Ç`ka më shumë se ne Ilir Meta?
Shumë përgjigje mund të marrë titulli, por në këtë rast nuk pranohen si të tilla as llogaritë bankare, as apartamentet në qytet, as vilat në plazh, as jahtet luksoze, as influencat në vendimmarrje, as tulet e tepërta në kofshë, bark a kokë e as çdo gjë tjetër që mund tia bëjë jetën Ilir Metës ndoshta më të lumtur e me më pak halle se tonën. Ç`ka më shumë se ne Ilir Meta përballë drejtësisë? Kjo pyetje nuk më shkon ndërmend nga naiviteti (është e pamundur që së sotmi një arsye e shëndoshë të udhëhiqet nga naiviteti), por ngase nuk më duket e drejtë që në sy të Botës e në vesh të Perëndisë koka e Likes të vlerësohet sa dhjetë kokë tonat a mos më shumë. Nuk e kam me gjykatën që ka dhënë vendimet deri tani në lidhje me gjyqin e me gjykatën që do japi vendimin final, pasi për pafajësinë e hajdutit në sytë e drejtësisë shqiptare u bindëm të gjithë qysh pas 21 janarit, por e kam me standardin e prokurorisë.
Dy vjet burg e një gjobë-lëmoshë kërkoi prokuroria për dënimin ndaj një ish-kryeministri që politika jonë e ka parë edhe si kryeministër e pse jo ta shohë edhe më lart pas shpalljes së pafajsisë me të zeza në të bardhë. Fundja-fundit burgu për burrat thonë që është. E zëmë se (largqoftë për Liken e gjithë skraparllinjte e punësuar në administratë a kudo tjetër ku vlon leku) ish-kryeministrin, gjykata do ta shpallte fajtor për korrupsion aktiv, si do të ndihej gjithsecili prej nesh që ligjin e ka parë gjithnjë mbi veten? Unë do të ndihesha më i paaftë e më i pafuqishëm se shumica e kriminelëve që vuajnë parazitizmin nëpër burgjet që gjenden brenda Republikës së Shqipërisë. Pse e mendoj kështu? Sepse, edhe pse pa njohuri të detajuara mbi standardet e hetimeve dhe të drejtësisë, llogaritë e çastit më hapin horizonte të reja. U bëke i pasur kollaj në këtë vend. Paska të drejtë kryeministri me shokë. Dy vjet burg për 700.000 euro. Pak a shumë 700 ditë burg për 1.000.000.000 lekë. Ej, I thonë 1000 euro dita. Unë do plasja nga inati po të dija se like-s në burg i vlen dita 1000 euro. Një shqiptar i ndershëm nuk i afrohet dot një shifre të tillë as me kursime një-vjeçare. Kur thashë se do ndihesha i paaftë e kisha me gjithë mend. Si mos të ndihesh i paaftë kur drejtësia të thotë se po vodhe 1000 euro më e keqja që mund të të gjejë është 24 orë burg. E mos kujtoni se burgu është si fole minjsh këndej nga ne se në Facebook rri gjithë ditën kush vuan dënimin në burgje shqiptare. Pra në terma banalë, por që vërtetojnë më së miri ose mungesën e standardit ose prezencën e shumë standardeve, kush ka ndërmend të vjedhë 1000 euro (bëni mirë tia vidhni shtetit se fukarait nuk do i lini vetëm shpirtin) po ju kapi drejtësia mos u bëni merak as të fusni mik se dënimi maksimal 24 orë qëndrim në Facebook është dhe 1.4 euro gjobë për dëmin e shkaktuar ndaj shtetit. Mos harroni se do bëheni edhe të famshëm (ky 1.4-shi më doli nga llogaritë me gjobën 1.000.000 që i kërkon prokuroria Metë-s). Pse jo?! Do dilni në televizor. Do e keni edhe më kollaj të krijoni ndonjë parti pastaj se burgu të bën më të fortë.
Edhe diçka të fundit. Kush ka në plan të bëjë ndonjë përmbledhje në fund të këtij viti për ngjarjet më të bujshme të mbaj shënim që tani për hipokrizinë më të madhe të vitit. Në të 7-at e vitit të vjetër e pa mbushur javën në vitin e ri Ilir Meta deklaron: Vazhdoj të kem besim te drejtësia. Mbani shënim se nuk do ja kalojë dot kush veç atij. Sa për hajdutërinë kini kujdes të vidhni aty ku ka shumë e për sa kohë që dëgjoni që gjithë bota shqiptare vjedh e që ligji e lehtëson e kur tju mbushet mendja se gjëja e tjetrit nuk duhet përvetësuar çohuni e ngrini zërin siç e bën e gjithë Bota.
