E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli liron pilotin shqiptaro-amerikan Xhejms Berisha?

19/01/2012  Vizita në Afrikë

Gjatë vizitës së tij të punës në kontinentin afrikan zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka rezultuar i suksesshëm në tratativat e tij me shtetin e Eritresë për lirimin e një të burgosuri shqiptar, që gjendej i paraburgosur në këtë shtet. Pas angazhimeve të vazhdueshme, zëvendëskryeministri Pacolli konfirmon zyrtarisht lirimin e pilotit shqiptaro-amerikan Xhejms Berisha. Sipas një komunikate për mediet të lëshuar nga zyra për informim e zv.kryeministrit Pacolli, thuhet se aktualisht Pacolli bashkë me Berishën gjenden në udhëtim e sipër nga kryeqyteti i Eritresë, Asmara, për në Stamboll, ku do të kalojnë natën, ndërsa sot ata do të arrijnë në Prishtinë. Zëvendëskryeministri kosovar është angazhuar intensivisht për lirimin e pilotit shqiptaro-amerikan, i cili ka qenë duke u angazhuar në misionin e tij lobues “Flying For Kosovo”, që nga dita e humbjes së kontakteve më 15 gusht 2011. “Gjatë kësaj periudhe Pacolli është takuar disa herë me zyrtarë të lartë të shtetit të Eritresë, duke përfshirë këtu edhe një takim në Nju-Jork me presidentin e këtij shteti. Zoti Pacolli falënderon të gjithë zyrtarët e shtetit të Eritresë, që kontribuan në lirimin e zotit Berisha”, - thuhet në komunikatë. “Pacolli realizoi edhe premtimin e dhënë nënës së Xhejm Berishës se nuk do të ndalej derisa djali i saj të ishte i lirë dhe drejtësia të triumfonte”, - përfundon njoftimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›