Çmimet e naftës të paqëndrueshme

Çmimet e naftës kanë qënë të paqëndrueshme në tregjet aziatike, pasi investitorët presin masa të tjera të politikbërësve për të rritur ekonominë në Eurozonë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Fransua Hollande, janë zotuar se do të mbrojnë monedhën euro, ndërsa investitorët shpresojnë se, këtë javë, Rezervat Federale të SHBA-së do të hedhin në treg një paketë me stimuj të rinj, për të nxitur rritjen amerikane.
Këshilli qeverisës i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) do të mblidhet të enjten për takimin e rregullt. Investitorët presin të shohin nëse shefi i BQE-së, Mario Draghi, do të mbajë premtimin e tij për të bërë gjithçka të mundur për të shpëtuar euron.
Analistët thonë se Spanja dhe Italia mbeten nën presion, ndërsa Greqia, sipas tyre, duket se do të dështojë në pagesat e borxhit.