“Kuriri” me pagë 1500 euro !

Zyrtarë të degës së LDK-së në Prizren kanë reaguar të martën për - siç thonë ata - keqpërdorimet që po bëhen nëpër disa shkolla të kësaj komune, e që po reflektohen edhe në xhepat e prindërve të nxënësve.
Përmes një komunikate për medie, grupi i ekspertëve të LDK-së ka njoftuar opinionin se këtë fillimvit drejtoritë e shkollave në Prizren (si p.sh.: “Lidhja e Prizrenit” , “Emin Duraku”, etj... ) u kërkojnë nxënësve nga një euro, në emër të pagës për punëtorin ndihmës për mirëmbajtjen e ngrohjes në shkolla.
“Janë prindërit e nxënësve ata që janë paraqitur me ankesa në zyrat e Degës së LDK-së, të cilët hapur shprehin dyshimet për keqpërdorimin e këtyre mjeteve”, ka thënë Abdullah V. Thaçi, nga Departamenti për Informim i degës së LDK-së, duke shtuar se, sipas një matematike të thjeshtë, në një nga shkollat e qytetit, me mbi 1500 nxënë, del se për punëtorin ndihmës brenda një muaji mblidhen 1500 euro, ndaj shtrohet pyetja ku shkojnë këto mjete ?!
“Grupi i ekspertëve të LDK-së kërkon nga drejtoritë e shkollave që ta ndërprejnë praktikën e kërkimit të mjeteve nga nxënësit, sepse një hap i këtillë është diskriminues dhe antiligjor”, është thënë në komunikatën e LDK-së, në të cilën theksohet se institucionet qendrore dhe ato lokale janë të obliguara që të sigurojnë mjete për të gjitha nevojat e shkollave, prandaj grupi i ekspertëve të LDK-së shpreh hapur dyshimin për keqpërdorimin e këtyre mjeteve, sepse ato mjete kundërligjshëm janë të arkëtuara, dhe janë bazë e mirë për keqpërdorim.
Në komunikatë më tej kërkohet që, përveç nga organet e drejtësisë, edhe organet kompetente qendrore që të ndërhyjnë në DKA-në e Prizrenit, për t’i hetuar “keqpërdorimet e mëdha dhe të vazhdueshme” në këtë drejtori .
Mirëpo, në këto konstatime të LDK-së ka reaguar menjëherë drejtori komunal për Arsim, Nexhat Çoçaj, duke thënë se e tëra kjo është një dezinformatë e LDK-së.
“ DKA-ja në Prizren fuqimisht demanton shpifjet e LDK-së në lidhje me tendencën për etiketimin e drejtorit të DKA-së, për faktin se edhe shpifja e radhës vjen e nënshkruar nga falsifikatori i njohur për policinë dhe gjykatën në lidhje me nxjerrjen e dëshmive nga banka, për çka edhe është pushuar nga puna dhe po ndiqet penalisht”, ka thënë Çoçaj.
“Sa u përket shqetësimeve që shprehin të ashtuquajturit ekspertë për arsimin nga zyrat e LDK-së, ua bëjmë me dije se deri më sot, e martë, 15 janar 2013, DKA nuk ka pranuar asnjë ankesë të prindërve nga asnjë shkollë, në lidhje me grumbullimin e të hollave që pretendojnë LDK-ja ta adresojnë në dy shkolla, që i përmendin”, ka thënë Çoça./Indeksonline/