E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli: S' mbaj menda kam votuar qeverinëfaji i protokollit

PRISHTINE- Presidenti i sapozgjedhur kosovar është shprehur se nuk është i sigurtë nëse ka votuar për zgjedhjen e Qeverisë në seancën e 22 shkurtit. Në një intervistë për të përditshmen “Ekspress”, zoti Pacolli ka thënë se nuk i kujtohet momenti i votimit të Qeverisë, për shkak të lodhjes që kishte, pas tre raundesh dërrmuese për zgjedhjen e tij.

Mediat kosovare këto ditë shkruajnë se Pacolli ka shkelur dy nene të Kushtetutës së Kosovës, pasi në cilësinë e Presidentit ai ka votuar për qeverinë e re të Thaçit. Por, Kushtetuta e përcakton qartë se Presidenti nuk mund të kryejë asnjë funksion tjetër përpos pozicionit që mban. Pritet që Kushtetuesja të thotë fjalën e saj ndërkohë që presidenti Pacolli, në një intervistë të botuar sot në gazetën Express është shprehur i hapur dhe se do ta mirëpriste çdo verdikt të Gjykatës Kushtetuese.
“Unë jam i gatshëm që t’i përgjigjem çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë nuk kisha dashur më shumë të komentoj. Nuk dua të influencojë një vendim eventual të gjykatësve të Kushtetueses. Unë nuk di ta përshkruaj atë moment sepse kam qenë tepër i lodhur. Në fakt unë kam mundur t’i ngre të dy duart edhe kokën, por realisht nuk e di sepse kam qenë tepër i lodhur”, ka thënë Presidenti Pacolli.

Për të gjitha “gabimet” që Presidenti mund t’i ketë bërë menjëherë pas betimit të tij në foltoren e Parlamentit, fajëson Protokollin, i cili sipas tij, atë ditë nuk ishte fare funksional dhe e la atë të kthehej e të ulej sërish në ulësen e deputetit.

“Unë nuk di sinqerisht se si ta shpjegoj këtë sepse nuk jam kompetent. T’ia lëmë Gjykatës Kushtetuese të vendosë për këtë dhe të konstatojë se a është bërë shkelje a jo. Por, një gjë e di se në momentin kur jam votuar nga pjesa më e madhe të deputetëve prezent në Kuvendin e Kosovës, unë i jam drejtuar Kryesisë së Kuvendit dhe unë nuk kam marrë asnjë udhëzim elementar: as ku të ulem, as kah t’ia mbajë. Dhe kam shkuar e jam ulur në vendin e deputetit dhe asgjë tjetër”, ka treguar Pacolli për median kosovare.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›