Pronat, Berisha shkarkon Vatnikajn
ADI SHKEMBI
Qeveria shkarkon kreun e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj. Fiks tetë muaj pasi kishte marrë vendim për emërimin në vend të Besnik Mahos, Vatnikaj detyrohet të lërë detyrën dhe në vendin e tij është emëruar Elvis Çefa. “Me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Tunxh Prel Vatnikaj, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, shkarkohet nga kjo detyrë. Elvis Çefa emërohet drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria.
Argumenti
Në relacionin e vendimit thuhet se, kryeministri Berisha ka bërë këtë propozim pas rezultateve të dala nga kontrolli i kryer mbi veprimtarinë e AKKP-së pas urdhrit të nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë. Konkretisht, kontrolli i kryer në këtë institucion ka dalë në përfundimin se janë gjetur shkelje të akteve ligjore e nënligjore që normojnë veprimtarinë e AKKP-së dhe janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e drejtorit të përgjithshëm të saj. “Këto shkelje në mënyrë të përmbledhur janë: zvarritje e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës nëpërmjet shkeljes së afateve ligjore për shqyrtimin e ankimimeve administrative të paraqitura nga subjektet e shpronësuara (gjithsej 155 raste)”, thuhet në relacion. Një tjetër arsye, sipas kryeministrit Berisha, ka të bëjë me organizimin e punës brenda këtij institucioni dhe shkeljes së Kodit të Punës lidhur me shpërblimin e orëve jashtë orarit. “Organizim i dobët i punës brenda strukturave administrative të AKKP-së nëpërmjet mungesës së mbikëqyrjes së zbatimit të afateve ligjore, marrjes së masave disiplinore për shkelësit e këtyre afateve ligjore, mosrespektim i Kodit të Punës lidhur me shpërblimin e punonjësve për orët jashtë orarit, lëvizjes së shpeshtë e të pajustifikuar të personelit”, vijon më tej argumenti i kryeministrit Berisha. Në të njëjtën kohë ai vlerëson drejtorin e ri të këtij institucioni, si kandidaturë e përshtatshme, duke pasur parasysh arsimin, eksperiencën në punë dhe integritetin moral. Çefa ka punuar më parë në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Departamentin anti korrupsion në Këshillin e Ministrave.
Arsyet e Berishës
Pas kontrollit të kryer shkeljet janë:
• Zvarritje e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, nëpërmjet shkeljes së afateve ligjore për shqyrtimin e ankimimeve administrative të paraqitura nga subjektet e shpronësuara (gjithsej 155 raste);
• Organizim i dobët i punës brenda strukturave administrative të AKKP-së nëpërmjet mungesës së mbikëqyrjes së zbatimit të afateve ligjore, marrjes së masave disiplinore për shkelësit e këtyre afateve ligjore, mosrespektim i Kodit të Punës lidhur me shpërblimin e punonjësve për orët jashtë orarit, lëvizjes së shpeshtë e të pajustifikuar të personelit dhe mungesës së mbikëqyrjes së zbatimit të detyrimeve ligjore nga zyra e Arkiv-Protokollit për komunikimet/ njoftimet si brenda Agjencisë dhe Zyrat Rajonale, ashtu edhe me të tretët.