Çmimi “Xhanfise Keko” për kompozitorin Aleksandër Lalo
Edicioni i pestë i “Giffoni Shqipëria” ka ulur siparin në Tiranë. Një ceremoni e madhe çmimesh është organizuar mbrëmjen e djeshme në Teatrin e Operës dhe Baletit. Këngëtaret e reja Kejsi Tola, Dorina Garuci dhe grupi muzikor nga Kosova, New Born, i kanë dhënë ritëm mbrëmjes me këngët e tyre. Ndërsa ka qenë mbrëmja e fundit, dje, janë bërë edhe ndarjet e çmimeve ku të rinjtë e kategorisë “Y Generation” që përfshin moshën mbi 16 vjeç, kanë zgjedhur si filmin më të mirë të metrazhit të gjatë “Glowing Stars”, një prodhim suedez me regji të Lisa Siwe. Regjisorja e ka vënë theksin në marrëdhëniet e prindërve me fëmijët e tyre gjatë moshës së adoleshencës. Siwe është ndalur në familjen e katërmbëdhjetëvjeçares Xhena, e ëma e së cilës është e sëmurë me kancer. Është një histori tërësisht femërore, ku një nënë në fund të jetës dhe një gjyshe përpiqet të kuptojë gjeneratat e reja. Në fund Xhena arrin të kuptojë se zgjidhja nuk është t’u fshihesh problemeve, por të përballesh me to për të gjetur një rrugëzgjidhje. Ndërsa për sa u përket filmave me metrazh të shkurtër, kjo kategori e të rinjve ka votuar për filmin “Astrid”, një prodhim italian me regji të Andrea Fasciani-t. Regjisori ka prekur një temë mjaft shqetësuese për adoleshentët e sotëm, veçanërisht vajzave. Atë të obezitetit. Astrid është një 16-vjeçare e fiksuar pas idesë për të eliminuar ushqimin nga jeta e saj. Imagjinata e çon në një botë vetmie dhe makthesh: veshje që e ngushtojnë shumë, pjesë të trupit që i zhduken papritur. Një ditë Astrid zgjohet në mes të një panineje gjigande dhe do të jetë një derrkuc magjik që do ta nxjerrë nga gjithë kjo situatë. Për fëmijët e moshës mbi 12 vjeç, të përfshirë në kategorinë “Free to Fly”, filmi më i mirë me metrazh të gjatë i edicionit të pestë të “Giffoni Shqipëria” ka qenë “Broken Hill” një film australian me regji të Dagen Merrill. Ky realizim, i zgjedhur si filmi më i mirë edhe në edicionin e 39-të të “Giffoni Film Festival” në Itali ka marrë në Tiranë edhe çmimin e jurisë ndërkombëtare e përbërë nga 19 të rinj të ardhur nga Italia, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. “Broken Hill” për vet faktin se i vendos ngjarjet në burg, ka pasur një projeksion të veçantë në burgun e të rinjve në Kavajë. Si filmin më të mirë me metrazh të shkurtër kjo kategori ka zgjedhur “Il re dell’isola” (Mbreti i ishullit). Regjisori Raimondo Della Calce tregon historinë e Gioannin, një djalosh që ka mbetur jetim, pasi i ati i tij është mbytur gjatë lundrimit me anije. Ngjarjet vendosen në Itali, në Genoa-n e 1900-s. Duke mos e ditur domethënien e fjalës vdekje, djaloshi mendon se i ati i tij nuk është kthyer në shtëpi, por është bërë mbret i një ishulli. Një çmim i veçantë, i cili prej dy vitesh mban emrin e regjisores së njohur shqiptare Xhanfise Keko ka shkuar për kompozitorin Aleksandër Lalo për kontributin që ka dhënë ndër vite për muzikën e filmave shqiptarë. Sipas presidentit të “Giffoni Shqipëria” Namik Ajazi, ky është një vlerësim edhe për filmin shqiptar për fëmijë, i cili i mungon me realizime këtij festivali.