E Diel, 1 Nëntor 2026

Çlirim Gjata: Këtë KQZ nuk e rregullon as Presidenti, as riformatimi

Share

Ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, shprehet se me këtë KQZ, është shumë e vështirë të mbahenzgjedhje normale.

“Problemi i KQZ-së nuk është çështje formule, por çështje sistemi. Për një moment po abstragojmë dhe po themi që u gjet formula e KQZ-së. Po për 5 mijë komisione dhe grupe numërimi në gjithë Shqipërinë, që janë thellësisht partiake dhe nuk pyesin për ligjin, por vetëm për urdhrat e kandidatëve, çfarë mund ti bëjë një KQZ e vetme me 7 anëtarë. Mendoj se duhet reformuar kjo armatë e madhe e administratës zgjedhore duke u kthyer tërësisht në shtetërore me një nëpunës të vetëm për çdo komision, nën një monitorim të rreptë të vëzhguesve partiakë, përgjegjës deri në penalitet të rëndë për çdo shkelje dhe më pas të flitet për KQZ-në“, thotë ai për Shekullin.

Sipas tij, “Që kur është krijuar KQZ-ja në vitin 2000 e deri më tani është kontestuar rregullisht, ose nga njëra ose nga tjetra palë. Atëherë nyja që nuk zgjidhet dot, pritet. Kështu, duhet ndërruar sistemi i organizimit dhe drejtimit administrativ të procesit. KQZ-ja të kthehet në një organ tërësisht administrativ që kryen vetëm organizimin e zgjedhjeve përgatit bazën materiale, ndërsa me ankimimet të merret vetëm gjykata e cila për rastin e zgjedhjeve kërkon  një reformë të veçantë e jo me si deri sot me një kolegj. Për sa i takon Presidentit, sikur ai të caktojë anëtarin e shtatë, njeriun më të ndershëm, të pavarur dhe të paanshëm, sapo ky i fundit të marrë një vendim, të votojë për një çështje, patjetër do të jetë kundër njërës palë, atëherë menjëherë do të kontestohet si i njëanshëm dhe bashkë me të e tërë KQZ-ja  e bashkë me të, i tërë procesi do të kundërshtohet dhe rezultati nuk do të njihet. Nuk e zgjidh këtë as anëtari i shtatë e as gjykatësi i shtatë; kemi të bëjmë me interesa të mëdha pushteti“.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›