirrje palëve që të kenë një qasje konstruktive.

Ai zgjedhjet e dhjetorit i ka vlerësuar të qeta, ndonëse ka nënvizuar se organizatat që i mbikëqyrën kishin shfaqur shqetësimin mbi respektimin e standardeve demokratike.

Për më tepër numri një i KB-ve thekson edhe rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje të serbëve, ndërsa situatën e përgjithshëm në Kosovë e ka vlerësuar si të qetë.

Në raport përmendet edhe raporti në Këshillin e Evropës të senatorit zviceran Dik Marty, për të cilin thotë se ka zgjuar reagime të ndryshme dhe pakënaqësi të politikanëve në Kosovë dhe Shqipëri. Ki-Mun thotë se në Kosovë i kanë hedhur poshtë pohimet e Martit si një sulm kriminal kundër shqiptarëve, përplot sajime të të dhënave që nuk ekzistojnë të cilat nuk i ka provuar një hetim ndërkombëtar. Raporti megjithatë është mbështetur nga Serbia dhe një rrjet i atyre që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Kryesinë e radhës në Këshillin e Sigurimit për këtë muaj dhe në mbledhjen e sotme e ka Brazili, ndërkaq anëtarët e rinj rotativ me mandat dyvjeçar janë India, Afrika e Jugut, Gjermania, Kolumbia dhe Portugalia. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›