E Diel, 1 Nëntor 2026

Liu Xiaobo, një Nobel paqeje… në burg

Ne kryeqytetin e Norvegjise, Oslo, nderohet ne mungese me çmimin “Nobel” te paqes aktivisti kinez per te drejtat e njeriut, Liu Xiaobo

Në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, u nderua në mungesë me çmimin “Nobel” të paqes aktivisti kinez për të drejtat e njeriut, Liu Xiaobo. Mungesa e 54-vjeçarit u simbolizua në ceremoni me një karrige bosh, pasi autoritetet kineze penguan ardhjen edhe të bashkëshortes së tij Lia Xia dhe të afërmve. Shefi i Komitetit Nobel, Thorbjörn Jagland, me këtë rast deklaroi:

"Na vjen keq që laureati nuk është i pranishëm këtu sot. Ai është në izolim në një burg në verilindje të Kinës. Me ne këtu nuk janë as gruaja e tij Lia Xia apo të afërmit e tij. Vetë ky fakt dëshmon se dhënia e këtij çmimi ishte i nevojshëm dhe i rëndësishëm”.

Shefi i Komitetit uroi disidentin kinez për veprën e tij të deritanishme. "Ne i urojmë Liu Xiaobos fitimin e çmimit “Nobel” për paqen për vitin 2010. Pikëpamjet e tij do të ndikojnë në forcimin e Kinës. Atij dhe Kinës i dërgojmë urimet më të mira për vitet e ardhshme", - theksoi Jagland.

Në ceremoni u lexua edhe një mesazh i bartësit të çmimit “Nobel” për paqe Liu Xiaobo i cili thotë se ai nuk ka gabuar, por vetëm angazhohet për të drejtat e njeriut. Është kjo hera e parë që prej periudhës naziste që çmimi nuk merret personalisht nga laureati dhe as nga të afërmit e tij. Qeveria komuniste në Pekin e konsideron Liun kriminel dhe ka nisur një fushatë kundër nderimit të tij me çmimin “Nobel”. Si bashkautor i manifestit demokratik "Charta 08", Liu numërohet ndër disidentët më të njohur në Kinë.

Kina shton trysninë ndaj disidentëve

Para dhënies së çmimit “Nobel” të paqes aktivistit të burgosur Liu Xiaobo autoritetet në Kinë kanë shtuar presionin ndaj disidentëve. Siç njoftoi grupi për të drejtat e njeriut "Chinese Human Rights Defenders" - CHRD, një bashkëpunëtor i ngushtë i Liut dhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut u morën nga sigurimi i shtetit. Në të njëjtën kohë u pengua edhe transmetimi i televizioneve të huaja si CNN dhe BBC në Republikën Popullore të Kinës.

Serbia ndryshon qëndrim pas trysnisë nga BE-ja dhe aktivistët

Pas një kritike të ashpër nga ana e BE-së dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, Serbia e ka tërhequr vendimin për të bojkotuar ceremoninë e dhënies së çmimit “Nobel” në Oslo. Qeveria deklaroi këtë të premte se do të dërgojë në ceremoni ombudspersonin Sasha Jankoviç. Ky hap ndodh si "reagim ndaj pritjeve" të opinionit publik serb. Më parë Serbia kishte deklaruar se do ta refuzonte ftesën për pjesëmarrje në ceremoninë e dhënies të çmimit “Nobel” për disidentin kinez Liu Xiaobo, për të mos rrezikuar marrëdhëniet e mira me Kinën. Zyrtarët e BE-së kritikuan vendimin dhe shprehën tronditjen, që Serbia si kandidat për pranim në BE, do t'i nënshtrohej kërkesave të Pekinit. 17 vende të tjera, ndër ta Rusia dhe Pakistani, deklaruan se do të bojkotojnë ceremoninë.

Regjimi kinez e vlerëson Xiaobon si faktor pasigurie

Si mund të jetë kaq “i rrezikshëm” një intelektual në Kinë? Liu Xiaobo kishte përpiluar në vitin 2008 me disa intelektualë të tjerë kinezë dhe aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të ashtuquajturën "Karta 08" e cila është një manifest për modernizimin politik të Kinës. Në të kërkohet ndarje pushtetesh, liri mendimi dhe konkurrencë e lirë e partive politike. Pushtetmbajtësit e Kinës e shohin "Kartën 08" si një provokim, sqaron gazetari i Hong Kongut dhe ekspert i shquar i Kinës, Willy Lam. Pekini sheh në Liu Xiaobon një faktor pasigurie i cili kërcënon stabilitetin e vendit. Prandaj shkalla e dënimit ishte kaq e lartë:

"Dënimi i Liu Xiaobos me 11 vjet burg duhet të ketë qenë një vendim unanim i Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës. Ndarja e çmimit “Nobel” për paqe për Liu Xaiobon është për Pekinin një komplot i perëndimit. Pekini e konsideron këtë si një strategji për përmbysjen e autoriteteve shtetërore në Kinë".

Kina hedh poshtë si të pabaza akuzat e bashkësisë ndërkombëtare

Qeveria kineze injoron çdo apel të bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e laureatit të sivjetmë të çmimit “Nobel” për paqe. Gruaja e tij Liu Xia ndodhet ende në arrest shtëpiak. Ma Zhaoxu, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Kineze, hedh poshtë si të pabaza të gjitha akuzat:

"Ndarja e çmimit “Nobel” për paqe një të burgosuri të dënuar tregon mungesën e respektit të Komitetit të Çmimit Nobel ndaj drejtësisë kineze”.

Udhëheqja kineze mbetet kokëfortë dhe aktualisht nuk i shmanget konfrontimeve, sepse ekonomia e Kinës po lulëzon dhe kjo i jep asaj siguri. Pavarësisht krizës së fundit globale financiare vendi është forcuar duke u bërë ekonomia e dytë kombëtare në botë. Sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar prodhimi vendor brutot i Kinës për kokë banori ka qenë këtë vit mbi 4000 dollarë amerikanë. Ka vite që jo pak njerëz në perëndim besojnë që zhvillimi i shpejtë ekonomik në Kinë do të ndikojë edhe në hapjen politike dhe në reformat në vend. Megjithatë, eksperti i Kinës Willy Lam i vlerëson këto pritje si jorealiste:

"Ruajtja e stabilitetit ka prioritetin më të lartë. Kështu kishte vendosur qysh në vitin 1989 ish-kryetari i Partisë Komuniste të Kinës, Deng Xiapoping, i cili bënte pjesë në gjeneratën e parë të udhëheqjes kineze të epokës së reformave. Sot 20 vjet më vonë gjenerata e katërt udhëheqëse qëndron pas këtij vendimi se një ndryshim i plotë nuk është i nevojshëm përderisa vazhdon zhvillimi i ekonomisë së vendit dhe funksionon aparati shtetëror”.

Përmes instituteve Konfuci provohet të ndryshohet imazhi jashtë vendit

Nga njëra anë Pekini nuk dëshiron të rrezikoj stabilitetin e vendit. Por nga ana tjetër, vendi nuk dëshiron që për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut të mbetet në thumb të kritikave të bashkësisë ndërkombëtare. Pushtetmbajtësit kinezë ka vite që përmes projekteve të ndryshme provojnë të ndryshojnë imazhin jashtë vendit dhe të ndikojnë në opinionin publik. Simbol për këtë është themelimi gjatë viteve të kaluara i mbi 250 instituteve Konfuci në 80 vende të ndryshme të botës. Për projekte kulturore dhe mediatike, për botimin e një gazete të re në gjuhën angleze dhe për kanale televizive në gjuhën angleze që transmetojnë 24 orë në ditë Kina ka vënë në dispozicion një buxhet të posaçëm prej 4,5 miliardë euro.

Megjithatë për aq kohë sa Kina nuk lejon shprehjen e lirë të mendimit dhe fut në burg ithtarët e demokracisë si Liu Xiaobon të gjitha përpjekjet për përmirësimin e imazhit jashtë vendit shkojnë huq, thekson politologu Andrew James Nathan nga Universiteti Columbia:

"Shumica do të pyesin përse Kina nuk mund të pranojë Çmimin Nobel për Paqë? Bile qeveria në Pekin i ndalon gruas së Liu-s që të japë intervista për mediet vendore apo të huaja. Shumë do të jenë të mendimit se fuqia e butë kineze (Soft Power) nuk do të forcohet nga veprime të tilla, përkundrazi”.

Bojkoti

Së bashku me Kinën larg ceremonisë edhe Rusia, Kazakistani, Kolumbia, Venezuela, Kuba, Tunizia, Maroku, Egjipti, Sudani, Arabia Saudite, Iraku, Irani, Afganistani, Pakistani, Sri Lanka, Vietnami, Filipinet.

65 shtete janë të përfaqësuara me ambasada në kryeqytetin norvegjez, Oslo. Në lidhje me ceremoninë e dorëzimit të çmimit “Nobel” kanë marrë dy herë postë: një herë ftesën zyrtare të komitetit norvegjez të çmimit Nobel dhe një herë tjetër një letër të ambasadës kineze me kërkesën, që të qëndronin larg kësaj ceremonie. Geir Lundestad, drejtori i Institutit Nobel, konstaton:

"Ne konstatojmë se kinezët këtë vit janë angazhuar shumë. Ata kërkonin, që sa më pak vende ta pranonin ftesën. Tani do ta shohim, se kush nuk vjen për arsye politike dhe kush për arsye të tjera”.

Arsyet e bojkotit janë edhe ekonomike

Një vend (Algjeria) nuk është përgjigjur. 46 vende kanë pranuar. Por gjithsesi 18 shtete nuk do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në ceremoninë në Oslo. Për shumë shtete fjala është për interesa ekonomike, por ka prej tyre që ashtu si edhe Pekini kanë antipati për angazhimin e Perëndimit për të drejtat e njeriut. Janë një serë vendesh nga të gjitha anët e globit. Ndër to janë gjashtë shtete të botës arabe. Rainer Sollich, drejtues i programit arab të Deutsche Welles.

„Këto janë të gjitha shtete, që kanë vetë disa probleme në sferën e të drejtave të njeriut dhe që veprojnë sipas motos: as ne nuk do të dëshironim që Kina të vinte në ceremoni, ku të nderohej dikush, të cilin ne e konsiderojmë kundërshtar të regjimit tonë. Gjithashtu është edhe ana ekonomike: Kina është bërë një faktor shumë i rëndësishëm në këtë rajon. Për shembull në Irak Kina është investuesja më e madhe në industrinë e naftës dhe gazit”.

Edhe Rusia e ka refuzuar ftesën e komitetit “Nobel” të Oslos. Mbrojtësi i të drejtave të njeriut Sergej Lukaschewskij drejton muzeun Andrej-Sacharo në Moskë. Ai ka këtë shpjegim.

"Rusia dhe Kina janë anëtarë të organizatës së bashkëpunimit Shangai. Një prej synimeve të saj është luftimi i të ashtuquajturit ekstremizëm. Në të vërtetë kjo do të thotë, që vendet të mbështesin njëri-tjetrin, kur bëhet fjalë për luftimin e grupimeve të padëshirueshme politike”.

Ndahen edhe çmimet e tjera Nobel

Në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, u dhanë dje gjithsej nëntë shkencëtarëve çmimet “Nobel” për mjekësi, fizikë, kimi dhe ekonomi. Përveç kësaj shkrimtari i lindur në Peru Mario Vargas Losa merr çmimin “Nobel” të letërsisë. Çmimet “Nobel” shoqërohen me rreth 1,1 milionë euro. Ata jepen që prej vitit 1901 me 10 dhjetor, ditën e vdekjes së themeluesit të fondacionit Alfred Nobel.

Një shans për lëvizjen demokratike në Kinë

Adrienne Woltersdorf, DW

Çmimi “Nobel” për paqe është rregullisht ndër më të diskutueshmit. Zhurma e madhe për çmimin është kështu pjesë e ceremonisë së dhjetorit në Oslo, ashtu si shqetësimet për ata, të cilët nderohen. Kjo për faktin se personalitetet, të cilat në konflikte të vështira dhe rrethana dramatike angazhohen për paqe dhe mirëkuptim, zakonisht kanë më shumë armiq se sa miq.

Kur Komiteti i Çmimit Nobel vendosi më 8 tetor në Oslo që çmimin e sivjetshëm “Nobel” për paqe t'ia akordojë profesorit të letërsisë dhe veprimtarit të burgosur kinez Liu Xiaobo, ai komentoi kështu fuqishëm edhe ndryshimin e forcave globale. Kështu duhet të komentohet përzgjedhja e Komitetit. Një fuqi në rritje si Kina, duhet të respektojë në të mirën e krejt botës të drejtat e njeriut. Ky ishte mesazhi i Oslos. 

Ishte kjo një shuplakë e rëndë për pushtetmbajtësit kinezë. Ata janë përgjigjur në mënyrën adekuate, duke shtypur në vendin e tyre diskutimin për laureatin e parë kinez të çmimit “Nobel”, fillimisht aq të dëshiruar dhe tani të urryer. Përveç kësaj u morën masa frikësuese, parandaluese apo vendosja e menjëhershme nën arrest shtëpiak, kundër disa veprimtarëve, në mesin e tyre edhe gruaja e Liu-s, Liu Xia. Reagimet e ashpra nga Pekini tregojnë se juria norvegjeze ka arritur të prekë nervin e regjimit.

Megjithatë është qesharake, që kritikët besnikë të regjimit akuzojnë Komitetin në Oslo, se përmes vendimit të tij synon që në mënyrë provokative dhe qëllimkeqe, të pengojë Kinën në rritjen e saj. Përkundrazi. Ka kohë, që vetë në Pekin kuadrot e vjetër të epokës së Mao-s, kërkojnë zëshëm më shumë liri për shprehjen e mendimit. Shembulli i fundit është një letër e hapur, që një grup i ish-kuadrove komuniste me ndikim, i dërgoi udhëheqjes së re partiake. Një shoqëri që ndryshon me kaq shpejtësi, ka nevojë për më shumë hapësirë për kritika në mënyrë, që në të ardhmen të merren vendime më të zgjuara, ishte argumenti i tyre. Zërave të tillë çmimi “Nobel” për paqe mund t'iu shërbejë si një inkurajim dhe mbështetje simbolike. Kjo për faktin se vetëm kinezët mund të vendosin vetë, se si duhet të zhvillohet më tej Kina. Kështu çmimi “Nobel” i paqes në të njëjtën kohë është për Liu-n një mundësi e papërsëritshme për lëvizjen demokratike kineze, tërësisht të përçarë dhe të margjinalizuar në masë të madhe.

Oslo mund të jetë pikënisje për një lëvizje të re. Por derisa të ndodhë kjo, veprimtarët kinezë, si në Kinë ashtu edhe jashtë saj, duhet të dëshmojnë se janë në gjendje, që në shërbim të çështjes të mbajnë nën kontroll egon e tyre pjesërisht të flaktë. Pushtetmbajtësit në Pekin do të bëjnë krejt çka është e mundur që veprimtarët e demokracisë të mbeten të parëndësishëm. Që ata janë në gjendje ta bëjnë këtë, e kanë dëshmuar mjaft gjatë javëve të kaluara. 

Veprimtarët për të drejtat e njeriut në Kinë me Liu Xiaobonë, fitojnë një figurë identifikimi të njohur ndërkombëtarisht. Ata kanë një manifest të mençur "Karta 08", i cili po ashtu është përpiluar nga Liu Xiaobo. Ata kanë një audiencë dashamirëse mbarëbotërore dhe mundësitë, që ofron interneti. Ajo çfarë mungon është fatkeqësisht lëvizja që i bashkon të gjithë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›