E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshihej në një hotel në Pogradec. Shoqërohej nga e dashura vlonjate

Mashtruesi që lëshonte çeqe bankare false ka rënë më në fund në duart e policisë. “E bëra gjithçka për të dashurën time”. Kështu është shprehur i riu që lëshonte çeqe nën emrin e Eduart Dibrës. Ai është kapur në qytetin e Pogradecit, mbrëmjen e së dielës. Ka qenë sektori i krimit ekonomik dhe Komisariati i Policisë së Pogradecit, që pasi kanë zbuluar vendndodhjen e mashtruesit kanë bërë të mundur kapjen e tij në njërin prej hoteleve të qytetit. Burimet e policisë deklarojnë se bëhet fjalë për një 26-vjeçar nga Bushati i rrethit të Shkodrës.
Njeriu që lëshonte çeqe për të mashtruar biznesmenët në Korçë e ka tashmë një identitet. Ai quhet Eduart Kol Jaku. Burimet e policisë kanë sqaruar se 26-vjeçarit i është gjetur një dokument identiteti, edhe pse ai prezantohej me emrin Eduart Dibra. Policia ka nisur hetimet dhe kërkimet për të riun që kishte mashtruar të paktën katër persona në qytetin e Korçës, edhe pse pranë organeve të rendit asnjë nga të dëmtuarit dhe personat që kanë kontaktuar me të nuk ka bërë zyrtarisht një kallëzim penal. Por pas verifikimeve që ka kryer Policia e Korçës, ka zbuluar se historia e mashtrimit ishte më se e vërtetë.
Eduart Kol Jaku ishte zhdukur që prej pesë ditësh nga qyteti i Korçës dhe mendohej që qysh në fillim të jetë vendosur në një prej hoteleve të Pogradecit. Ai ka deklaruar se nuk do të kthehej më në qytetin ku kishte bërë disa “viktima” përmes mashtrimit. Sipas policisë, 26-vjeçari nga Bushati, në momentin e ndalimit ishte i shoqëruar me një vajzë nga qyteti i Vlorës. Gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë, Jaku ka thënë se e ka bërë gjithçka për t’i plotësuar dëshirat dhe kërkesat të dashurës së tij, së cilës i ishte prezantuar si biznesmen.
Për të joshur vajzën vlonjate, 26-vjeçari nga Bushati kishte mbajtur portofolin plot me lekë dhe një bllok me çeqe, për t’i vërtetuar se ishte i kamur. “E pranoj që kam mashtruar, por nuk kisha tjetër rrugëzgjidhje. I kisha thënë të dashurës se jam shumë i pasur”, ka thënë Jaku.
Pas disa ditësh i larguar nga qyteti i Korçës, i riu që lëshonte çeqe për marrjen e parave borxh ose për pagesa të pashlyera, më në fund është zbuluar nga policia. Ai ka deklaruar se shumat e marra nga viktimat e tij nuk do t’i kthente më, edhe pse i mbante gjatë gjithë kohës me shpresë. Tashmë ndaj 26-vjeçarit “të detyruar” të mashtrojë nga dashuria, kanë nisur veprimet hetimore për veprën penale të mashtrimit.
Me nisjen e hetimeve pritet të zbulohet se si ai ka mundur të sigurojë bllokun e çeqeve, të cilët ai i lëshonte nën një identitet të rremë. Eduart Jaku u shfaq në qytetin e Korçës gjatë ditëve të festave të fundvitit. Për të fituar kohë, ai lëshonte çeqe në ditët kur bankat ishin pushim, me qëllim që “klientët” e tij të mos kishin mundësi verifikimi deri në largimin e tij nga qyteti i Korçës. Fillimi i punës pas festave e gjeti Jakun të larguar, ndërsa të paktën 4 persona kuptuan se ishin mashtruar nga i riu shkodran.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›