E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dosjet”, PD: Referendum dhe ankimim në Strasburg

TIRANE- Partia Demokratike deklarohet se nuk do të tërhiqet nga një ligj i lustracionit, edhe pse gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë, por do të organizojë një referendum popullor për këtë çështje. Deputetja demokrate, Mesila Doda deklaroi sot shumë shpejt do të parqitet në parlament një ligj i ri për pastërtinë e figurave. “Së pari, paraqitja e një ligji të ri në parlament për pastërtinë e figurave të shtetit shqiptar. Së dyti dërgimi i këtij ligji në gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut në Strasburg. Ju bëj me dije gjithashtu se së bashku me kolegë të tjerë nuk do ngurojmë që të ndërmarrim nismën e një referendumi popullor për këtë çështje madhore.”, theksoi Doda. Sipas mazhorancës vendimi për të shpallur antikushtetues ligjin e lustracioni, vjen nga një trupë gjykuese tërësisht në konflikt interesi, e cila prekej prej tij. “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ’89. Janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit në këtë vend”, tha Doda. Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin e spiunëve deri në një vendim të komisionit të Venecias. Sipas këtij institucioni ndërkombëtar, ligji në fjalë ishte anti kushtetues. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›