E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi ngushëllon Familjen Mbretërore: Leka Zogu I, patriot

TIRANË- Presidenti Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, i shprehën sot paradite ngushëllimet Familjes Mbretërore për ndarjen nga jeta të Leka Zogu I. Pas lënies së një shënimi në librin e zisë të vendosur me këtë rast në mjediset e Oborrit Mbretëror, Presidenti i Republikës vlerësoi Leka Zogun e Parë, si patriot që ka kontribuar për cështjen kombëtare.

“Erdha të ngushëlloj nga afër familjen mbretërore për humbjen e Leka Zogut I. Sigurisht ndava me princ Lekën dhimbjen e cila nuk është vetëm e familjes por e mbarë shoqërisë shqiptare, që sot respekton një njeri, që ndonëse pati një jetë shumë të vështirë larg Shqipërisë asnjëherë nuk iu shmang detyrimeve qytetare për të qenë një patriot dhe për të kontribuar për cështjen kombëtare”, tha Topi.

Presidenti i uroi princ Lekës, djalit të Leka Zogu I, të vazhdojë rrugën e paraardhësve të tij.

“Njerëzit largohen nga kjo jetë, por unë i uroj Princ Lekës që të t’i japë gëzim kësaj shtëpie, ta mbushë me trashëgimtarë dhe të jetë në vazhdim të traditës së paraardhësve të tij për të kontribuar për çështjen kombëtare. Shqipëria sot ka nevojë për çdo njeri për të kontribuar për të ardhmen e këtij vendi që sigurisht është dhe ka qenë edhe në ëndrrat e të gjithë patriotëve shqiptarë për të qenë pjesë e Evropës së qytetëruar. Edhe njëherë, ngushëllime për të gjithë ata që e kanë dashur dhe që e duan këtë familje me kontribute të jashtëzakonshme në historinë e Shqipërisë”, përfundoi Topi.

Nano ngushëllon Familjen Mbretërore
Ish-kryeministri Fatos Nano është një tjetër figurë politike që ka ngushëlluar sot Familjen Mbretërore, për ndarjen nga jeta të pretendentit të fronit mbretëror Leka Zogi I.
“Është një detyrë politike dhe kombëtare të jemi pranë Familjes Mbretërore sot”, deklaroi ai. Nanou shpreh më tej se, Leka Zogu i Parë “është një nga simbolet dhe kontributet atdhetare që duhet ta nxisë politikën të shumëfishojë pikat e bashkimit”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›