E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Faleminderit Tirana”, fjala e plotë e Ramës

Mirëmbrëma të gjithëve!
Besoj që ata të cilët nuk kanë marrë pjesë në betejën e vijës së parë, siç keni marrë pjesë të gjithë ju, do ta mirëkuptojnë këtë aktivitet, jo si një shprehje të triumfit, por si një shprehje të detyrimit dhe mirënjohjes për të gjithë Ju.

Ne nuk duam që qoftë edhe një shqiptar i vetëm, qoftë edhe një njeri i zakonshëm, apo një familje e zakonshme e vetme, të ndjehet keq duke na parë të buzëqeshur dhe duke na parë të mblidhemi për të falënderuar ata që e bënë të mundur këtë fitore, ndërkohë që dikush që na sheh nuk ka votuar për ne. Sepse, ne duam që ta mirëqeverisim Shqipërinë për të gjithë, për ata që na kanë zgjedhur dhe për ata që nuk na kanë votuar.

Por, të gjithë atyre që nuk na kanë votuar dhe që na shohin të mblidhemi dhe të ju falenderojmë ju, dua t’u them, sot, se falë jush, falë punës suaj të palodhur, falë sakrificave tuaja, në një rrugë të vështirë opozitare edhe ata janë çliruar edhe ata kanë shpëtuar. Nga çfarë janë çliruar dhe nga se kanë shpëtuar do t’ua faktojmë jo me fjalë, por me veprat e qeverisjes sonë.

Janë çliruar dhe kanë shpëtuar njëherë e mirë mësuesit. Shumë ndër ta mund të mos na kenë votuar, por nesër do marrin frymë lirisht dhe nuk do të ndjehen nën presionin e pushtetit për atë që mendojnë apo për atë që votojnë. Janë çliruar e kanë shpëtuar infermierët dhe mjekët në spitale, sepse do të jenë aty vetëm për t’u shërbyer të sëmurëve dhe jo për t’i shërbyer pushtetit duke lënë spitalin bosh për të shkuar në miting.

Janë çliruar dhe kanë shpëtuar policët e zakonshëm dhe të gjithë ata që nën uniformën blu i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve dhe nuk do të jenë më kurrë të detyruar t’i shërbejnë pushtetit të një, dy, apo më shumë partive.

Janë çliruar dhe kanë shpëtuar nxënësit, nxënëset, studentët dhe studentet që nuk do të kërcënohen më për notën e tyre që t’u merret vota e të merret vesh se për kë votojnë.

Janë çliruar dhe kanë shpëtuar njëherë e mirë të gjithë ata që jetojnë me një dyqan, një biznes të vogël apo të gjithë ata që kanë vendosur të bëhen të pasur me një sipërmarrje të vogël. Ne do t’i japim fund ndarjes në tanët dhe të tyret dhe do t’u japim mundësi të hapin vende pune përmes biznesit të vogël apo të madh.

Nuk jemi më në fushatë elektorale. Unë ndjehem edhe më i lehtësuar që t’ju them të gjithë atyre që presin legalizimin e shtëpisë së tyre se janë çliruar dhe kanë shpëtuar nga kthetrat e një partie, që i mbajti me vite të tëra me shpresën e legalizimit dhe i la pa legalizuar vetëm e vetëm që t’ua u merrte votën më lehtë duke u paraqitur si e vetmja mundësi që kishin, sot, ata kanë një mundësi të re. Shumë kush prej tyre as e kanë menduar kurrë se kjo mundësi e re do të ishte Partia Socialiste, por ne në fund të mandatit tonë të parë, do jemi krenarë përpara tyre, sepse gjithkush në zonat informale që ka ndërtuar një shtëpi do ta ketë atë pronë të vetën të patundshme të regjistruar në hipotekë.

Sigurisht, ne nuk do të kthejmë procesin e legalizimit në një proces për të porositur vota. Ne do ta bëjmë procesion e legalizimit një proces që do të përfshijë çdo familje që ka nevojë për titullin e pronësisë.

Janë çliruar, besoj unë, më në fund edhe pronarët. Ata, të cilët vite të tëra i shkuan pas dhe ndoshta edhe në këto zgjedhje votuan përsëri jo të paktë në numër për kundërshtarin tonë që jo vetëm nuk e mbylli procesin e kthimit dhe të kompensimit të pronave, por përkundrazi. Bëri që shumë pronarë të vazhdojnë të enden gjyqeve në një kapitull të dytë e të një historie shumë të dhimbshme me pronën e të parëve të tyre. Ne do t’u japim pronarëve të gjithë respektin dhe do ta trajtojmë me dinjitet si shtet çështjen e pronës.

Nuk dua që kushdo qoftë ta marrë si një përgjigje për 2011, por është çliruar edhe Tirana më duket. Është çliruar Tirana dhe ka shpëtuar Tirana, në kuptimin që tani ne do të provojmë se fundi i ndërtimtarisë pa leje është vetëm në dorën e një qeverie, që u shërben njerëzve dhe i shërben vendit të vet dhe nuk është absolutisht i pamundur siç është dukur deri sot. Ashtu sikundër do të provojmë se për të marrë vota nuk është e nevojshme, por e dënueshme që të mbyllësh sytë para ndërtimeve pa leje. Ashtu sikundër, do provojmë se hapësirat publike janë të komunitetit e nuk mund të zaptohen as për të rritur pula dhe as bërë parkingje duke u marrë frymën lagjeve.

Ashtu sikundër, do të provojmë se çështja e respektimit të rregullave në rrugë nuk është e pamundur, por është vetëm çështje vullneti dhe shpirti qytetar. E dini pse në thelb është çliruar dhe ka shpëtuar Tirana dhe gjithë Shqipëria? Sepse, një shpirt i ri do të vijë në qeverisjen e këtij vendi, një shpirt i ri qytetar, për qytetarët dhe me qytetarët, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo se jetojnë në fshat. Sepse, në këtë çështjen e qytetit dhe fshatit është luajtur shumë, por mua më pëlqen shumë shprehja e Ernest Koliqit “se më mirë një malësor si gjithkush, se sa një shkollar si askush”.

Sigurisht, në fund me gjithë respektin për të gjithë ata që s’na kanë votuar, ne duhet ta themi, janë çliruar dhe kanë shpëtuar socialistët dhe progresistët në këtë vend. Janë çliruar dhe kanë shpëtuar të gjitha ata që vetëm për arsye se kanë mbajtur pozicion të ndryshëm nga pushteti, ai i radhës, janë larguar nga puna. Janë çliruar dhe kanë shpëtuar, sepse ka marrë fund shkelja e dinjitetit të tyre, përndjekja e tyre në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale për një vend ku njeriun nuk mund ta pushkatosh, por mund ta vrasësh dy herë pa e vrarë duke i thënë ik nga puna se ti nuk je i yni. Sigurisht, që të gjithë ata që e kanë fituar të drejtën e kthimit në punë do të kthehen në punë.

Ashtu sikundër askush nga ata që sot janë në punë nuk duhet të ndjehet i kërcënuar nga fitorja jonë nëse është në punë për arsye të meritës së vet dhe jo se është kushëri i dikujt apo shërbëtor i dikujt tjetër. Sepse Shqipëria është shumë e vogël për t’u ndarë në ‘ne dhe ata’. Kjo është arsyeja, besoj unë, një ndër arsyet pse Shqipëria sot e gjithë ditën është mbrapa të tjerëve në rrugën drejt Familjes Europiane. Sepse, është shumë e vogël dhe ka 20 vite që është qëllimisht e përçarë dhe ndarë në ne dhe ata, në etërit dhe në bijtë, në ata të veriut dhe ata të jugut. Ndërkohë që, harta e Shqipërisë, ajo që shqiptarët pikturuan me ngjyrën e purpurt të Rilindjes në 23 Qershor, nga Tropoja deri në Konispol, është prova më kuptim plotë se shqiptarët Rilindjen e kuptojnë në radhë të parë si një shtet që u shërben të gjithëve pa dallim, nga veriu apo jugu qofshin, cilado qoftë e shkuara e familjes së tyre. Një qeveri, që i respekton ata pa dallim, nga veriu apo jugu qofshin dhe cilado qoftë e shkuara e familjes së tyre, sepse në fund të fundit nëse në një të shkuar të largët gjyshër të dikujt dhe dikujt tjetër u ndanë në një luftë vëllavrasëse, sot ne jemi të bijtë e shekullit të ri dhe duhet të jemi në lartësinë e këtij shekulli, e kësaj kohe sepse është një kohë e re për Botën, Europën, por edhe është një kohë e re dhe për Shqipërinë.

Shqiptarët, jo pak por një milion, si asnjëherë më parë, me votën e tyre treguan atë që politikanët e kanë harruar, se jetojnë në një kohë të re dhe nuk mund të mbijetohet me armët e vjetra të së shkuarës.

Tani unë nuk dua që të bëj klasifikim, por dua ta filloj nga njësia 8, sepse njësia 8 njësoj si Shkodra, njësoj si Kavaja, e njësoj si disa pika të tjera të Shqipërisë, rrëzoi me votë, me votën e parë të lirë Presidentin e Partisë së Punës dhe me votën e lirë të 23 qershorit të mbeturin nga Partia e Punës.

Ne jemi absolutisht të lumtur me rezultatin e jashtëzakonshëm të njësisë 5. Njësia 5 tregoi se megjithëse Kombinati ka mësuar të vrapojë shumë më shpejt se të tjerët, prapë duhet akoma kohë për ta kapur njësinë 5. Megjithatë, vlera e Kombinatit qëndron tek fakti se vrapon më shpejt se gjithë të tjerët. Pa harruar Ali Demin edhe Shkozën në njësinë numër 1, ku besoj se kemi një rritje stabël, njësoj siç është predikimi i Ditmirit për integrimin dhe Shqipërinë e integruar në Europë.

Nuk diskutohet njësia 2, njësia 3, njësia 4, njësia 8 dhe 9, njësia 10, padiskutim në zemër të Tiranës për ta mbyllur me qershinë mbi tortë, me Laprakën. Me Laprakën, që bëri një fitore po aq historike si ajo e njësisë 8, dhe tek fitorja e njësisë 8 dhe e Laprakës, qëndron vullneti i shprehur i tironsave të vjetër dhe i tiranasve më të fundit për të patur një qeveri që këtë “Amerikë të vogël” të shqiptarëve ta zhvillojë shumë më shpejt.

Isha i bindur që Vasilika do thoshte ke harruar njësinë 7, por në fakt nuk e harrova, por desha vetëm që të mos i bëj të gjithë me radhë se thonë pse ky i pari e pse ky i dyti. Në fakt, të gjitha kanë fituar dhe janë, absolutisht, njësitë e fitores së Partisë Socialiste dhe të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Kemi bashkuar edhe sloganet, Shqipëria duhet të Rilindë prandaj duhet të ecim më shpejt.

Një falenderim i posaçëm, nuk i ngelet hatri besoj askujt, është për kapitenin e skuadrës, Pandeli Majkon. Erdhi në fund, dhe ishte pak si ata lojtarët e huaj që marrin shiritin dhe lojtarët e tjerë të skuadrës thonë a do ta bëjë dot tamam kapitenin apo jo, por tregoi që jo vetëm mund ta bëjë, por e bëri në mënyrë të shkëlqyer, si Zaneti tek Interi. Nuk diskutohet, falenderoj kryetarin e partisë së Tiranës Saimir Tahirin duke mos lënë absolutisht pas dore Vasilikën, pa harruar Linditën, Ledin e Milenën, Blerinën, Erjetën.

Padyshim, kryetarin historik të partisë së Tiranës Besnik Baraj, Ditmirin që jo vetëm është integruar në mënyrë të plotë në skuadrën tonë si prurje e politikës së re, por tani e përfaqëson më mirë dhe se mua interesin e politikës së vjetër. Fatmir Xhafën patjetër, Sadri Abazin, Afrimin, Xhemal Qefalinë, Artan Gaçin, Rakip Sulin, Ervin Bushatin, Sad Vorpsin, Petrit Vargun, Landin patjetër. E kisha mendjen tek ai që kur thonë tironsit ha bukë veç, Blend Nallbanin, kapitenin e Tironës dhe të kombëtares, Pandi Majkon e Tironës ose Pandi Majko është Blend Nallbani jonë i socialistëve. Të dy veteranë që kanë shumë për të dhënë. Pjerin Ndreu patjetër, por nuk e di pse mungon.

Duke i falënderuar të gjithë një e nga një, përsëri dua ta rikthej aty ku e nisi Ditmiri, tek ju të gjithë. Ne kemi emrat, ne kemi detyrën, por në qoftë se ne duam të dalim faqebardhë pushteti duhet të jetë i juaji.

Për ta mbyllur, do më lejoni të ndaj me ju një histori shumë të shkurtër. Një histori që m’u kujtua kur po zbrisnim shkallët me Saimirin. Në fakt, e kemi nisur bashkë me Saimirin rrugën për të arritur deri këtu, ka qenë i pari që ka ardhur me mua në Partinë Socialiste se ju e dini që mua nuk më linin të futesha nëpër zyrat e partisë si kryetar. Ju kujtohet që e kemi filluar me tabelën e zezë ku Saimiri dilte e shkruante për të pabërat e qeverisjes dhe me radhë për të ardhur deri këtu dhe për arsye të kësaj historie e falënderoj me shumë mirënjohje, posaçërisht, Saimirin.

Për ta mbyllur historinë; shkuam bashkë me Saimirin, unë sa isha zgjedhur kryetar i partisë, Saimiri kishte ardhur me mua, ishim njohur tërësisht në mënyrë procedurale se më kishte bërë një letër në e-mail e më thoshte jam filani e kam shumë dëshirë të punoj me ju, kjo është CV ime. U takuam e ramë dakord të punojmë së bashku. Ndërkohë që besoj që duhet t’u japim mundësi të gjithëve atyre që duan të kontribuojnë, që përmes letrës së tyre të motivimit dhe përmes CV-së së tyre të paraqesin interesin për t’i shërbyer shtetit shqiptar. Të gjithë atyre që janë këtu në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë.

Kemi shkuar tek zyra e Pandit kur u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm, por nuk ishim dakord në atë kohë se më doli kundër, megjithatë e zgjodhi kongresi Sekretar të Përgjithshëm, mua më zgjodhën kryetar. Dhe unë e Saimiri i shkojmë në zyrë, Pandi nuk më shikonte fare mua. I thotë Saimirit ‘po ti i martuar je?’. Me një fjalë, ky është rast pa shpresë. Saimiri i thotë ‘Jo s’jam i martuar’ dhe Pandi i thotë mirë dil jashtë. Saimiri më pa mua, por unë s’i flisja dot se më duhej ta rregulloja me Pandin. Pandi kthehet nga unë më tha kam dy kushte ‘e para mos hajde me çorape të kuqe në parti dhe e dyta tha fillo mendoje se nuk e ke pa afat këtë të qenit beqar’. Dhe i realizova të dyja, megjithëse çorapet e kuqe i përdor kur nuk kemi mbledhje grupi.

Ju falënderoj dhe unë si gjithë të tjerët me shumë mirënjohje dhe deri tani kemi patur një privilegj që mund të flisnim, por nuk mund të provonim se sa të zotë ishim, tani do të vazhdojmë të flasim, por nuk do matemi më nga se sa të zotë jemi për ato që themi, por sa të zotë jemi në atë që bëjmë.

Kjo është një barrë shumë e madhe dhe për ta mbajtur me sukses. Këtë barrë unë ju them shumë sinqerisht që ne kemi nevojë për çdo vajzë e djalë të talentuar, ne kemi nevojë për çdo grua e burrë të aftë. Kundërshtarët na kanë lënë pas një libër shumë të trashë me gabimet e tyre, në qoftë se ne do dimë ta lexojmë atë libër dhe në qoftë se ne nuk do të përsërisim gabimet e tyre ne do bëjmë histori.

Kalofshi mirë! Për ju fillon koha e pushimeve, për ne ka filluar koha e përgatitjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›