E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i dritave, Prifti: Do rritet numri i të subvencionuarve

 

Këtë vit rritja e çmimit të energjisë do të shoqërohet edhe me rritjen e numrit të familjeve që përfitojnë nga skema e subvencionimit. Kreu i Ministrisë së Energjetikës Dritan Prifti theksoi se për këtë çështje i ka kërkuar ministrit të Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që të zgjerohet kategoria e familjeve që do të përfitojnë nga subvencionimi. Aktualisht, sipas ministrit Dritan Prifti, Shqipëria në tregun e shitjes së energjisë është një eksportuese dhe KESH ka pak kohë që ka hapur procedurat e reja të tenderimit për të shitur energji. “Duhet të eksportojmë 5 milion kW/orë në këtë moment që kemi mundësi dhe kur Drini, Fierza, Koman, Vau i Dejës janë në gjendjen e tyre më të mirë”, tha Prifti. Po dje, ministri Prifti ka reaguar edhe ndaj akuzave të ngritura nga opozita mbi importin e energjisë. Sipas tij, për ata që fabrikojnë këto shpifje është mirë të informohen se pas privatizimit të OSSH nga kompania çeke CEZ, importin e energjisë nuk e bën qeveria, por OSSH e privatizuar. Ai theksoi se përmes tenderëve shpallen edhe kompanitë fituese të cilat sigurojnë importin e energjisë, jo më shumë se 20% secila, dhe kjo ka qenë dhe është një strategji për të eliminuar vartësinë nga kompani të veçanta. “Qeveria me privatizimin e OSSH ka pasur qëllim të heqë prej vetes detyrën e importit të energjisë elektrike. Tani nuk vazhdojmë të japim nga buxheti shtetit rreth 60 milionë euro në vit për blerjen e energjisë, por blerjen që kushton 100 milionë euro në vit e bën kompania private OSSH”, tha Prifti. Po kështu, ai shtoi se aktualisht KESH i shet OSSH energji me çmimin 2.2 për kilovat dhe eksporton gjithashtu energji në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›