E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Albpetrol’, Komis. i Ekonomisë miraton me votat e djathta privatizimin

TIRANE-Megjithë kundërshtimet e opozitës, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi sot pasdite vetëm me votat e mazhorancës privatizimin e kompanisë ‘Albpetrol. Opozita u shpreh kundër duke argumentuar se për kompaninë nuk duhet privatizimi, por më e përshtatshme do të ishte dhënia me koncension e kompanisë ‘Albpetrol'.
Debati mazhorancë-opozitë për draftin e paraqitur nga Ministria e Ekonomisë, përkatësisht zv/ministri Eno Bozdo zgjati për rreth 2 orë. Zv/ministri prezantoi draftin ku parashikohet privatizimi 100% i aseteve të kompanisë dhe që ky proces të kryhet nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar.
Drafti parashikon që të ardhurat nga privatizimi të shkojnë sipas nevojave që do të ketë buxheti i shtetit apo projekte investimi.

Anëtarët socialistë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë u shprehën se sektori ku bën pjesë ‘Albpetrol’ është tepër strategjitk, pasi i përket hidro-karbureve. Ata theksuan se më mirë do të ishte që kjo kompani të jepej me koncension dhe të shfrytëzohej në këtë mënyrë. Një tjetër shqetësim i socialistëve ishte dhe fakti se sipas tyre pritet që nga privatizimi do të ketë shkurtime në masë nga puna e punonjësve të ‘Albpetrol’.
Më pas u debatuan dhe pikat, sidomos administrimi i të ardhurave që do të përfitohen nga privatizimi.

Megjithë kundërshtimet, mazhoranca miratoi draftin e paraqitur nga Ministria e Ekonomisë që parashikon privatizimin 100% të kompanisë ‘Albpetrol’.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›