Shkodra me një muze për krimet e komunizmit
13/12/2011 Do të ngrihet në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë
Godina tek ish dega e brendshme, aty ku u kryen mizoritë më të mëdha
SHKODER- Qyteti i Shkodrës do të ketë në 100-vjetorin e festës së Pavarësisë Muzeun e krimeve të komunizmit, të vetmin në llojin e tij në të gjithë vendin tonë. Ky fakt bëhet i ditur nga shefja e Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë e Shkodrës, Aida Shllaku, e cila thekson se tashmë kanë hyrë në fazën e fundit punimet për ndërtimin e këtij muzeu tepër të rëndësishëm jo vetëm për Shkodrën, por dhe të gjithë Shqipërinë. Shllaku sqaron se ndërtimi i muzeut të krimeve të komunizmit po bëhet me fondet e Bashkisë së Shkodrës dhe të qeverisë shqiptare. Për ndërtimin e muzeut të krimeve të komunizmit në Shkodër, Ministria e Kulturës, Turizmit ka vënë në dispozicion shumën prej 57 milionë lekëve. Ky muze po ndërtohet në objektin që në vitet e demokracisë i është kthyer pronarëve dhe konkretisht Provincës së Françeskaneve, por që gjatë periudhës së diktaturës njihej si Dega e Punëve të Brendshme të Shkodrës, ku dhe ndodhej burgu më famëkeq i sigurimit në këtë qytet. Sipas Shllakut, projekti i muzeut në fjalë po zbatohet pikërisht në këtë objekt që ndodhet në qendër të qytetit dhe tepër domethënës për të sjellë në kujtesë dhe mos harruar kurrë torturat që u janë bërë nga diktatura komuniste intelektualëve dhe mjaft personave të tjerë që nuk pajtoheshin me atë sistem makabër. Në muret e kësaj ndërtese gjenden akoma dhe shenja të mbetura nga torturat që janë bërë në qelitë e burg të ish- Degës së Punëve të Brendshme, ku ndodhej dhe hetuesia e asaj kohe. Duke u ndalur tek ndërtimi i muzeut të krimeve të komunizmit, shefja e urbanistikës së Bashkisë së Shkodrës, Aida Shllaku, sqaron se projekti ka parashikuar restaurimin e katit të parë të ndërtesës dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme. Në katin e dytë është parashikuar hapja muzeut me objektet e personave që kanë vuajtur apo kanë humbur jetën në torturat e sigurimit të shtetit. Ndërkohë pronarët e ndërtesës kanë ruajtur ashtu siç kanë qenë ambientet e ish-burgut dhe zyrave të sigurimit që ndodhen në të majtë të ndërtesës. Për sa i takon ndërhyrjeve që janë parashikuar nga projekti, ato janë bërë të gjitha në funksion të koncept-idesë për një muze të krimeve të komunizmit. Prangat, apo mjete të tjera që kanë shërbyer për të torturuar njerëzit, janë përdorur si elemente për të realizuar kalimin nga një ambient në tjetrin. Një kujdes i veçantë është treguar për ruajtjen e të gjitha shënimeve të bëra në mur nga të burgosurit politik në burgun e ish-Degës së Brendshme. Në Shkodër numëroheshin 13 burgje, ku më famëkeqi ishte burgu ish-degës së brendshme. Në zonën e Shkodrës janë pushkatuar nga regjimi komunist 601 shtetas, 136 të tjerë kanë vdekur nëpër burgje, ndërkohë që kanë qenë 2846 të burgosur politikë dhe 1924 të internuar politikë. V. Abdyli