Çmimet e favorshme dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, kanë tërhequr vëmendjen e qeverisë maqedonase

Maqedonia kërkon Durrësin për dalje në Det, shmangen Turqia dhe Greqia
Shqipëria konsiderohet si një nga vendet strategjike në rajon, për shkak të pozitës së saj dalëse në det, konfirmohet si nyjë lidhëse mes lindjes dhe perëndimit. Vendi fqinj Maqedonia, ka shprehur interes të veçantë për një dalje të mundshme në Portin e Durrësi të tregtimit import eksport të të gjitha produkteve të kompanive që operojnë në të gjithë vendin. Kjo është konfirmuar nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, i cili ka deklaruar se pozita e favorshme, çmimet e lira dhe konkurruese kanë bërë që Qeveria e Maqedonisë, të mendojë seriozisht për formimin e flotës detare në Portin e Durrësit. Maqedonia ka qenë në ndjekje të shqyrtimit të një prej varianteve më të mira për të realizuar këtë dhe në fund janë eliminuar nga lista e prioritetit Turqia dhe Greqia. Për këtë çështje është ngritur edhe një komision ndërqeveritar, i cili edhe ka vendosur se Shqipëria është vendi me pozitën më të favorshme gjeografike, ka çmimet më të lira në rajon dhe mbi të gjitha dalja në det. Veçanërisht çmimet e volitshme që ofron, e bëjnë portin e Durrësit më atraktivin në rajon, duke lënë pas Stambollin dhe Selanikun.
“Qeveria e Maqedonisë ka vendosur si prioritet të saj, shqyrtimin e portit të Durrësit, i cili realisht është më i afërt dhe ën anën tjetër, kostoja për realizimin e qëllimeve të portit, në krahasim me Stambollin dhe Selanikun është me çmime relativisht të pranueshme për kushtet tona”- u shpreh ministri i Ekonomisë së Maqedonisë.
Realisht, burime pranë qeverisë së vendit fqinj bëjnë të ditur se perspektiva është në anën e portit të Durrësit, nisur nga infrastruktura e përmirësuar rrugore ku Korridori XVIII dhe Rruga e Arbërit, pritet ta kthejnë vendin tonë në listën e vendeve me pozitën më të favorshme gjeografike. Përmes këtyre projekteve shkurtohet ndjeshëm distanca mes Shkupit dhe Durrësit, e cila mund të shfrytëzohet me kapacitet të plotë edhe për mjetet e rënda.
“Po ecim drejt këtij plani për arsye se nëse marrim parasysh projektin e Korridorit XVIII, i cili mbetet një nga projektet më të rëndësishme të rajonit, shkëmbimet dhe tregtimi, do marrë një prioritet të veçantë”- u shpreh më tej, ministri i ekonomisë së Maqedonisë.
Qeveria e Maqedonisë ka vendosur që flota të vendoset në portin e Durrësit do të jetë përmes një partneriteti publik dhe privat. Në fillim nuk do të ketë më shumë se 10 anije, kurse në rast nevojë numri i anijeve do të shtohet.
Pas Kosovës, Maqedonia bëhet shteti i dytë në rajon që shfat interes për portet shqiptare, të cilat për momentin mbeten mbizotëruese në rajonin e Ballkanit, ndonëse perspektiva është drejt fitimit të një pozicioni më strategjik.