E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kutitë” Berisha: Rama ti adresohet Prokurorisë

TIRANE-  Duke ju referuar nismave ligjore të paraqitura në Kuvend nga opozita, kreu i qeverisë ka ritheksuar edhe njëherë se kërkesat e opozitës për hetimin e zgjedhjeve janë cështje që i përkasin gjykatave dhe jo mazhorancës, duke nënkuptuar se hapja e kutive mbetet një kërkesë e panegociueshme.

Kryeministri Berisha deklaroi se kryesocialisti Edi Rama duhet ti ishte drejtuar Prokurorisë për të gjitha provat që ka për manipulime të zgjedhjeve.
“Kam një propozim për zotin Rama: Ti drejtohet Prokurorisë për të gjitha pretendimet që ka. Prokuroria mund të hetonte edhe jashtë afateve. Nuk pati marrëveshje dhe kjo jo për fajin tim. Hapja e kutive nuk mund të bëhet pa procedurë kushtetuese”, theksoi Berisha.

Ndërsa nënvizoi se nismat ligjore të Partisë Socialiste do të trajtohen me seriozitet nga ana e qeverisë, kryeministri konsideroi të pabaza akuzat e socialistëve për shpërfilljen e ngërcit politik nga ana e qeverisë janë të pabaza.

Kryeministri Berisha tha se gjatë bisedimeve në tryezën e Presidentit Topi ai kishte rënë dakord për sugjerimet, duke theksuar se mazhoranca pranoi që cështja të dërgohet në Komisionin e Venecias por , sic tha ai, me miratimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësia e gjyqësorit nuk cënohet”, tha kreu i qeverisë, duke shprehur urimin që opozita të jetë e pranishme në Parlament.

Të enjten e javës që shkoi , deputetët e Partisë Socialiste thyen bojkotin 6 mujor të parlamentit për të paraqitur 2 nisma ligjore të lidhura me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke theksuar se opozita nuk od të heqë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit.
Në njërën prej këtyre nismave socialistët kërkojnë të sanksionojnë me ligj hapjen e kutive të votimit, kur këto kërkohen nga shumica e anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar.
Ndërkaq, nisma tjetër e e paraqitur prej PS-së lidhet vetëm me zgjedhjet e 28 qershorit 2009. PS propozon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të përbërë nga 15 anëtarë, ku shumica i takon partisë më të madhe të opozitës.
Si objekt të hetimit të këtij komisioni, PS propozon hetimin e akuzave dhe dyshimeve publike të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave në VNV-të. Socialistët propozojnë të hetojnë dyshimet dhe akuzat e ngritura nga partitë dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›