Kur flitet për dëshmi zyrtare
Xhelatë të shumëllojshëm, diktatorë, fanatikë, demagogë që luftojnë për pushtet duke thirrur zhurmueshëm parulla të ndryshme, gjithashtu e pëlqejnë punën e tyre dhe e kryejnë atë me vendosmëri e shkathtësi. Po, e drejtë, por ama ata “dinë” se si. Dinë dhe ajo çka dinë u mjafton përgjithmonë. Nuk janë kureshtarë për asgjë më tepër mbi këtë, sepse kjo mund të dobësonte forcën e argumenteve të tyre. Dhe çdo dituri, që nuk nxjerr nga vetvetja pyetje të reja, vyshket brenda një kohe të shkurtër, humbet ngrohtësinë jetëdhënëse. Madje, siç dihet mirë nga historia e vjetër dhe e re, në rastet më të skajshme mund të kthehet në një kërcënim vdekjeprurës për shoqëritë.
Në anketa të ndryshme a në biseda me njerëz të rastit, kur poeti medoemos duhet të cilësojë se me çfarë merret, ai shprehet në përgjithësi “shkrimtar”, ose përmend emrin e ndonjë pune tjetër shtesë. Informacioni se kanë të bëjnë me një poet, pranohet nga zyrtarët apo nga udhëtarët në autobus me një lloj mosbesimi të lehtë e shqetësues. Ma do mendja se edhe filozofi paraqet probleme të ngjashme. Por ai gjendet në një situatë më të rehatshme, sepse zakonisht ka mundësi ta zbukurojë profesionin e tij me ndonjë titull shkencor. Profesor filozofie – kjo tingëllon me më shumë peshë. Siç dihet, nuk ka profesorë poezie...
Wislawa SYMBORSKA (Nobel)
Poeti i sotëm është skeptik e dyshues, bile – apo ndoshta mbi të gjitha – edhe ndaj vetvetes. Bën të ditur publikisht fare pa dëshirë se është poet, sikur t’i vinte paksa turp për këtë. Por në epokën tonë të zhurmët, nga të tjerët pranohen shumë më lehtë të metat personale, sidomos kur paraqiten me bujë, ndërsa shumë më vështirë të mirat, sepse janë të fshehura më thellë dhe jo plotësisht, madje edhe në vetvete, ekziston besimi tek ato... Në anketa të ndryshme a në biseda me njerëz të rastit, kur poeti medoemos duhet të cilësojë se me çfarë merret, ai shprehet në përgjithësi “shkrimtar”, ose përmend emrin e ndonjë pune tjetër shtesë.
Informacioni se kanë të bëjnë me një poet, pranohet nga zyrtarët apo nga udhëtarët në autobus me një lloj mosbesimi të lehtë e shqetësues. Ma do mendja se edhe filozofi paraqet probleme të ngjashme.
Por ai gjendet në një situatë më të rehatshme, sepse zakonisht ka mundësi ta zbukurojë profesionin e tij me ndonjë titull shkencor. Profesor filozofie – kjo tingëllon me më shumë peshë.
Siç dihet, nuk ka profesorë poezie. Kjo do të thoshte se do të kishim të bënim me një sipërmarrje që kërkon studime të specializuara, dhënie të rregullt të provimeve, përgatitje disertacionesh teorike të pajisura me bibliografi e shënime dhe, së fundi, ceremoni për marrje diplomash. Duke shkuar më tej, kjo do të thoshte se, për t’u bërë poet, nuk do të mjaftonin copëra letrash të mbuluara qoftë edhe me vargje nga më të mrekullueshmet – i domosdoshëm, mbi të gjitha, do të ishte një dokument i vulosur.
Le të kujtojmë se, pikërisht mbi këtë bazë, u dënua me mërgim “krenaria” e poezisë ruse, nobelisti i mëvonshëm Josif Brodski. U cilësua si “parazit”, sepse nuk kishte dëshmi zyrtare, e cila i lejonte të ishte poet. Para disa vitesh, pata nderin e gëzimin ta njihja Brodsskin personalisht. Vura re se vetëm Ai, midis të gjithë poetëve që njoh, pëlqente ta quante veten “poet” dhe e shqiptonte këtë fjalë pa ndonjë kundërshtim të brendshëm, bile me një liri provokuese. Mendoj se kjo i ndodhte për shkak të kujtimit të poshtërimit brutal, që ai njohu në rininë e vet.
* * *
Në vende më të lumtura, ku dinjiteti njerëzor nuk shkelet me kaq lehtësi, poetët natyrisht dëshirojnë të botohen, të lexohen e kuptohen, por nuk bëjnë asgjë ose ndoshta bëjnë shumë pak për t’u dalluar nga njerëzit e tjerë.
Dhe të mendosh se, jo shumë kohë më parë, në dekadat e para të shekullit XX, poetët pëlqenin të tërhiqnin vëmendjen me veshjet e pazakonta a me sjelljen e tyre ekcentrike. Por gjithmonë ishte kjo një shfaqje për publikun. Vinte një çast kur poeti mbyllte derën pas vetes, flakte në qoshe pelerinën, xhingla-minglat e të gjithë aksesorët e tjerë poetikë dhe qëndronte në qetësi, duke pritur vetveten mbi faqen ende të pashkruar të letrës. Se, në të vërtetë, vetëm kjo vlen.
Ja diçka karakteristike.
Prodhohen vazhdimisht shumë filma biografikë për shkencëtarë ose artistë të mëdhenj. Regjisorë me ambicie më të thella i vënë vetes si qëllim paraqitjen në mënyrë të besueshme të proçesit krijues, që solli si rezultat zbulime të rëndësishme shkencore, apo çoi në lindjen e veprave më të shquara të artit. Deri diku me njëfarë suksesi mund të paraqitet puna e disa shkencëtarëve: laboratorët, pajisje të ndryshme, mekanizma të vëna në lëvizje, për njëfarë kohe janë në gjendje të përqendrojnë vëmendjen e shikuesve. Pastaj, dramatike janë momentet e pasigurisë, nëse eksperimenti që vetëm pas një modifikimi të vogël po përsëritet për të njëmijtën herë, do të sjellë suksesin e shumëpritur. Panoramikë mund të jenë filmat për piktorët – mund të paraqiten me hollësi të gjitha fazat e lindjes së tablosë, nga vija fillestare deri në penelatën e fundit. Filmat për kompozitorët i mbush muzika qysh prej notave të para, që krijuesi i dëgjon në vetvete, deri në pjekurinë e veprës së shkruar për instrumente.
E gjitha kjo vazhdon të jetë naive dhe asgjë të re nuk shpreh mbi atë gjendjen e çuditshme të shpirtit, të quajtur në gjuhën e përditshme frymëzim, por ama kemi ç’të shikojmë e dëgjojmë.
* * *
Më keq është me poetët.
Puna e tyre është deri në pafundësi e mërzitshme dhe jofotozhenike. Një njeri ulur pranë tavolinës ose shtrirë në kanape, e ka ngulur shikimin në mur a në tavan, kohë pas kohe shkruan shtatë vargje, njërin prej të cilëve e shuan pas një çerek ore, e kështu përsëri kalon një orë, gjatë së cilës nuk ndodh asgjë... Cili shikues do ta duronte diçka të tillë?
Përmenda më lart frymëzimin. Pyetjes se çfarë është ai, poetët e sotëm i përgjigjen disi shkarazi. Dhe kjo jo për faktin se asnjëherë nuk e kanë ndier forcën dobiprurëse të atij impulsi të brendshëm. Shkaku fshihet diku tjetër. Nuk është e lehtë t’i shpjegosh dikujt diçka, që as vetë nuk arrin ta kuptosh. Unë gjithashtu, kur më pyesin për këtë, e anashkaloj thelbin e çështjes. Por megjithatë përgjigjem: frymëzimi nuk është privilegj vetëm i poetëve apo artistëve në përgjithësi. Është, ka qenë e do të jetë një grup i caktuar njerëzish, të cilët i viziton frymëzimi. Këta janë të gjithë ata, që e zgjedhin punën e tyre me vetëdije dhe e kryejnë me dashuri e imagjinatë. Ka të tillë mjekë, pedagogë, kopshtarë, njerëz të qindra profesioneve të tjera. Puna e tyre mund të kthehet në një aventurë të përjetuar pambarimisht, por vetëm nëse do të jenë në gjendje të gjejnë aty gjithmonë diçka të re. Megjithë vështirësitë, humbjet, interesimi i tyre nuk ftohet.
Nga çdo çështje e zgjidhur, merr krahë një tufë me pyetje të reja. Frymëzimi, çfarëdo qoftë ai, lind nga e përsëritura pambarimisht “nuk e di”.
Njerëzit e tillë numërohen me gishta. Shumica e banorëve të këtij planeti punon për të siguruar mjetet e mbijetesës, punon se duhet të punojë. Dhe nuk janë ata që e zgjedhin me pasion punën e vet, janë rrethanat e jetës që zgjedhin për ta. Puna e papëlqyer, puna që mërzit, puna e vlerësuar vetëm për faktin se në këtë formë nuk është e mundshme për të gjithë – ky është një nga mundimet më të rënda njerëzore. Dhe zor se shekujt e ardhshëm do të sjellin ndonjë ndryshim të lumtur në këtë mes.
Pra, më lejohet të them se, ndonëse ua mora poetëve monopolin mbi frymëzimin, po i fus në grupin e vogël të të zgjedhurve të fatit.
* * *
Këtu te dëgjuesit mund të lindin dyshime. Xhelatë të shumëllojshëm, diktatorë, fanatikë, demagogë që luftojnë për pushtet duke thirrur zhurmueshëm parulla të ndryshme, gjithashtu e pëlqejnë punën e tyre dhe e kryejnë atë me vendosmëri e shkathtësi. Po, e drejtë, por ama ata “dinë” se si. Dinë dhe ajo çka dinë u mjafton përgjithmonë. Nuk janë kureshtarë për asgjë më tepër mbi këtë, sepse kjo mund të dobësonte forcën e argumenteve të tyre. Dhe çdo dituri, që nuk nxjerr nga vetvetja pyetje të reja, vyshket brenda një kohe të shkurtër, humbet ngrohtësinë jetëdhënëse. Madje, siç dihet mirë nga historia e vjetër dhe e re, në rastet më të skajshme mund të kthehet në një kërcënim vdekjeprurës për shoqëritë.
Prandaj vlerësoj jashtëzakonisht tri fjalë të vogla: “nuk e di”. Të vogla, por me krahë të fuqishëm. Zgjerojnë jetën tonë në horizonte që i mbartim në vetvete, në hapësira, ku gjendet e varur Toka jonë e dobët. Sikur Isak Njutoni të mos thoshte “nuk e di”, mollët mund të binin përpara syve të tij si breshër dhe ai, në rastin më të mirë, vetëm do të përkulej për t’i mbledhur e për t’i ngrënë ato me kënaqësi. Sikur bashkëkombësja ime Maria Skodowska-Curie të mos thoshte “nuk e di”, me siguri do të bëhej një mësuese e thjeshtë kimie për zonjushat e sferave të larta dhe në këtë punë, sidoqoftë fisnike, do t’i rridhte e gjithë jeta. Por vazhdimisht përsëriste “nuk e di”, dhe pikërisht këto fjalë e sollën atë dy herë këtu në Stokholm, ku njerëzit me shpirt jo të qetë e përjetësisht kërkues, vlerësohen me çmimin Nobel.
Krijuesi gjithashtu, nëse është poet, vazhdimisht duhet të përsërisë në vetvete “nuk e di”. Në çdo krijim përpiqet të gjejë një përgjigje, por sa vë pikën në fund të fjalisë, fillon ta gërryejë dyshimi, fillon të kuptojë se kjo është një përgjigje e përkohshme dhe absolutisht e pamjaftueshme. Prandaj e provon përsëri, pastaj edhe një herë tjetër, dhe më pas këto prova të moskënaqësisë së tij prej vetvetes, historianët e letërsisë i mbledhin së bashku, duke i quajtur “vepër e tij”.
* * *
Nganjëherë ëndërroj për situata të pamundura për t’u realizuar.
Me një lloj impertinence përfytyroj, për shembull, se kam mundësi të bisedoj me Ekleziastin, autorin e njërit prej vajeve më prekëse mbi vlerën e mjerë të çdo akti njerëzor. Do t’i përulesha thellë, sepse, të paktën për mua, ky është një nga poetët më të rëndësishëm. Por më pas do ta kapja për dore. “Asgjë të re nën këtë diell” – ke shkruar, o Ekleziast. Por Ti vetë u linde i ri nën këtë diell. Poema që ke shkruar, gjithashtu është e re, se askush përpara Teje nuk e shkroi. Dhe të rinj nën diell janë lexuesit e Tu, se ata që lindën më përpara, nuk mund ta lexonin poemën Tënde. Dhe i ri është qiparisi, nën hijen e të cilit je ulur, se nuk ka qenë këtu që nga fillimi i botës. Me siguri i dha atij jetë një qiparis tjetër, i ngjashëm e megjithatë tjetër nga ai Yti. E mbi të gjitha, do të doja të të pyesja, o Ekleziast, çfarë të reje nën diell mendon tani të shkruash? Mos ndoshta diçka me të cilën do të plotësosh mendimet e Tua, apo vallë ke dëshirë disave pret tyre t’u kundërvihesh? Në poemën Tënde të mëparshme vure re edhe gëzimin – ç’rëndësi ka se është kalimtar? Ndoshta për të do të jetë poema Jote e re nën diell? A ke tashmë shënime, ndonjë skicë fillestare? Nuk besoj se do të thuash: “I shkrova tashmë të gjitha, nuk kam asgjë për të shtuar.” Këtë nuk mund ta thotë asnjë poet në botë, e jo më një poet kaq i madh sa Ti.
* * *
Bota, çfarëdo që të mendonim të frikësuar nga madhësia e saj dhe pafuqia jonë ndaj saj, të nxehur nga indiferentizmi i saj kundrejt vuajtjeve të veçanta të njerëzve, kafshëve a ndoshta edhe të bimëve, se në fund të fundit nga e dimë me siguri se bimët nuk vuajnë, çfarëdo që të mendonim për hapësirat e saj të tejpërshkuara nga rrezatimi i yjeve, yjeve përreth të cilëve po zbulojmë planete të reja – tanimë të vdekura? Ende të vdekura? – nuk dihet, çfarëdo që të mendonim për këtë teatër të pafund, ku kemi vërtet një biletë hyrjeje, vlera e së cilës ama është qesharake dhe e shkurtër, e kufizuar nga dy data të sakta, pra, çfarëdo që të mendonim tjetër mbi këtë botë, ajo është me të vërtetë çuditëse. Por në fjalën “çuditëse” fshihet një kurth logjik. Sepse na çudit ajo që nuk përputhet me një normë të njohur e të pranuar nga të gjithë, me një realitet që përbën për ne diçka të zakonshme. Pikërisht bota e cilësuar si e zakonshme nuk ekziston. Çudia jonë është e vetvetishme e nuk rrjedh nga asnjëlloj krahasimi me çfarëdolloj gjëje.
Dakord, në gjuhën e përditshme, e cila nuk mendon gjatë për çdo fjalë, të gjithë përdorim cilësime të tilla, si: “botë e zakonshme”, “jetë e zakonshme”, “rrjedha e zakonshme e gjërave”, e kështu me radhë. Por në gjuhën e poezisë, ku secila fjalë peshohet, asgjë nuk është normale dhe e zakonshme. Asnjë ditë dhe asnjë natë pas saj. E, mbi të gjitha, asnjë qenie e dikujt në këtë botë.
Pra, me sa duket, poetët gjithmonë do të kenë shumë punë.
Përktheu Rigels Halili
8 Qershor 2009