E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitorja e madhe



Betim MUÇO

Në të vërtetë, ata ishin dy.
Miltiadhi, prijësi i forcave athinase, nisi dy kasnecë njëherësh për në qytet, që të lajmëronte fitoren e madhe. Ai i thirri të dy dhe u tha të niseshin menjëherë në dy rrugë të ndryshme. Lavdia do t’i takojë vetëm njërit prej jush, tha ai. Dhe me këtë që tha, e dinte se kishte ndezur te secili nga ata burrat ambiciet më të thella, të cilat do të viheshin në lëvizje e do të bënin që këmbët e tyre të fluturonin e jo të ecnin.
Sigurisht, dy kasnecë ishin gjithmonë më mirë se një i vetëm. Por prijësi nuk synonte thjesht sigurinë e çuarjes së lajmit; përndryshe ai do t’i kishte nisur kasnecët të dy së bashku. Ishin ambicja dhe etja e lavdisë ato, që e kishin bërë atë vetë të fitonte atë betejë vendimtare. Ai u ndje i lodhur tek shihte ushtrinë e tij që festonte fitoren dhe hyri në çadër. Ndërkaq kasnecët kishin përshkuar kilometrin e parë. Ata morën të dy anët e malit që kishin përpara dhe nuk e panë më me sy njëri-tjetrin.
E ndërsa vraponin, një merak i brente të dy: Mos, vallë, tjetri e kishte rrugën më të kollajshme e më të shkurtër?
Po ky merak i bënte ta hidhnin çapin më larg e më shpejt.
Dihatja nisi të rritej e të rritej dhe trupat e tyre u mbuluan nga djersa e nga pluhuri, që u bë tashmë lëkura e tyre e dytë. Rrypat e sandaleve të të parit u këputën. Ai deshi një çast të ndalej e t’i lidhte, por mendoi se ndërkaq rivali i tij do të ishte shumë më tej, ndaj i flaku ato dhe vazhdoi të vraponte. Iu tha goja dhe degët e frutave bri korijes ku po vraponte, sikur epeshin për të, por ai nuk ndalej. Për të pirë ujë duhej të shmangej nga udha nja njëqind çapa. Më mirë të pi kur të mbërrij, tha dhe vazhdoi. Po të pinte ujë, jo vetëm vonohej, por duhej të mbante në vrapim edhe peshën e ujit që do të pinte.
Kurse ai tjetri, oh... ai tjetri, dhe ai solli ndër mend konkurencën e tyre të përhershme në garat e vrapimeve, ku herë fitonte njëri e herë tjetri. Dhe iu bë sikur e pa veten të ngritur mes krahëve të turmës që priste lajmin, të cilin e kishin lexuar që larg në fytyrë, brohoritjen dhe tundjen e dorës së tij.
Zemra nuk i bënte më rrahjet e zakonshme, po ritmi i saj ishte aq i shpejtë dhe gulçet aq të afërta me njëra-tjetrën, sa dukej si një zhurmë monotone që vinte që poshtë brinjëve e i përhapej e mbulonte edhe zhurmat e çapave të tij. Këmbët iu çanë e iu përgjakën, por ai nuk ndiente gjë, ashtu i përndezur nga vrapi. Po ta dinte që ishte vetëm, ai do të ishte ndalur një grimë, qoftë edhe një grimë të vetme, ndoshta do t’u hidhte dhe një grusht ujë syve me qerpikët që i kishin ngrirë nga djersa e pluhuri. Ah, po të ishte vetëm, po.
Por ndërkaq, po të bënte kështu, ai e dinte se nuk do ta mbërrinte më tjetrin. A thua edhe atij i ishte dashur të kalonte dy rrëpira dhe të ngjiste disa të përpjeta si ai vetë? Po sikur era ta ndihmonte atë më shumë dhe mos i frynte herë-herë kështu nga përpara? Nga përvoja e ndeshjeve me të në gara të ndryshme, ai e dinte se tjetri ishte shumë i fuqishëm kur mbërrinte fundi. Tamam në atë çast, ai sikur mbrehte në koçinë e vet një kalë të çlodhur dhe turrej përpara si i tërbuar. Dhe duke menduar kështu, ai i dha trupit furishëm edhe më me hov dhe e mbyti gulçimin mes dhëmbëve e buzëve të bëra si lëkura e tharë e bagëtive të therura.
Jo, tha, kjo është gara e jetës sime dhe nuk ta lë ty këtë, miku im.
Ndjeu një çast ta linin forcat, dielli sikur u zbeh e humbi shkëlqimin dhe zhurmat u mekën e në veshë i mbeti vetëm një “uuu” e thellë, si nga nja bri i largët. Trupi iu ndeh përpara më tej seç mund ta shpinin këmbët dhe ai u rrokullis në rrëpirë, si kaprolli kur merr në vrapin e tij shigjetën e gjahtarit. U ngrit përsëri i vrarë e i copëtuar, me dregëzat që iu mbushën me gjak e pluhur dhe bëri më tutje.
Tani duhet të jem pranë, tha. Por nuk shihte dot gjë. Iu bë sikur dëgjoi turmën tej të brohoriste. Pra, ai tjetri kishte mbërritur. Jo, tha, s’është e mundur. Është lumi që oshëtin.
Kur hyri në rrethinat e qytetit, ai nuk e ndiente më trupin. Ishte sikur po vraponte sipër ca reve të bardha, të buta dhe, kur shkelte në to, prej tyre ngriheshin ca gulfe të freskëta që i binin mbi fytyrë e trup. Nuk i dalloi njerëzit. Por e kuptoi se ata ishin aty dhe kishin zgjatur duart drejt tij. Ai buzëqeshi, por buzëqeshja e tij ishte vetëm një ngërdheshje e mundimshme dhe njerëzit ngrinë në pritje të asaj çfarë do të thoshte. Ai rrokëzoi fjalën “Fitore!”, ashtu me mundim, si një i belbët dhe, pas një rrëmuje të turmës që më në fund e kuptoi, ai e dëgjoi atë fjalë të shumëfishuar e të brohoritur nga qindra kraharorë.
I ngritur në krahë dhe me kurorat e dafinave që i hidhnin gjithandej, ai e ndjeu veten perëndi. Iu duk sikur jo vetëm kishte sjellë lajmin e fitores, por sikur e kishte fituar vetë ai atë betejë të madhe. Dhe ashtu s’u përmend më e dha shpirt mes lavvdisë. Tjetri jetoi, por pa lavdi.
Ngandonjëherë, çmimi i lavdisë është më i lartë se ai i jetës. Po ky nuk është pazar i zakonshëm dhe zakonisht çmimet shpallen, kur gjithçka ka marrë fund.

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›