Pushimet për festat zyrtare janë përcaktuar në kod dhe ndryshohen vetëm me 3/5 e Kuvendit
Vendimi për ditët e festave zyrtare bie ndesh me Kodin e Punës, e për të ndryshuar këtë, kërkohen 3/5 e Kuvendit të Shqipërisë. Por, qeveria “Berisha” duket se e ka harruar se pushimi për festat zyrtare është përcaktuar edhe në Kodin e Punës, e për të ndryshuar një gjë të tillë, duhet të ndryshojë kodin. Ndryshe nga sa përcaktohet në këtë kod, në javën e fundit të dhjetorit, qeveria miratoi vendimin për ndryshimin e ligjit “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”. Por, nga juristët mësohet se kjo është një shkelje flagrante që po bën qeveria shqiptare, të cilës i duhet patjetër opozita në Parlament për të kryer një veprim të tillë.
Siç dihet, në Republikën e Shqipërisë, një kod qëndron më lart se një ligj dhe për të ndryshuar atë, apo për ta hedhur poshtë, duhen 3/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, sot në Parlament nuk marrin pjesë deputetët e opozitës, duke detyruar qeverinë aktuale që mos të marrë dot vendime që kërkohet edhe vota e tyre. Por, ndryshe nga sa përcaktojnë ligjet shqiptare, qeveria duket se ka vepruar në kokën e vet, pa pyetur për Kodin e Punës, kur në fund të muajit që lamë pas ndryshoi të drejtat e administratës për festat zyrtare, duke cilësuar se nëse festat bien gjatë ditëve të pushimit të javës, pra të shtunë dhe të diel, ato konsumohen po atë ditë.
Por, në nenin 86 të Kodit të Punës, ku flitet pikërisht për ditët e festave zyrtare, deklarohet e kundërta. Pikërisht në pikën dy të këtij neni deklarohet se punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare. Kur dita e festës zyrtare bie në ditët e pushimit javor, pushimi shtyhet ditën e hënë. Pra në asnjë pikë të Kodit të Punës nuk deklarohet se pushimi dhe festa bëhen në të njëjtën ditë, nëse bien bashkë. Ndërsa në pikën një të nenit 86, deklarohet sesi rregull ndalohet puna në ditët e festave zyrtare, duke u bazuar në ligjin nr. 8085, datë 13. 03. 1996 dhe në ligjin nr. 9125, datë 29.07.2003. Madje, duke marrë parasysh se jo e gjithë administrata mund të bëjë pushim gjatë festave zyrtare, për shkak të natyrës së veçantë të punës, në pikën tre po të të njëjtit nen, deklarohet se përjashtimet për të punuar në ditët e festave zyrtare përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive. Tashmë, grupe të administratës kanë filluar të kenë kontratat kolektive dhe ato janë bazuar të gjitha në Kodin e Punës dhe kjo sjell një përplasje të madhe mes vendimit të qeverisë, kontratave të tyre dhe Kodit të Punës.
Veç këtij neni, në Kodin e Punës është përmendur edhe si do të veprohet për ata që punojnë ditën e festës zyrtare. Pikërisht në nenin 87 deklarohet se puna e kryer ditën e pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj. Qeveria, tashmë ka ndryshuar ligjin, por ende nuk dihet nëse do kundërshtohet nga ndonjë shtresë ky veprim, që në përmbajtje duket arbitrar. Ligji u ndryshua, duke shtuar një ditë tjetër feste në kalendar, duke e çuar në 13 numrin për ditët e pushimit për të punësuarit në vendin tonë. Këtu bëjnë pjesë festat kombëtare, ato fetare dhe ditët përkujtimore, bashkë me datat 1 dhe 2 janar. Shfuqizimi i ligjit të mëparshëm, i implementuar edhe në Kodin e Punës, është bërë në pikën e fundit të vendimit. Por, duket se ka edhe një shpresë në dorë të deputetëve. Duke qenë se ndryshohet një ligj, atëherë propozimi i qeverisë duhet të marrë miratimin nga Parlamenti, pavarësisht se është publikuar në Fletoren Zyrtare.