E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Neritan Ceka President”, PD: Nuk është kandidati ynë

TIRANE - Partia Aleanca Demokratike propozoi dje, Presidentin e saj Neritan Ceka, si kandidat për postin e Presidentit të ri.
Pas shpalljes së kandidaturës së ish-kryetarit socialist Fatos Nano, Ceka bëhet kështu i dyti kandidat që shpallet zyrtarisht për postin e kreut të shtetit, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2007, kur të dy emrat ishin pjesë e garës, në Kuvend.

Aleancistët mendojnë se Ceka është një kandidat konsensual për të dyja palët. Në korridoret e politikës, futja në garën presidenciale e Neritan Cekës është përfolur shpeshherë si “sponsorizim” i Partisë Demokratike. Por nuk mendojnë kështu që nga figurat kryesore të kësaj force politike, deputetët, Tritan Shehu dhe Dashnor Sula. Të kontaktuar dje nga “Gazeta Shqiptare” ata kanë konfirmuar se në garën për kreun e ri të shtetit, PD do të ketë kandidatin e saj.
“Qëndrimi i kryeministrit, Sali Berisha dhe i Partisë Demokratike është bërë i qartë. Në garën presidenciale ne do të kemi kandidatin tonë”, deklaroi Shehu. 

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kolegu i tij demokrat, Dashnor Sula. Por ai shtoi gjithashtu se “unë nuk jam për një president ‘të emëruar’. Pse duhet që qoftë mazhoranca t’i kërkojë leje opozitës apo opozita të kërkojë që kjo mazhorancë t’i japë konsensusin opozitës për kandidatin e saj. Presidenti s’mund ‘të emërohet’. Kushtetuta ‘i detyron’ të dy palët të fusin në garë kandidatët e tyre. Le të fitojë më i miri, kjo është demokracia”, tha Sula.
(lajmin e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›