Largohet Ahmet Prençi, zëvendësohet nga Hysni Burgaj
Largohet nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe në vendin e tij është emëruar Hysni Burgaj, aktualisht zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë. Vendimi për largimin e Prençit dhe emërimin e Burgajt është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, në bazë të propozimit të ardhur nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Zyrtarisht mësohet se shkak për largimin e Prençit është bërë gjendja e tij shëndetësore, ndërkohë që do të zërë një pozicion tjetër në Ministrinë e Brendshme si këshilltar i ministrit Basha. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur se sot pritet që ministri Basha të prezantojë në detyrë kreun e ri të Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj dhe të komunikojë largimin për në një tjetër detyrë të drejtorit aktual, Ahmet Prençi, konkretisht si këshilltar i ministrit të Brendshëm. Ahmet Prençi njihet si një ndër drejtorët më të suksesshëm të Policisë së Shtetit, i vlerësuar edhe nga misionet ndërkombëtare për kalimin me sukses të dy proceseve zgjedhore, lokalet e vitit 2007 dhe ato të përgjithshme të vitit 2009. Policia e Shtetit ka qenë një ndër më të vlerësuarat në raportin e OSBE/ODIHR-it, për rolin neutral përgjatë këtyre zgjedhjeve. Gjithashtu, numri një i Policisë së Shtetit njihet për karrierën e gjatë si funksionar në polici, duke nisur që nga lufta kundër krimit të organizuar deri te shef i Policisë Kriminale në Drejtoritë e Policisë Gjirokastër e më tej në Qarkun e Tiranës, drejtor i Policisë në Qarkun Shkodër. Ahmet Prençi u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë më 30 mars të vitit 2007, me vendim të Këshillit të Ministrave dhe vinte nga funksion drejtues në drejtorin e Policisë së Qarkut Shkodër. Zëvendësuesi i tij, Burgaj erdhi në detyrën e zv.drejtorit të Përgjithshëm të policisë në korrik të vitit të kaluar. Burgaj ka një karrierë të gjatë në të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit, duke qenë drejtor i Policisë së Qarkut Kukës dhe së fundmi drejtor i Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Kush është Ahmet Prençi
Ahmet Prençi ka lindur në Dibër, më 25 Prill 1968.
I diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, si dhe në Fakultetin e Ekonomisë pranë UB-së Tiranë. Në vitin 2006 ka mbrojtur titullin “Avokat”. Ka ndjekur kursin e plotë të formimit pranë Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”, Tiranë, si dhe kursin e plotë të “Drejtimit dhe menaxhimit të lartë të Policisë” organizuar nga Misioni PAMECA.
Gjatë ecurisë në karrierë ka kryer kurse të tjera kualifikimi e specializimi të organizuara nga Misionet ICITAP, PAMECA etj., si brenda vendit, ashtu dhe në SHBA, Norvegji, Austri etj. Nga viti 1992 ka punuar në fushën e hetimit të krimit si në strukturat e Policisë së Shtetit ashtu dhe në strukturat e Prokurorisë. Pas një periudhe njëvjeçare si hetues në Hetuesinë e rrethit Krujë, emërohet zëvendësshef i Policisë Hetimore pranë Komisariatit të Policisë nr.4 në Tiranë
Në vitin 1993 “ngjit” shkallët e karrierës duke u emëruar inspektor pranë Drejtorisë së Policisë Hetimore në Ministrinë e Rendit Publik. Gjatë viteve 1995–2000 ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë në Rrethet Tiranë dhe Mat. Në vitin 2001 emërohet specialist në Zyrën Rajonale të Luftës kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe lufta pa kompromis në goditjen e krimit ekonomik e financiar i hap udhë emërimit të tij si specialist pranë Sektorit të Luftës kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale në Ministrinë e Rendit Publik. Në vitet 2002-2004 emërohet shef i Policisë Kriminale në Drejtoritë e Policisë Gjirokastër e më tej në Qarkun e Tiranës. Në vitin 2004 në detyrën shef i Sektorit të Luftës Kundër Krimeve Ndaj Personit dhe Pronës pranë Drejtorisë së Luftës Kundër Akteve Terroriste dhe Krimeve të Hapura në Ministrinë e Rendit Publik. Më 5 janar të vitit 2005 emërohet drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër, ku gjatë periudhës 2-vjeçare, strukturat e policisë të këtij qarku kanë njohur një sërë arritjesh të rëndësishme në luftën kundër krimit, trafiqeve të paligjshme duke garantuar si asnjëherë rend dhe siguri publike. Më 30 mars 2007 me vendim të Këshillit të Ministrave emërohet në detyrën e lartë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Kush është Hysni Burgaj
Z. Hysni Burgaj ka lindur në vitin 1960 në Shkodër.
Ka përfunduar studimet në shkollën e Ministrisë së Brendshme në vitet 1981-1984. Ka përfunduar kursin e plotë të “Drejtimit dhe menaxhimit të lartë të Policisë” organizuar nga Misioni PAMECA në vitin 2007.
Gjatë ecurisë në karrierë ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh, si brenda dhe jashtë vendit nga organizata dhe organizma që asistojnë policinë shqiptare si MAPE, PAMECA etj., në vende të ndryshme të Evropës dhe në SHBA. Ka një karrierë të gjatë policore. Nga viti 1984 kur ka mbaruar studimet ka punuar në struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit. Në sajë të ecurisë së tij në karrierë ka fituar një eksperiencë të çmuar jo vetëm policore, por dhe menaxhuese dhe drejtuese. Nisur nga përvoja dhe rezultatet e larta në detyrë është emëruar dhe ka punuar si drejtor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës (dhjetor 2005-dhjetor 2007) dhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër (dhjetor 2007-korrik 2008).
Prej më se një viti është emëruar në detyrën e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Shërbimet Mbështetëse. Me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 28.10.2009 u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.