E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Meta-Prifti’ kryefjalë në parlament

TIRANE-Video-përgjimi Meta-Prifti, pritet të jetë kryefjala e diskutimeve në seancën plenare të datës 17 janar, e para për këtë vit. Burime zyrtare nga Partia Socialiste konfirmuan dje për “Gazeta Shqiptare” se deputetët e opozitës do t’i orientojnë fjalimet e tyre gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës pikërisht në domosdoshmërinë e largimit të qeverisë Berisha dhe zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, pikërisht tani që sipas tyre video-përgjimi Meta-Prifti faktoi zhvillimin e aferave korruptive në nivelet më të larta të qeverisë. Ndërkohë, referuar rendit të ditës së të parës seancë për këtë sesion parlamentar, katër janë çështjet që do të shqyrtohen e kalojnë për miratim, konkretisht “miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 23 dhe datë 27.12.2010; njoftim për miratimin me konsensus nga konferenca e kryetarëve të programit të punës së Kuvendit për periudhën 17 janar - 17 mars 2011; njoftim për miratimin me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve të kalendarit tre javor (17 janar - 3 shkurt 2011) të punimeve të Kuvendit; Akt Normativ nr. 6, datë 22.12.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10190, datë 26.11.2010 “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar’”.
Akti Normativ
Akti normativ nr. 6, datë 22.12.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 190, datë 26.11.2009 “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar” parashikon që buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve për vitin 2010 është gjithsej 1 750 milionë lekë. Nga të cilat, të ardhura të tjera 1 400 milionë lekë; transferimet nga Buxheti i Shtetit 350 milionë lekë dhe shpenzimet 1 750 milionë lekë. Ndryshimet bëhen dhe në shpenzimet e buxhetit të shtetit. Ndërkohë që në nenin 2 shtohet dhe paragrafi me këtë përmbajtje “Gjendja e mjeteve monetare, që do të rezultojë në fund të vitit buxhetor në llogarinë unike të thesarit, si rezultat i mosrealizimit të shpenzimeve ose tejkalimit të të ardhurave, të transferohet në llogarinë e shpronësimeve për interesa publike”. Është ngarkuar ministria e Financave, për nxjerrjen e udhëzimeve të mëtejshme për zbatimin e këtij akti, i cili hyn në fuqi menjëherë. Ky akt normativ është kontestuar nga opozita. Kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, në Konferencën e Kryetarëve është shprehur kundër paraqitjes së këtyre ndryshimeve në formën e aktit normativ ndërkohë që kundërshtoi dhe propozimin e maxhorancës për ta votuar atë më 17 janar.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›