“Ligji i dosjeve dhunon ligjet dhe institucionet”
TIRANE-Komisioni i Venecias, organi këshillimor i Këshillit të Europës, e quan ligjin për hapjen e dosjeve si një akt që dhunon Kushtetutën dhe ligjet shqiptare. Në një material të zgjeruar, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Komisioni i Venecias bën vërejtjet dhe sugjerimet përkatëse për çështjen e hapjes së dosjeve të komunizmit. Sipas juristëve, projektligji i paraqitur nga qeveria cenon kushtetutshmërinë e institucioneve të pavarura dhe nuk garanton një hetim të paanshëm të figurave të zyrtarëve. “GSH” ka zbardhur dokumentin me 163 nene, 145 prej të cilave janë shtjellim dhe pjesa që mbetet, konkluzionet e specialistëve të Komisionit. Komisioni i Venecias ka theksuar se është i vetëdijshëm që nevoja e lustracionit është një ndër çështjet kryesore në Shqipëri, sikurse në shumë vende post-komuniste, por ka nenvizuar se shtrirja e ligjit eshte shume e papercaktuar. " Komisioni i Venecias, në reflektim të pesë pyetjeve për të cilat gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka kërkuar sqarime, ka marrë në konsideratë të veçantë dy veçori të ligjit të lustracionit: e para, faktin që ai po adaptohet afërsisht 20 vjet pas përfundimit të regjimit komunist për shkak se përpjekjet e mëparshme për të kryer këtë proces, janë stopuar gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese apo – pas një periudhe të shkurtër të aplikimit të ligjit – nga një qeveri e re. Veçoria e dytë e Ligjit të Lustracionit të cilin ka marrë në konsideratë komisioni i Venecias është fakti që qëllimi dhe shtrirja personale e aplikimit të ligjit të lustracionit është shumë e gjerë dhe e papërcaktuar, duke lënë pak ose aspak hapësirë për shqyrtimin e rasteve të ndara veç e veç. Ngrihet çështja në respekt të dy parimeve, të legjitimitetit dhe procedurave kushtetuese speciale të cilat garantojnë statusin e institucioneve më kryesore të shtetit". Komisioni i Venecias gjithashtu e konsideron të përshtatshme për të trajtuar në mënyrë të përgjithshme dhe paraprake çështjen e garancive ligjore dhe kushtetuese të mandateve të institucioneve kryesore të shtetit, ashtu sikurse për gjyqtaret dhe prokurorët. "Në njërën anë këto garanci konsistojnë në arsyet specifike shteruese për përfundimin e mandatit të tyre dhe në anën tjetër në procedurat speciale për përfundimin e këtyre mandateve. Procedura të tilla janë elementet përbërës të statusit kushtetues të institucioneve të shtetit në fjalë: kjo do të thotë që zëvendësimi i procedurave specifike me të tjera, procedura më pak protektive, dobëson statusin e institucioneve. Në mënyrë të ngjashme, heqja e këtyre procedurave të parashikuara në Kushtetutë dhe në substancë nga ligjet e tyre organik, duke i zëvendësuar me vendime të organeve të lidhura me këto vendime që dalin nga Ligji i Lustracionit, ndikon dhe pakëson mbrojtjen kushtetuese të ligjore që këtyre institucioneve u ofrohet". Cdo pergjigje e Komisionit te Venecias behet pas pyetjeve te shtruara nga Gjykates Kushtetuese Shqiptare, sic eshte "1) A dhunon ky ligj garancitë për mandatin e Presidentit të Republikës, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, deputetëve, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe Prokurorit të Përgjithshëm? Nëse po, a do të jetë i justifikuar përfundimi i mandatit të tyre? A dhunohet në këtë rast principi i shtetit të së drejtës?" Dhe Komisioni i Venecias pergjigjet se "vëren se dispozita e Ligjit të Lustracionit në përfundimin e mandatit të Presidentit të Republikës, anëtarëve të gjykatës kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, deputetëve dhe ministrave, në rastin e “verifikimit të certifikatës B”, dhunon garancitë kushtetuese për mandatet e tyre dhe si pasojë janë kundër principeve të shtetit të së drejtës". Gazeta Shqiptare ne numrin e sotem ka zbardhur cdo pyetje pergjigje mes Kushtetueses shqiptare dhe Komisionit te Venecias. (d.b/GSH/BalkanWeb)