Vështirësitë financiare mbyllin gazetën “Tema”. Financat: Detyrime pa paguar
Një prej gazetave të përditshme në treg prej 11 vjetësh, gazeta “Tema”, njoftoi se nuk do të dalë më në treg. Botuesi i saj, Mero Baze, lajmëroi mbylljen e saj në editorialin e fundit, duke e cilësuar “një pamundësi për të vazhduar më tej në kushtet e vështirësive të shumta financiare”. Ai sqaron më tej se kontrollet selektive financiare dhe presionet që nisin me bilancet e gazetës prej vitit 2004, si dhe mungesa e reklamave ka diktuar mbylljen e gazetës. Por fill pas kësaj ka reaguar Ministria e Financave, e cila në një njoftim për shtyp në lidhje me pretendimin e z. Mero Baze për mbyllje të gazetës “Tema” për shkak të kontrolleve selektive financiare dhe presionet që nisin nga bilancet e gazetës prej vitit 2004, Ministra e Financave sqaron se nga informacionet që rezultuan pas verifikimeve që ministria bëri, z. Mero Baze, ka qenë në kontakt me organet fiskale në dy raste.
Së pari, si rezultat i kontrollit që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në muajin dhjetor 2009 ka programuar dhe filluar në kompaninë Media Enter, me ortak të vetëm dhe administrator z. Besnik Sula, ky kontroll ka ardhur për shkak se në bazë të analizës së riskut kjo kompani prej kohësh ka mungesa në deklarimet periodike të veprimtarisë së saj, përfshi dhe mosdorëzimin e bilancit financiar të vitit 2008. Kështu, Ministria e Financave sqaron se si rrjedhojë kjo kompani ka detyrime tatimore të papaguara. Ministria sqaron se kompania në 5 vitet e fundit nuk është kontrolluar asnjëherë në organet tatimore, çka rrëzon pretendimin e z. Mero Baze për kontrolle selektive nëse i referohet këtij rasti. Ministria e Financave sqaron po ashtu se sipas dokumentacionit të QKR-së, kjo kompani ka ndërruar pronarë (regjistrimi i fundit i ndryshimit të pronësisë i përket muajit nëntor 2005) dhe megjithatë në asnjë rast nuk është bërë pagimi i detyrimeve që lind nga transaksioni i shitjes së kompanisë. Kontrolli tatimor është në proces dhe akoma nuk është konkluduar për rezultatet e këtij kontrolli, të cilat do t’i bëjmë të njohura në përputhje me legjislacionin. Sëe dyti, shoqëria Media Soft Albania, që sipas dokumentacionit të QKR-së rezulton të jetë regjistruar në nëntor të vitit 2005, në pronësi të z. Festim Bajrami dhe administrator z. Mero Baze, ka kryer veprime zhdoganimi të një shtypshkronje në vitin 2006 dhe nuk ka shlyer detyrimet doganore edhe pas afatit ligjor për pagimin e këtij detyrimi në shumën 4,821,250 lekë dhe aktualisht ka akoma të papaguar shumën prej 3,321,250 lekësh pa përfshirë kamatëvonesat, për të cilat kanë filluar procedurat e nxjerrjes me force të detyrimeve doganore, në përputhje me aktet ligjore. Vetëm në këto dy raste Ministria e Financave e sheh z. Mero Baze të përfshirë në kontrolle të organeve fiskale, por duket qartë se në asnjërin prej tyre këto organe nuk janë në pozita selektive e tendencioze, por përkundrazi, kanë treguar tolerancë të pajustifikueshme në zbatimin e ligjshmërisë.