E Diel, 1 Nëntor 2026

“Maqedonia shqiptare” kundërpërgjigje ndaj Enciklopedisë

SHKUP- Në Maqedoni pritet të botohet libri “Maqedonia shqiptare” një kundërpërgjigje me fakte e “Enciklopedisë maqedonase”.
Libri pritet të dalë në botim me rastin e festave të nëntorit. Në vëllimin e parë përfshihen tekste dhe dokumente origjinale shqip, anglisht dhe frëngjisht nga e kaluara historike e Maqedonisë shqiptare, të shkruara nga një grup autorësh antikë, albanologë , historianë dhe udhëpërshkrues të huaj të shekujve XVI-XIX.
Kreu i Këshillit redaktues të këtij libri, Nijazi Muhamedi ka theksuar se kjo vepër është një kundërpërgjigje e fuqishme ndaj “Enciklopedisë Maqedonase”. Sipas tij, me këtë vëllim shkencor, del qartë edhe përcaktimi historik, etnografik, kulturor e politik i Maqedonisë shqiptare si dhe fakti që shqiptarët janë autoktonë aty.

“Në libër hapet për herë të parë çështja e rivalitetit shqiptaro-grek mbi përkatësinë e Lekës së Madh dhe mbi trashëgiminë historiko-kulturore të Maqedonisë së moçme, si një përgjigje ndaj strategjisë antishqiptare të bisedimeve greko-maqedonase” thotë kreu i këshillit redaktues, Nijazi Muhamedi.
Ky vëllim ka mbi 400 faqe. Autorët kanë theksuar se librit do ti bëhet një fushatë e gjërë publiciteti dhe do t`i dorëzohet ambasadave e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›