E Diel, 1 Nëntor 2026

“Certifikatë Mirënjohje” për ministrin e Mbrojtjes Arben Imami

TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, është vlerësuar sot me “Certifikatën e Mirënjohjes” nga Sindikata e Pavarur e Punonjësve Civilë të Mbrojtjes dhe Rendit Publik të Shqipërisë (ISPPCMR). Ky vlerësim i është bërë ministrit Imami në Aktivin e Zgjeruar të kësaj sindikate, që u mbajt sot paradite në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes.

Në këtë aktiv, ku ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, z. Gëzim Kalaja, si dhe mjaft përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Civilë të Mbrojtjes dhe Rendit Publik, u diskutua për zbatimin e vendimit të Kongresit të IV kësaj sindikate për punësimin. Një raport rreth punës së bërë dhe arritjeve të shënuara për punësimin e mbajti kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve Civilë të Mbrojtjes dhe Rendit Publik, z. Skender Haroku, ndërsa drejtori i Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit, z. Daniel Karanxha, solli përvojën pozitive që ka në këtë uzinë për punësimin e punonjësve, numri i të cilëve ka shënuar një rritje të konsiderueshme, sidomos këto katër vitet e fundit.

Aktivin e përshëndeti ministri i Mbrojtjes, z. Arben Miami, i cili vlerësoi rolin dhe rëndësinë e jashtëzakonshem të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, sidomos në fillimet e viteve ’90, duke nënvizuar se, është e para sindikatë që mbrojti realisht interesat themelore të punonjësve shqiptarë. Më tej ministri Imami u shpreh: “Unë deri sa dola pedagog në universitet kam punuar rregullisht çdo vit punëtorë krahu në uzinën e Porcelanit, ndaj dhe kisha njohje në atë zonë. E thashë këtë thjeshtë për të thënë se e njoh punën, e di se çfarë është vështirësia e punës, e di gjithashtu së çfarë është gëzimi i punës, kur ti nëpërmjet saj mban familjen tende. Për këtë gjë unë jam së bashku me ju të dashur punonjës të kësaj sindikate”.

Duke u ndalur në punën e bërë gjatë këtyre viteve, z. Imami theksoi, se kemi bërë përpjekje serioze këto vite dhe kjo falë bashkëpunimit që kemi pasur me sindikatat, për të rritur mbi të gjitha kushtet e sigurisë së punës dhe për të siguruar punë për ndërmarrjet tona. Është fakt që ndërmarrjet tona ishin pa punë deri në vitin 2009. Ne arritëm të mbajmë tek këto ndërmarrje demontimi rreth 1000 punëtorë. Sigurisht që dhe ne kemi pasur vështirësitë tona, ndaj dhe dua t’ju falënderoj të gjithëve për mirëkuptimin që keni treguar gjatë për Ministrinë e Mbrojtjes. Gjatë këtyre viteve në të treja uzinat tona kushtet e sigurisë teknike kanë qenë absolute dhe në këto 4 vite nuk kemi pasur asnjë incident, ka nëvizuar z. Imami.

Në vijim ai theksoi se, aktualisht demontimi ka mbaruar, ajo pjesë që ka mbetur po e mbajmë me shpresën që mund ta shesim për të kursyer më shumë, sepse duke shitur ne fitojmë diçka si shtet, ndërsa duke demontuar atë pjesë që ka mbetur kërkohen shpenzime të tjera. Por, ka nënvizuar ministri Imami, kjo nuk do të thotë se në këto uzina do të ndërpritet puna, përkundrazi të jeni të sigurt se prej muajsh dhe prej vitesh kemi filluar punën që t’i japim vijimësi ndërmarrjeve dhe uzinave tona. Shumë shpejt do të vijë një ekip italian i Ministrisë së Mbrojtjes, të cilëve u kam kërkuar që të shqyrtojnë mundësinë që materialet që kanë për të demontuar dhe që ne mund t’i bëjmë, sepse Italia është një vend mik, një vend aleat, anëtarë i NATO-s, një vend që na ka mbështetur dhe i cili na krijon mundësinë për mbështetje edhe në vitet e ardhshme. Ashtu sikurse kam biseduar edhe me partnerët tanë kryesorë e strategjikë dhe më 15 maj do të jemë në Bruksel vetëm për çështjen e demontimit në Këshillin më të lartë të Aleancës së Atlantikut, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm Rasmussen, që të prezantoj këtë model që, me modesti mund të themë, të gjithë e quajnë modelin më të mirë botëror dhe kjo është pikësëpari rezultat i punës tuaj. Pra unë shpresoj që ne do të mund të krijojmë kushtet që kjo punë të vijojë. Ky sigurisht është një lajm i mirë.

Duke iu rikthyer edhe njëherë rolit që kanë sindikatat e punonjësve ministri Imami u shpreh: “Unë jam i predispozuar të dëgjoj kërkesat tuaja, ashtu sikurse kam një respekt të veçantë për këtë organizatë. Pa sindikatat e pavarura në vitin ’91 Shqipëria sot do të ishte krejt e ndryshme dhe meritat e tyre nuk kanë qenë të lidhura thjesht me interesin më imediat ekonomik, por kanë shkuar tek interesi themelorë i çdo punonjësi, i cili shfrytëzohej gjatë regjimit diktatorial dhe ishin këta burra që i vunë gjoksin, që bënë grevën Valiasit, grevën e urisë së përgjithshme dhe që me thënë të drejtën në momente të veçanta morën edhe avangardin dhe tërhoqën edhe partitë politike drejt vendosjes së pluralizmit të vërtetë, drejt një demokracie funksionale si kjo që ne kemi sot”.

Më pas, kryetari i ISPPCMR, Skender Haroku, i dorëzoi ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami, “Certifikatën e Mirënjohjes” me këtë motivacion: “Mirënjohje për liderin e Lëvizjes së Dhjetorit dhe mbështetësin e Lëvizjes Sindikaliste në Shqipëri”. Ministri Imami, duke marrë këtë certifikatë mirënjohje, u shpreh: “Kur dëgjova certifikatë mirënjohjeje mendova se do të isha unë ai që do të jepja ndonjë certifikatë mirënjohjeje, sepse zakonisht kur vij këtu unë jap certifikata. Unë ju falenderoj sinqerisht nga zemra për këtë nder që më bëtë, sepse, sigurisht, çdo njeri ka nevojë për mirënjohje për punën që bën. Faleminderit”. 
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›