E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Profesor”, titull me shumicë!

Nëse nuk e keni vënë re, po ju a kujtoj se, “profesor” është titulli i shitur më lirë se çdo gjë tjetër sot në tregun mediatik shqiptar. Është bërë kaq e zakonshme ta thërrasësh këdo me këtë titull, saqë personit të cilit ia adreson këtë epitet, në mos e natyrshme, tashmë mund t’i duket një rutinë! Me ato që shohim e dëgjojmë, sidomos nëpër ekrane tv-sh, veçanërisht kur bëhen emisione sportive për futbollin, duket se më tepër se në çdo fushë tjetër, madje edhe në ato të shkencave të mirëfillta, “profesorët” më së shumti i gjen pikërisht aty. Ky titull, i zhvleftësuar sa s’ka më prej etiketimit të padrejtë dhe të shpeshtë deri në absurd ndaj personave që si “meritë” për t’u quajtur të tillë kanë vetëm privilegjin e të ftuarit nëpër ekrane të ndryshme, është kaq i përhapur, sa të duket që ky futbolli ynë duhet të jetë fort i përparuar e i zhvilluar me gjithë këtë “katedër” të pafund “profesorësh”, që i ndesh gjithkund! Nuk është e vështirë për t’i mbajtur mend rastet kur një të ftuari nëpër studio të ndryshme televizive, që pyetet për të dhënë mendime për këtë futbollin tonë copë-copë për nga niveli i tij i dobët dhe ngjarjet e tij të shumta skandaloze me të cilat përfshihet herë pas here, t’i drejtohen me titullin “profesor” që ai s’e ka në fakt dhe as që i shkon nëpër mend për ta quajtur kështu, sepse rituali i zakonshëm i vendosjes së këtij epiteti vend e pa vend vazhdon rregullisht, sikur të ishte diçka normale!
”Profesor, si e shpjegoni këtë gol të anuluar nga gjyqtari, a ju duket i drejtë?”,- i drejtohen nëpër emisione të këtij lloji ndonjërit prej të ftuarve atje, për njërën prej atyre ngjarjeve nga më të zakonshmet e futbollit tonë kur arbitrat bëjnë çfarë t’u dojë qejfi, pa iu hyrë kurrë ndonjë gjemb në këmbë. Ose, “Profesor, a ishte faull për ju ky rast që po shohim në ekran”,- i drejtohen një të ftuari tjetër, gjithashtu specialist ndoshta, apo një ish-trajneri ose ndonjë ish-futbollisti, që asesi nuk i afrohet titullit me të cilin e etiketojnë çuditërisht në këto raste të rëndomta, ku edhe pamjet që ofrohen janë tepër të paqarta dhe aspak të shpjegueshme për personat ndaj të cilëve drejtohet pyetja dhe që më kot, disa prej të ashtuquajturve moderatorë, përpiqen t’u rrisin autoritetin nëpërmjet titujve artificialë që u atribuojnë!...Shpesh më ka qëlluar, nëpër biseda shokësh e miqsh, të ma vënë në dukje këtë “histori” titujsh që vazhdon, veçanërisht kur bëhet fjalë për emisione sportive. Do të dukej krejtësisht anormale dhe pa asnjë sens kulture e profesionizmi, në se një mjeku të zakonshëm, gjatë një emisioni përkatës për fushën e tij, i ashtuquajturi moderator t’i drejtohej atij me një titull të cilin ai në fakt nuk e zotëron. Po kështu edhe në fusha të tjera, qofshin ato ekonomike, shoqërore, apo politike, kushdo prej atyre që ushtrohen në to, me siguri do të përgojoheshin dhe do të ndiheshin keq, të turpëruar dhe të vënë në lojë, në se do të etiketoheshin me tituj të paqenë nëpër ekrane televizionesh. Ndërsa, e kundërta ndodh me njerëzit e fushës së sporteve, që duket se janë familjarizuar tashmë me titullin “profesor”, nga që në çdo emision ku ata janë të pranishëm, ky etiketim është kthyer në modë për ta!
Jemi të vetëdijshëm për vlerat e sportit dhe përpjekjeve që bëhen sot kudo nëpër botë për rritjen e vazhdueshme të cilësisë së tij, për t’u bërë edhe më i dobishëm për njerëzit që e ushtrojnë, por njëkohësisht për ta bërë atë edhe më tërheqës për miliona e miliona të tjerë. Laboratorët e shumtë dhe të sofistikuar tashmë, natyrisht që përfshijnë në to mjaft specialistë që me kontributet e tyre në këtë fushë janë nderuar edhe me tituj të cilët ata ia shpërblejnë sportit nëpërmjet shpikjeve apo studimeve të ndryshme, të vërtetuara botërisht. Kjo gjë, natyrisht në përmasa tepër modeste, vlen edhe për ndonjë specialist tonin, por inflacioni i titullit “profesor” për këdo dhe për çdo gjë, sidomos kur shitet aq lirë nëpër ekrane televizive, ua ka hequr edhe atë pak vel hijeshie atyre të paktëve specialistë të sportit që me punë shkencore e mbrojtjeje temash të ndryshme, e kanë merituar atë.
Matçi për titullin botëror në shah për femra i zhvilluar këto ditë në Tiranë, i mbyllur me fitoren e kinezes Hou Jifan për të dytën herë radhazi, pas ndeshjes së 8-të ndaj pretendentes indiane Humpy Koneru dhe që u ndoq me interesim të madh veçanërisht nga mjeshtrit tanë të këtij sporti, disa prej të cilëve të njohur shumë mirë edhe në arenën ndërkombëtare për rezultatet e tyre shpesh herë të jashtëzakonshme, më solli në vëmendje për një çast edhe faktin apo dukurinë që u përpoqa ta trajtoj në këtë koment, për titujt që tek ne shiten aq lirë. Këtë dua ta ilustroj me shembullin e “Mjeshtrit Ndërkombëtar”, Fatos Muça, i pari që i pat sjellë dikur këtë titull të lartë shahu vendit tonë, i cili e pat merituar atë edhe pse rregullisht n’atë kohë fitonte ndaj “Mjeshtrave të Mëdhenj”- kampionë të Kinës, tashmë një superfuqi botërore edhe në sport; ndaj kampionit të shquar e plot famë të ish-Jugosllavisë, po ashtu me shumë suksese e tituj në arenën ndërkombëtare e ndaj kampionëve të tjerë të vendeve po me aq traditë e suksese nëpër botë, e megjithatë, ky fenomen i sportit tonë me 12 tituj kampioni në karrierën e tij, gjatë ngjarjes së madhe të sipër përmendur për titullin botëror në shah për femra, ngjante gati si i padukshëm ose si njëri prej më të zakonshmëve, pikërisht sepse nderet, ofiqet dhe titujt, prej shumicës së tv-ve vazhdojnë t’u përkushtohen jo atij dhe mjeshtrave të vërtetë si ai, por ca njerëzve të tjerë, shpesh të rëndomtë dhe anonimë!...
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›