Arrestohet i superkërkuari Astrit Bushi

Mbi 32-vjeçarin rezulton nje kerkese per ekstradim nga autoritetet spanjolle, per vjedhje me dhune, si dhe nje kerkese tjeter per ekstradim vjen nga Italia per vepren penale te “Pjesemarrjes ne organizata kriminale, me qellim importimin e sasive te medha te droges”
Kanë qenë forcat speciale RENEA, të cilat në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Lezhës, kanë organizuar një operacion të koduar “Arbusto 2”, nga i cili u bë i mundur arrestimi i Astrit Bushit, 32 vjeç, banues në Laç. Ai ka qenë i cilësuar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë. Por kapja e tij nuk ka qenë e lehtë, pasi ai ka kundërshtuar me dhunë arrestimin, duke vënë në rrezik edhe jetën e disa punonjësve të policisë. Gjatë aksionit të policisë për ndalimin e tij, ai ka goditur me mjetin e tij, Mercedes-Benz, S 350, me targë TR 0544 T, dy automjetet e forcave RENEA, duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e efektivave të policisë.
Ndalimi i Bushit ka ardhur pasi akuzohet për një sërë krimesh të rënda, ndër të cilat është edhe vrasja e një punonjësi policie ndodhur në qytetin e Laçit. Sipas policisë, ndaj tij po vazhdojnë hetimet për të bërë zbulimin të mëtejshëm të aktiviteteve kriminale të tij. Në momentin e arrestimit të 32-vjeçarit, i është gjetur dhe bllokuar një armë zjarri pistoletë, tip “Bereta” me një krehër me 15 fishekë. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në qytetin e Laçit, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme fishekësh. Por në kërkim të Bushit nuk është vënë vetëm policia shqiptare, por mbi të rëndojnë akuza të rënda edhe nga dy shtete të BE-së.
Në lidhje me 32-vjeçarin, është në proces një kërkesë për ekstradim nga autoritetet spanjolle, për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”, si dhe një kërkesë tjetër për ekstradim nga autoritetet italiane për veprën penale të “Pjesëmarrjes në organizata kriminale, me qëllim importimin e sasive të mëdha të drogë”. Materialet procedurale në ngarkim të Astrit Bushi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme prokurorisë së rrethit të Kurbinit, ndërkohë pritet që të shqyrtohen edhe kërkesat për ekstradim që kanë bërë autoritetet italiane e ato spanjolle.
Historia e Astrit Bushit dhe skandali në Spanjë
Astrit Bushi, i akuzuar për 30 grabitje me dhunë të vilave, lirohet nga burgu për një gabim teknik. Laçjani që nëpërkëmbi drejtësinë në Spanjë. “Kush vjen të vjedhë në Spanjë, përfundon në burg”. Kjo deklaratë e ministrit të Brendshëm spanjoll, në nëntor 2008, është bërë objekt talljesh nga media spanjolle. Dhe arsyeja e kësaj çështjeje që ka pushtuar prej ditësh ekranet dhe faqet e gazetave, ka për protagonist një keqbërës shqiptar, Astrit Bushi, i cili akuzohet për mbi 30 grabitje vilash në Spanjë dhe drejtësia spanjolle e la të lirë. “Ka qenë një gabim i drejtësisë”, - janë shprehur titullarë të ndryshëm të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe funksionarë të lartë të policisë. Me gjithë dijeninë për aktivitetin keqbërës të Bushit dhe grupit të tij, si dhe provat që kishin në dispozicion, shqiptari me pasaportë lituaneze (për të cilën dyshohet se është false), është lënë i lirë nga organet penitenciare. Ky rast, i cili është cilësuar si dështim i sistemit, ka bërë që në Spanjë të hapet një debat i gjerë dhe për vendosjen në një komandë të vetme të policisë dhe Gardës Civile, të cilat me gjithë informacionet që kanë dispozicion, nuk janë bashkëpunuese me njëra-tjetrën.
Rasti Moreno: Çështja më e bujshme e bandës së grabitësve shqiptarë ka qenë ajo ndaj Jose Luis Moreno, artist dhe producent shumë i njohur në Spanjë, i cili është grabitur në vilën e tij në prani të miqve. Keqbërësit, me kapuç në kokë, pasi Moreno nuk ka pranuar të hapë kasafortën e tij, e kanë goditur me hanxhar në kokë. Prej vilës kanë dalë me 300 mijë euro kartëmonedha të grabitura, si dhe bizhuteri me një vlerë prej 200 mijë eurosh. Kjo grabitje, e ndodhur në dhjetor 2007, pati shumë bujë në Spanjë, për vetë faktin se viktima është artist dhe personalitet i njohur. Madje, edhe deklarata e famshme e ministrit spanjoll se “kush vjen për të vjedhur në Spanjë, përfundon në burg”, është bërë në prani të Morenos, në nëntor të 2008-s, kur ky i fundit ka dalë nga spitali. Por askujt nuk mund t’i shkonte ndërmend se pikërisht ai që kish grabitur dhe sulmuar producentin Moreno, do të lirohej nga burgu për faj të vetë drejtësisë spanjolle.
Kush është Astrit Bushi? Sipas mediave spanjolle, që u referohen organeve të policisë vendase, shqiptari Bushi, i lindur në Laç dhe me pasaportë lituaneze, konsiderohet i rrezikshëm dhe mbi të rëndojnë akuzat mbi 30 raste grabitjesh vilash në periferi të Madridit, por edhe në Barcelonë, Alicante, Malag dhe Cadiz. Pas sulmit në vilën e Morenos, në të cilën nuk lanë ndonjë gjurmë, Garda Civile nisi hetimin e çështjes. Po kështu, policia e ndiqte Bushin për aktivitetin e tij, por pa i shkuar ndër mend se mund të ish ai dhe grupi i tij autorët në grabitjen “Moreno”. Më 7 janar, policia arrin të kapë “në flagrancë” në Morelaja, Bushin dhe një tjetër person gjatë një grabitjeje. Kishte një pistoletë me vete, ngiste një makinë të vjedhur dhe kish dokumente false. Megjithatë, gjyqtari e dënon me 25 ditë burg dhe më pas lirohet. Vetëm pasi Bushi lë qelinë, konfrontohen të dhënat e policisë dhe të Gardës Civile, nga të cilat rezultonte se shqiptari ishte dhe autor i grabitjes dhe dhunimit të artistit Jose Luis Moreno.
Ambasada shqiptare dhe ekstradimi: Pas këtij rasti flagrant, media e bën të sajën këtë çështje dhe del në pah se Bushi ishte në hetim prej kohësh për grabitje, si dhe përfshirje në trafikun e drogës. Ndaj tyre ishte marrë dhe vendim i gjykatës për përgjimin e telefonave, por ajo çfarë ishte më surprizuese, ishte fakti se Bushin e kërkonte dhe Interpoli për një vrasje në Laç, për trafik droge, armëmbajtje pa leje (sipas informacioneve, në Laç është vrarë dhe vëllai i Bushit). Ekstradimi i tij është kërkuar që në vitin 2004, por sipas shtypit spanjoll, kjo nuk realizuar për shkaqe të paqarta. Madje dhe në nëntor të vitit të kaluar, Seksioni i Tretë i Gjyqit Nacional, e liroi duke shtuar se nuk kish marrë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradim. Ambasada shqiptare në Madrid, e pyetur nga shtypi, siguron se e ka përcjellë dokumentacionin përkatës, dhe kjo ka ngritur dyshime se Bushi mund të ketë paguar gjatë procedurës së dorëzimit të kërkesës për ekstradim, në mënyrë që të mos mbërrinte në destinacion. Pas lirimit të Bushit, tashmë kur kjo çështje ka bërë bujë, organet e ruajtjes së rendit thonë se, “tashmë është e vështirë ta rikthejmë në burg Astrit Bushin, pasi mendohet se ai është larguar nga Spanja”.
Kush është Jose Luis Moreno: Viktima e Astrit Bushit, artisti Luis Moreno, është një figurë popullore në Spanjë. Ka organizuar ndër vite spektakle në rrjetet televizive të vendit Si TVE, Antena # apo Telecinco, por ka pasur sukses edhe në Itali në RAI. Në vitet e tij si prezantues dhe drejtor i spektakleve, ka sjellë në skenën spanjolle shumë yje pop dhe rok. Gjithashtu, mbahet mend se në spektaklin e tij, Cicciolina, popstarja dhe më vonë deputete në Parlamentin italian, bëri një zhveshje integrale në skenë.