E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS, rezolutë në Parlament për aplikimin e Shqipërisë në BE

 

Maxhoranca do të tentojë sot të votojë në seancën parlamentare projektrezolutën e posaçme për aplikimin e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkim Evropian. Përpara fillimit të seancës parlamentare, komisioni i Politikës së Jashtme pritet të zhvillojë një mbledhje për të miratuar projektrezolutën e paraqitur nga grupi parlamentar i PD-së "Për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE". Kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi ka paraqitur një projektrezolutë "Për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE", në të cilën i bëhet thirrje që aplikimi të realizohet brenda muajit janar. Kryekomisioneri i Politikës së Jashtme, Preç Zogaj në lidhje me këtë nismë thekson se "projektrezoluta pritet të shqyrtohet në mbledhjen e komisionit dhe më pas të votohet në seancën parlamentare". Kryekomisioneri Zogaj bën të ditur në të njëjtën kohë se drafti i është dhënë edhe socialistëve për të dhënë mendimin e tyre. Nënkryetarja e këtij komisioni, socialistja Arta Dade shprehet se projektrezoluta e PD-së duhet të mbërrijë në komision. "Sapo drafti të mbërrijë ne do ta shqyrtojmë si komision dhe do të marrim një vendim për një çështje të tillë", deklaroi Dade. Ndërsa nënkryetarja e komisionit, Dade bën të ditur njëkohësisht se "edhe ka hartuar një draft të tillë që një vit më parë nga ana e PS-së, por që është lënë në harresë nga ana e maxhorancës aktuale". Nuk dihet nëse do të arrihet në një konsensus në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, por sigurisht maxhoranca do të tentojë që të marrë konsensusin e opozitës për miratimin e një rezolute të tillë. Në tekstin e projektrezolutës së PD-së thuhet se "Deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si përfaqësues të zgjedhur dhe të mandatuar të popullit shqiptar, të nisur nga vendosmëria për të përmbushur objektivin strategjik të Shqipërisë për t'u integruar në Bashkimin Evropian, me bindjen dhe besimin se komunitetet evropiane përbëjnë bërthamën e vlerave të demokracisë, lirisë, bashkëjetesës dhe stabilitet të qëndrueshëm". "Kuvendi i Shqipërisë deklaron përkushtimin e plotë ndaj të gjithë procesit të integrimit evropian, duke u mbështetur në parimet për respektimin e ndryshimeve, partneritetit dhe barazisë, si dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të çdo vendi. Mirëpret që Parlamenti Evropian, vendet anëtare si dhe institucione të tjera të Bashkimit Evropian të marrin në konsideratë konsensusin dhe vendosmërinë që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë në lidhje me integrimin evropian", thuhet në deklaratë. Greqia ishte shteti i fundit i BE-së që ratifikoi në Parlament marrëveshjen e MSA-së se Shqipërisë. Pas mbylljes së këtij cikli nga ana e 27 vendeve anëtare, Shqipërisë i lind e drejta për të aplikuar për statusin e kandidatit në BE. Maxhoranca pret që këtë aplikim ta realizojë përpara zgjedhjeve të qershorit, për të shpresuar që pranimi të realizohet sa më parë. Por për datën e aplikimit pritet të marrë edhe konsensusin e opozitës parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›