E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet, rritja e pensioneve dhe pagave do të jetë deri në 20 për qind

Qeveria vendos që rritjen e çmimeve ta mbulojë me rritje pagash dhe pensionesh. Gati fondi, rritja në muajin korrik, por nuk përjashtohet që rritja të fillojë që në prill
Erald Kapri

Qeveria ka bërë gati skemën e kompensimit për rritjen e çmimeve të produkteve bazë në treg. Ministria e Financave, së bashku me Kryeministrinë, kanë vendosur që kompensimi do të jetë me rritjen e pagave dhe pensioneve që është parashikuar të bëhet në muajin korrik. Qeveria ka vendosur në politikën e saj që indeksimin ta bashkojë me rritjen e pagave dhe pensioneve. Pra, një herë në vit do të ketë rritje pagash që përfshin brenda edhe indeksimin. Rritja e shpejtë e çmimeve ka tronditur edhe qeverinë, e cila duket se ka përshpejtuar planet për rritjen e pagave dhe pensioneve. Ndonëse është parashikuar që rritja e pagave dhe pensioneve të ndodhin në muajin korrik, qeveria nuk ka përjashtuar mundësinë që rritjen ta bëjë në muajin prill. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, bëri të ditur ditën e djeshme skemën që qeveria do të ndjekë. “Në rast se rritja e çmimeve do të jetë akoma më e ndjeshme, ne mund të bëjmë rritjen e pagave dhe pensioneve në muajin prill dhe jo në korrik, siç e kemi planifikuar. Për këtë kemi parashikuar deri në 60 milionë dollarë”, - tha Shehu. Duket se mundësitë financiare të qeverisë janë të bollshme që të përballojë kompensimin si dhe rritjen e pagave dhe të pensioneve.
Sa do të jetë rritja
Grupi i punës ka parashikuar rritjet që do të ndodhin për pagat dhe pensionet e të gjitha niveleve. Këtë vit, duke pasur edhe rritje çmimesh, qeveria ka vendosur të jetë më bujare dhe të vendosë një rritje nga më të lartat ku mesatarja do të jetë rreth 10 ose 12 për qind si për pensionet ashtu edhe për pagat. Pensionet e larta në qytet do të kenë një rritje minimale prej 5 për qind. Pensionet e qytetit do të rriten në masën mesatare prej 10 për qind. Ndërkohë pensionet e veçanta, si të invaliditetit apo pensionet e tjera të ngjashme, do të kenë rritje deri në 20 për qind. Skema është e ngjashme edhe për pagat. Sa më e lartë të jetë ajo, aq më e vogël do të jetë rritja. Është parashikuar që rritja e pagave të larta të jetë 5 për qind, e pagave të mesme në masën 10 për qind dhe e pagave të ulëta 15 për qind.
Rritja e çmimeve
Rritja e fundit e çmimeve kap një vlerë mesatare në tërësi prej 3 për qind. Ky është edhe vlerësimi paraprak i grupit të punës. Grupi i punës e ka vlerësuar këtë shifër si rritjen mesatare të çmimeve në ekonomi dhe ka arritur në konkluzion se rritja aktuale e çmimit të bukës është më shumë një spekulim. Sipas ekspertëve të qeverisë kjo situatë në treg, e shfaqur në disa produkte si buka, është spekulative sepse një rritje çmimesh shfaqet në mënyrë graduale dhe jo në mënyrë kaq të menjëhershme, çka tregon spekulim në disa biznese. Gjithashtu sipas vlerësimeve të grupit të punës, situata për momentin nuk është në gjendje kritike dhe po të llogaritet rritja që ka ndodhur kohët e fundit ka një efekt negativ në xhepin e qytetarëve në masën e 600 lekëve në muaj. Aktualisht, grupi i punës po bën vlerësimin e indikatorëve, duke përfshirë edhe inflacionin për të llogaritur kompensimet. Ministria e Financave po vëzhgon ecurinë e rritjes së çmimeve. Sipas planit paraprak, në rast se rritja e çmimeve kërcënon shtresat në nevojë, atëherë mund të procedohet më shpejt me rritjen e pagave, pensioneve dhe të ndihmës ekonomike.

Skema e rritjes së pagave

Rritja mesatare 10-12 %
Pagat minimale 15-20 %
Pagat e mesme 10 %
Pagat e larta 5 %

Skema e rritjes së pensioneve

Rritja mesatare e pensioneve 10%
Pensionet e larta në qytet 5 %
Pensionet mesatare në qytet 10 %
Pensionet në fshat 15 %
Pensionet e invaliditetit 15-20 %
Pensionet e ulëta të veçanta 10-20 %
Ndihma ekonomike 20 %

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›