E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet për qejf

Avokatët bëjnë punë, por edhe marrin para. Por çmimet që avokatët ua caktojnë klientëve të tyre, varet nga dëshira që kanë. Për raste të ngjashme, ata kanë çmime të ndryshme. Ata që nuk kanë mundësi të kenë avokat, këtë ua mundëson gjykata, e cila u cakton avokatin sipas detyrës zyrtare. Kështu shkruan edhe në rregullat të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), si institucioni më i lartë në vend që rregullon funksionimin e punës së avokatëve.

Por nëse të gjitha të tjerat i rregullon OAK-ja, së paku në një pikë, ata nuk kanë caktuar asnjë rregull. Kjo është shuma e parave që një qytetar duhet t’i paguajë një avokati, për ndonjë shërbim.

Madje këtë e pohon edhe avokati i njohur, Azem Vllasi. “Avokatët, përveçqë e mbrojnë palën e tyre, ata janë edhe përcaktues të shumës për shërbimet që mund t’i ofrojnë klientit të tyre”, thotë Vllasi për Express.

Sipas tij, avokatët nuk e kanë të kufizuar shumën se sa një klient duhet t’i paguajë avokatit. “Por ne e kemi të përcaktuar një mënyrë, që është sipas tarifës se Odës së Avokatëve, e cila i precizon çmimet për secilën lëndë për veprim dhe përfaqësim të palëve”, thotë avokati Vllasi.

Avokati Vllasi sqaron se mënyra e dytë për përcaktimin e shumës bëhet me marrëveshjen midis avokatit dhe palës. “Në lendet penale kush nuk ka para për të paguar avokatin, atë ia përcakton gjykata, mbrojte e obliguar kjo, e cila paguhet në bazë të tarifës”, sqaron avokati Vllasi.

Në lidhje me këtë çështje, Musa Dragusha, kryetar i OAK-së, sqaron se në lidhje me rastet e rënda, atëherë sipas rregullave të këtij institucioni, lejohen marrëveshjet ndërmjet avokatit dhe palës.

“Ne raste të rënda tarifa lejon marrëveshjen e lirë midis avokatit dhe klientit për përcaktimin e shumës së lartësisë, për pagesën e avokatit dhe në këto raste tarifa kërkon marrëveshje me shkrim”, thotë kryetari Dragusha për Express.

Sipas tij, kufizimi i shumës mujore në lartësi prej 500 eurosh, për avokatet që angazhohen sipas detyrës zyrtare apo ex –officio, ka për pasojë në shumicën e rasteve, mungesën e përkushtimit të tyre maksimal rreth rastit.

Përndryshe, kryetari i OAK-së thotë që çmimet e shërbimeve të avokatëve përcaktohen me tarifën e institucionit që ai udhëheq.

“Tarifa e përcakton shumën e shpenzimeve dhe për shërbimin, të cilën palët duhet t’ua paguajnë avokatëve”, thotë kryetari Musa Dragusha .

Në të drejtën e mbrojtjes, në praktikat e angazhimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare në rastet penale, korniza njeh tri sisteme të angazhimit të avokatëve në procedurën penale, nga vetë i pandehuri, sipas zgjedhjes së vet ( Neni 12 KPPK), nga autoriteti, i cili e zbaton procedurën, ex-officio ( Neni 73 par.1 KPPPK) dhe nga shpenzimet publike, me kërkesën e të pandehurit ( Neni 73 par.2 e 3 dhe Neni 74).

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›