E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet me Serbinë, kërkohet një Rezolutë

PRISHTINE-Kuvendi i Kosovës duhet te përcaktojë kornizat e bisedimeve të ardhshme me Serbinë, thonë partitë opozitare ne Prishtine. Roli aktiv i Kuvendit në bisedime, mbështetet edhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili kërkon që të miratohet një rezolutë, që do t’i përcaktonte kornizat e këtij dialogu, për palën kosovare.

Krasniqi mbështet nismat për debat parlamentar rreth natyrës së dialogut me Serbinë.
“Unë mendoj që Kuvendi ka nevojë ta nxjerrë një rezolutë, e cila i përcakton kornizat se çfare mundet dhe çfare nuk mund të bisedohet dhe natyrisht jam që në Kuvend të zhvillohet një debat për natyrën e këtyre bisedimeve”, thotë Krasniqi.

Një nismë konkrete në drejtim të përfshirjes së rolit të Kuvendit në procesin e ardhshëm të bisedimeve Kosovë - Serbi mund të iniciohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si grupi më i madh opozitar.

Nënkryetari i Kuvendit dhe i LDK-së, Sabri Hamiti, thotë se Kosova dhe Serbia nuk mund të zhvillojnë bisedime teknike, pasi sipas tij, ende çdo raport ndërmjet këtyre dy shteteve konsiderohet i natyrës politike.

Deputeti Sabri Hamiti nuk e përjashton as mundësinë që Kuvendi të debatojë për dialogun me Serbinë edhe prapa dyerve të mbyllura, në mënyrë që të mos cenohet procesi që tashmë është në përgatitje e sipër nga ana e Brukselit.

Anashkalimi i Kuvendit në bisedimet e ardhshme, sipas Ardian Gjinit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, do të nënkuptonte një proces jo legjitim.

Mirëpo, një mendim ndryshe nga opozita ka Qeveria e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se është krijuar një perceptim i përgjithshëm se me Serbinë çdo bisedim është i natyrës politike. Por, ai mendon se ka edhe aspekte teknike që mund të dialogohen. Një pozicionim të qartë kundër bisedimeve me Serbinë e ka shprehur tashmë Lëvizja Vetëvendosje, si partia e tretë në Kuvend.

Në qëndrimet e këtij subjekti politik thuhet se bisedimet me Serbinë do t’i thellojnë vijat ndarëse ndër etnike brenda Kosovës dhe se nga ky dialog, Serbia do të sigurojë vendin kandidat për në BE, kurse Kosova nuk do të fitojë asgjë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›