E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e reja të trojeve, shtyhet shpallja e fituesve

 

Çmimet e reja të trojeve të miratuar nga ana e qeverisë, si dhe vonesat e shumta në shpalljen e tyre në mënyrë publike, kanë bërë që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të shtyjë në kohë shpalljen e fituesve të fondit prej 500 milionë lekësh. Çmimet e reja të trojeve në 12 qarqe që janë botuar në Fletoren Zyrtare në muajin Janar kanë detyruar Agjencinë e Kthimit të Pronave të nisë nga e para procesin e përllogaritjes së shumave që do të përfitojnë fituesit. Nëndrejtori i AKKP-së, Genci Çelo bëri të ditur se "tashmë për ndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh të vitit 2008 do të përdoren çmimet e reja që ka miratuar qeveria". Ndërsa çmimet e reja të cilat janë ulur ndjeshëm aktualisht nga qeveria pritet të rrisin numrin e ish-pronarëve që do të përfitojnë nga ndarja e fondit, por në të njëjtën kohë të ulet vlera e lekëve për tokën që do të kompensohet. Çmimet e reja kanë sjellë bllokimin e përkohshëm të shpalljes së fituesve të fondit prej 500 milionë lekësh. Ndërsa pritet që AKKP-ja të shtojë listën e verifikuesve të ish-pronarëve nëse ato janë fitues. Verifikimi dosjeve do t'i kushtojë sërish kohë Agjencisë për shkak se ato duhet të verifikohen në zyrat rajonale të këtij institucioni. Aktualisht, procesi kishte ngecur në verifikimin e dy dosjeve në qytetin e Vlorës, të cilat nuk kishin konfirmime të sakta. Me çmimet e reja numri i fituesve sipas burimeve pranë Agjencisë së Kthimit të Pronave do të shkojë në mbi 150 vetë. Për vitin e kaluar numri i fituese ishte 119 subjekte të shpronësuara. Ndërsa për vitin 2009 qeveria në buxhetin e shtetit ka planifikuar një fond prej 600 milionë lekësh për ish-pronarët. Shuma pritet të shtohet për shkak se një pjesë e fondeve nga privatizimi i objekteve shtetërore pritet t'i kalojë AKKP-së për t'u përdorur për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Sipas një vendimi të qeverisë një pjesë e parave nga shitja e objekteve shtetërore do të kalojnë për llogari të AKKP-së. Fondi në total pritet të shkojë në 10 milionë dollarë amerikanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›