"Çmendet" Çelsi, 53 milionë euro për Agueron
Pasi ka humbur Kakanë, tashmë objektivi i Çelsit quhet Serxhio Aguero, për të cilin klubi londinez është i gatshëm të shpenzojë gati 53 milionë euro. Por sipas "Daily Mail", "Blues"-at kanë mbetur të çuditur nga kërkesat e çmendura të 21-vjeçarit argjentinas të Atletikos së Madridit, i cili do të pranonte të transferohej në "Stamford Bridge" vetëm për një rrogë prej 7.5 milionë eurosh në vit pa taksa, baras me 255 000 euro në javë. Një shpenzim vjetor prej 13 milionësh për Çelsin: një shifër e gjykuar si e papërtypshme për klubin, edhe pse përballë kemi atë që konsiderohet "Maradona i ri". Për më tepër, Aguero ka edhe një lidhje personale me legjendën e futbollit argjentinas, ngaqë është i fejuari i të bijës së "El Pibe de Oro", Xhanina, dhe është babai i të voglit Benjamin Aguero Maradona. Në raste se tentativa për të marrë fenomenin argjentinas do të dështojë (edhe pse sipas "Daily Star" duket e mundur arritja e marrëveshjes brenda 10 ditëve të ardhshme), "Blues" kanë individualizuar tashmë alternativën: bëhet fjalë për Frenk Riberi, i cili kërkohet nga Reali i Madridit i Florentino Perez, që pasi ka siguruar Kakanë dhe më pas edhe Devid Vijën te Valencia për 38 milionë euro, tashmë ka vënë në shënjestër Kristiano Ronaldon.