E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Topi nuk konsultohet

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në një intervistë dhënë për VOA u shpreh se Shqipëria ka si model të sajin funksionimin e demokracisë amerikane. E pranishme për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të 44-t të SHBA-së, Barak Obama, Topalli nuk ka ngurruar të bëjë komente, në lidhje me përplasjet e fundit mes maxhorancës dhe Presidentit Topi mbi ligjin "Për hapjen e dosjeve".
Zonja Topalli, në qoftë se bëjmë një paralelizëm me SHBA, në respektimin e institucioneve, me Shqipërinë duket se një element i tillë në Shqipëri çalon. Si do ta komentoni ju këtë përplasje të re, që mund të lindë me Gjykatën Kushtetuese për ligjin e Dosjeve. A nuk është kjo Gjykatë që do të ketë autoritetin e fundit ligjor në Shqipëri?
Këtë në fakt unë nuk e quaj si përplasje, por e quaj si një moment të qetësimit të shpirtrave të së gjithë shqiptarëve. Meqë ju i referoheni politikës amerikane, që është dhe modeli ynë. Të gjithë e ndjekin me shumë vëmendje atë që ndodh në Kongresin amerikan. Parlamentarizmi, qoftë në Dhomën e Ulët, apo në Senat, ka rëndësi se sa këta qytetarë i japin besim liderit të tyre, që ata zgjedhin. Në mënyrë që, në momentin e parë që zgjedhin liderin e tyre, lideri bën emërimin e prokurorit të Përgjithshëm, të niveleve të ndryshme dhe të një numri jashtëzakonisht të madh të administratës së tij. Në rastin tonë jemi vonë, por më mirë vonë se kurrë. Unë e di që është vonë, por unë do të kisha dashur shumë, që ajo të kishte ndodhur më përpara.
Në qoftë se dikush prej gjykatësve mund të thotë se mund të prekem nga ligji, tërhiqem për shkak të zbatimit të ligjit, atëherë situata në gjykatë mund të veprojë, mund të funksionojë?
Më fal, por unë nuk mund të paragjykoj kurrë. Unë mendoj se është një numër shumë i vogël në përgjithësi në trupin gjykues. Dhe në fakt këto që të pyesësh nëse është një gjykatës që është ende në punë, por që ka dhënë një dënim me varje apo me pushkatim apo me internim apo me dëbim dhe do të jetë përsëri në krye të gjykatës dhe këtë asnjeri nuk e pranon. As të majtë dhe as të djathtët dhe as të qendrës, as kuq, as blu dhe as gri. Sepse kjo nuk është çështje e drejtë, kjo është çështje e historisë sonë.
Le të ndalemi në një çështje tjetër që ka të bëjë përsëri me institucionet në Shqipëri, e kam fjalën për marrëdhëniet e Parlamentit me zyrën e Presidentit të Republikës. Çfarë ka ndodhur mes dy institucioneve, ku ju i përkisnit të njëjtës parti?
Pavarësisht se mund të jesh në një parti, secili ka detyrat e veta. Unë mbroj parlamentarizmin deri në fund. Është detyra ime të mbroj parlamentarizmin dhe vendimet e Parlamentit, në një Republikë Parlamentare. Dhe mundohem që t'i jap atë peshë që ka dhe që do të ketë në fakt Parlamenti. Për sa i takon gjykatësve kam qenë kundër idesë për ata gjykatës që u rrëzuan, jo vetëm për shkak të mos konsultimit që Presidenti nuk realizoi. Në fakt kultura e konsultimit është një kulturë thelbësore bazale, që në çdo vend, edhe në vendet e demokracive më embrionale funksionon. Pas 15 vitesh të ikësh nga kjo kulturë, natyrisht që nuk i bën nder asnjë institucioni. Meqenëse kishte marrë këtë rrugë padyshim që edhe unë respektoj Parlamentin, parlamentarizmin. Dhe ndër shkaqet pse janë rrëzuar, ndoshta ky është i vetmi president, që iu rrëzuan 5 gjyqtarë përnjëherësh. Në fakt është një gjë shumë e rëndë për atë institucion. Por kjo ka qenë se dy prej të propozuarve kishin vendime të viteve '87, '88, '89, vendime të proceseve politike dhe në 2008 është normale nuk mund të pranonte të tilla konsultime. Kështu që s'ka asgjë personale, ka çështje principi, ka çështje konceptuale dhe kështu funksionon. Kështu funksionon në SHBA, funksionon në Francë, në Itali dhe është shumë mirë që funksionon edhe në Shqipëri.

Lohan: Zgjedhjet, test për integrimin
Pesë muaj përpara zgje-dhjeve parlamentare Bashkimi Evropian apelon për një proces sa më pranë standardeve të kërkuara. Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan i ka cilësuar votimet e qershorit si një test të vërtetë për aspiratat integruese të Shqipërisë. "Zgjedhjet e vitit 2009 do të jenë një test për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zgjedhjet parlamentare janë një pjesë e rëndësishme për politikën shqiptare", deklaroi Lohan në takimin e zhvilluar me biznesmenët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›