Çitaku: Në Kosovë nuk ka kampe për guerilë sirianë, kemi ofruar vetëm përvojë

Ministrja e Integrim të Kosovës, Vlora Çitaku
Kosova ka reaguar lidhur me pretendimet se në territorin e saj do të stërviten gueriles të forcave opozitare të Sirisë. Ministrja e Integrim, Vlora Çitaku, tha se ka vetëm shkëmbim përvojash. Çitaku ka theksuar më tej, se një gjë e tillë nëse mund të kishte ndodhur duhej bërë në koordinim me NATO-n dhe EULEX-in.
Ka pasur disa vizita nga përfaqësues të lëvizjeve opozitare, jo vetëm siriane, por dhe të vendeve tjera dhe ka pasur shkëmbim përvojash. UÇK është guerilja më e suksesshme në historinë e re botërore dhe përvojat e saj qoftë në luftë për liri, qoftë në transformime të suksesshme mund të merren si leksione për të tjerët. Por, në asnjë formë, nuk kemi këtu ndonjë kamp stërvitor për ushtarët guerilë sirianë, citon Kosovapress, të ketë thënë Çitaku.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitalij Çurkin, ka shprehur shqëtësim gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit duke thënë se Rusia ishte e shqetësuar mbi këtë çështje. Ai ka pohuar se nëse këto raporte janë të vërteta, prania e luftëtarëve sirianë në Kosovë do të minonte përpjekjet ndërkombëtare për të rivendosur paqen në Siri. Gjithashtu edhe Ministria e Jashtme e Rusisë ka shprehur shqetësim se “shndërrimi i Kosovës në bazë ndërkombëtare për ushtrimin e rebelëve mund të jetë faktor kryesor destabilizues në Ballkan”. /F.S/
* * *
Opozita siriane marrëveshje me Kosovën, për të stërvitur forcat në kampet e UÇK-së

Delegacioni i Sirisi gjatë takimit me ministrin e Jahtëm të Kosovës

forca të opozitës siriane
Kosova do të ndihmojë forcat opozitare të Sirisë për të rrëzuar regjimin e Bashar Asadit. Ky rezulton të ketë qenë qëllimi i vizitës së një delegacioni të opozitës Siriane në Prishtinë.
“Shekulli” mëson se mes qeverisë së Kosovës dhe opozitës së Sirisë ka një marrëveshje për përdorimin e kampeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të stërvitur luftëtarët opozitarë të Sirisë që synojnë rrëzimin e pushtetit të Asadit.
Në fund të muajit prill, disa përfaqësues të forcave opoyitare të shtetit t Lindjes së Mesme, vizituan Kosovës ku u takuan me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ku besohet të jetë arritur marrëveshja për dhënien në përdorim të kampeve të UÇK-së, të cilat ndodhen pranë kufirit me Shqipërinë.
Ministri i Jashtëm, Hoxhaj gjatë takimit nuk ka folur për një marrëveshje të tillë por nga ana tjetër ka theksuar se Kosova është e gatshme t’i plotësojë çdo kërkesë opozitës siriane. Në të ardhmen, do të gjejmë një formë për ta mbështetur edhe financiarisht opozitën në Siri. Jemi të interesuar që çdo kërkesë që ka opozita siriane, brenda mundësive ti mbështesim, u shpreh Hoxhaj.
Kreu i delegacionit, Ammar Abduhamid, u shpreh se ka gjëra të ngjashme mes konfliktit të Kosovës me Serbinë dhe asaj që po kalon sot Siria. Mendoj se çdo njeri që sheh konfliktin në Siri mund të shoh ngjashmëri me atë çfarë ka kaluar Kosova. Prandaj ne në fakt jemi këtu që të mësojmë nga eksperienca juaj, se si keni arritur të menaxhoni për një periudhë shumë të shkurtër të kohës stabilizimin e shtetit, të fitoni përkrahje ndërkombëtare dhe të ndërtoni kohezion të brendshëm, tha Abduhamid.
Kampet që pritet të përdoret nga ushtria siriane, të cilat pritet të shërbejnë për rrëzimin e qeverisë në Siri, ndihmuan ushtarët e UÇK-së në përpjekjet për tu çliruar nga Serbia gjatë konfliktit në vitin 1998. Si shpërblim, opozita siriane nëse vjen në pushtet, ka premtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Agjencia e lajmeve Russia Today, raporton se UÇK do të japë mësime për të kryer krime horror ndaj ushtrisë siriane. Ajo shkon më tej duke shkruar se UÇK gjatë funksionimit të saj kishte kontakte me Al Kaedan dhe merrte armë nga organizata terroriste si dhe merrte ushtarë të saj të stërvitur në Pakistan për të luftuar kundër serbëve. Rusia është një prej të paktave vende që mbështet regjimin e Basha Asadit. Kjo për shkak se Rusia është vendi që i shet armë Asadit.
Dhuna në Siri vazhdon pavarësisht marrëveshjes për armëpushim mes qeverisë dhe forcave opozitare me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan. /Florenc Stafa/