E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sëpatë Shengenit”, një hap prapa i PE-së

Marrëveshja e Shengenit ka bërë një hap prapa me vendimin e Parlamentit Europian që i lejon 26 vendet e kësaj zone t’i mbyllin kufijtë e tyre deri në 2 vjet në rast nevoje. Për bllokun europian, liria për të udhëtuar lirshëm dhe kufijtë e hapur janë një tipar dallues, por shumica e eurodeputetëve e konsideron të nevojshëm reformimin e marrëveshjes ekzistuese. Mbyllja e kufijve do të monitorohet nga Komisioni Europian.

Gjermania ishte ndër ato vende që luftuan për rregulla të reja sa i takon lirisë së udhëtimit. Eurodeputeti Manfred Weber e argumentoi mjaft thjeshtë pretendimin e vendit të tij.

“Askush nuk e kishte menduar se ka shtete si Greqia që nuk arrijnë dot t’i sigurojnë kufijtë e tyre”, është shprehur Weber. “Për këtë arsye, përvojat e deritanishme duhen rishikuar”, tha ai, transmeton TCH

Të Gjelbërit në Parlamentin Europian janë të mendimit se nuk ka arsye për të ndryshuar një nga arritjet më të rëndësishme të Evropës. Marrëveshja e Shengenit, sipas tyre, është një gur themeli i bllokut dhe diçka prej së cilës qytetarët e BE-së kanë një përfitim konkret, i cili perceptohet edhe në jetën e përditshme.

“Na duket e çuditshme që t’i vihet sëpata Shengenit në këtë mënyrë”, deklaroi eurodeputetja Ska Keller, e grupit të partive ekologjike.

Me ndryshimin e marrëveshjes, sipas ekspertëve, europianëve të rinj si nxënësit e shkollave që e njohin Europën vetëm pa trarët e pikave kufitare, ndoshta do tu duhet të mësohen me një realitet tjetër./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›