Tregu i parasë, BSH injekton likuiditet
Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun e parasë për 3-mujorin e tretë të vitit 2009 duke injektuar likuiditet. Banka e Shqipërisë ka botuar raportin për ndërhyrjen e kësaj banke në tregun parasë për 3-mujorin e tretë 2009. Sipas këtij raporti, ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit. Për të injektuar likuiditet, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 23.03 miliardë lekë në javë si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë - marrëveshjen e riblerjes me maturim 1 dhe 3-mujor. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim njëmujor u përdor në 5 raste, mesatarisht 3.33 miliardë lekë për ankand. Ndërsa marrëveshja e anasjelltë tremujore u përdor në dy raste, mesatarisht 3.25 miliardë lekë për ankand. Po gjatë kësaj periudhe Banka e Shqipërisë përdori dhe instrumente mbështetëse. Kështu, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009, depozita njëditore u përdor mesatarisht 0.35 miliardë lekë në ditë në krahasim me 0.14 miliardë lekë në ditë gjatë tremujorit të kaluar. Përdorimi i depozitës njëditore ishte më intensiv gjatë ditëve të fundit të periudhës së
mbajtjes së rezervës të detyruar. Instrumenti i kredisë njëditore gjeti një përdorim minimal gjatë këtij tremujori (një rast përdorimi në nivelin 5.7 milionë lekë).
Në tremujorin e tretë të vitit 2009, Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun e brendshëm valutor. Gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të realizohen veprime të shitjes dhe të blerjes së valutës me Ministrinë e Financave. Shitjet me Ministrinë e Financave gjatë tremujorit të tretë llogariten në 0.2 miliardë lekë. Vëllimi i blerjeve me Ministrinë e Financave për këtë periudhë ka qenë 4.6 miliardë lekë. Blerjet e valutës nga institucionet e huaja llogariten në 64.00 milionë lekë.