E Diel, 1 Nëntor 2026

Lauka: Shqipëria dëshiron që Kosova të jetë një shtet i fortë

PRISHTINË- Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli gjatë një një takimi sot me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, ndanë të njëjtin qëndrim për forcimin e marrëdhënieve dy palëshe.
Ambasadori Lauka bashkë me urimin për detyrën e re, i përcolli urimet e udhëheqësve të shtetit shqiptar, bën të ditur Zyra e shtypit e Presidencës kosovare.
Lauka ripërsëriti gatishmërinë e Shqipërisë për t’i ndihmuar Kosovës në proceset për konsolidimin e demokracisë, në proceset integruese euroatlantike dhe konfirmoi qëndrimin e institucioneve shqiptare për vazhdimin dhe zgjerimin më tej të marrëdhënieve të shkëlqyera që dy vendet kanë në të gjitha fushat.
Ai gjithashtu tha se "Shqipëria dëshiron që Kosova të jetë një shtet i fortë dhe stabil, në të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetit në rajon në përgjithësi", ndërsa vlerësoi si arritje të madhe krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të cilat i presin një varg sfidash në të ardhmen.
Presidenti Pacolli theksoi se "qëllimi ynë i përbashkët është që të jemi sa më unikë në bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt shtëpisë së madhe evropiane' dhe shprehu falënderimet për Shqipërinë, për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep popullit dhe institucioneve të Kosovës.
Të dy palët diskutuan mbi përpjekjet e përbashkëta për sigurimin e një numri më të madh të njohjeve të shtetit të Kosovës, shkëmbimin e vizitave bilaterale në nivel më të lartë, krijimin e lehtësive dhe shtimin e intensitetit në bashkëpunimin ekonomik dhe një varg çështjesh me interes për të dy vendet.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›