Çmim për Flakën

Ditë më parë në qytetin e Frankfurtit u dha një çmim i rëndësishëm për një artiste nga Kosova. Ajo quhet Flaka Haliti. Haliti tash e një vjet është studente e Staedelschule Frankfurt am Main. Bëhet fjalë për çmimin "Agribusiness & Banking" i ndarë nga Rentenbank dhe Staedelschule Frankfurt am Main.
“Konkurrimi ka qenë i hapur për gjithë studentët e Staedelschule, duke filluar prej atyre qe sapo i kanë filluar studimet e deri tek ata që janë afër diplomimit”, shpjegon Flaka për Express.
Edhe pse ka konkurruar, ajo thotë se nuk ka pretenduar që do të dalë e para po ja që “me të thënë të drejtën s’kam pretenduar për çmim të parë "to good to be true", po ja që ndodhi”, shprehet Flaka.
Për Flakën çdo çmim që jepet, ka për qëllim të jetë si një shtytje përpara e cila ndikon pozitivisht në karrierën e artistit duke u parë si një investim në diçka që premton.
“Juria ka qenë bajagi profesionale me njerëz të cilët kanë ndikim të madh në skenë të artit bashkëkohor. Përpos të hollave të cilat i kanë takuar çmimit të parë, rëndësia tjetër kryesore është kush janë njerëzit të cilët qëndrojnë mbrapa çmimit edhe vendosin punën tënde ta vlerësojnë si ma të mirën”, tregon Flaka. E njëri prej tyre ishte edhe Daniel Birnbaum, kurator i Bienales së Venecias 2009.
Sa është aktive Flaka me punë në Gjermani?
“Me qenë në Staedelschule nënkupton automatikisht me pas qasje dhe me qenë aktiv në shumë ngjarje të artit jo vetëm në Gjermani po edhe jashtë saj! Presioni më i madh për me punu zakonisht nuk vjen prej profesorëve por vjen prej vet studentëve ndërmjet vete. Kështu që për me i ra shkurt, mund të them se çdo muaj ndodh një deri në dy projekte të jem e involvuar dhe me punu në to”, shprehet Flaka.
Haliti nuk ka qenë e koncentruar në një medium specifik të artit duke qenë e hapur në disa fusha.
“Kom qenë e hapur gjithmonë ndaj çfarëdo mediumi i cili më është dashur apo përshtatur për momentin. Eksperienca në Staedel nuk ka bo që kjo me ndryshu, së paku jo ende, ndërsa në të ardhmen nuk e di”, thotë Flaka. Por sipas saj shkolla ka ndikuar në definimin e praktikës dhe realizmit të një pune të caktuar.
“Kjo është bajagi produktive për mu, me qene se ndihmon me kuptu mënyrën tënde të funksionimit në kahjen të cilën ti pretendon me u formësu si artist”, tha Flaka.
Çmimet
Vendi i parë- Flaka Haliti (Kosovë), titulli i punës "Now You Are So Well"
Vendi i dytë- Oliver Heinzensberger (Germany), titulli i punes "Corcovado - Jesus Ohne Stativ"
Vendi i tretë- Hannes Michanek (Suedi), titulli i punës "View With a Room".
Fjalimi është përcjell nga: Hans Bernhardt - anëtar i bordit nga Rentennak. Daniel Birnbaum- drejtori i Staedelschule Frankfurt main, njëkohësisht kurator i Bienales së Venecias 2009, Judith Hopf artist dhe profesoreshë në Staedelschule Frankfurt am Main.