Emetohet pjesa e parë e Eurobondit të brendshëm, 25 milionë euro për 9 muaj
edhe nga burimet zyrtare pranë Ministrisë së Financave, deklaruan për Televizionin SCAN, se është arritur të merret pjesa e parë e borxhit prej 25 milionë euro, ndërsa edhe interesi i huasë ka qenë i kënaqshëm. Sipas burimeve, interesi maksimal i ofruar ishte 6,19 për qind, interesi minimal ishte 5,85 për qind, ndërsa ai mesatar 6.06 për qind. Pra, në këtë mënyrë norma e interesit për Eurobondin e brendshëm që u emetua nga qeveria është ndjeshëm më e ulët se objektivi tavan prej 7.5 për qind, i përcaktuar për Eurbondin ,që do të emetohej në tregjet ndërkombëtare. Pak dite më parë Qeveria shqiptare, bëri të ditur se do të emetonte Eurobonde në tregun e brendshëm në vlerën e 25 milionë eurove, me një afat maturimi prej 9 muajsh. Ky vendim erdhi pas situatës së paqartë në tregjet ndërkombëtare ku interesat për huamarrje u rritën ndjeshëm. Ndërkohë burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur kjo është pjesa e parë e borxhit, ndërsa për pjesën tjetër do të pritet një moment i dytë. Qeveria shqiptare iu drejtua tregut të brendshëm pas dështimit të Eurobondit të parë shqiptar në tregjet ndërkombëtare. Huamarrja e vitit 2010 vijon të kryhet në përputhje me Ligjin e Buxhetit për këtë vit. Sipas këtij ligji, deficiti vjetor prej 49,7 miliard lekësh do të financohej nëpërmjet Huamarrjes së Brendshme prej 39,6 miliardë lekë, dhe financimit të huaj nga kreditë e zhvillimit prej 10.1 miliardë. Deri me tani, huamarrja e brendshme ka arritur ne 14,5 miliardë leke apo 36 për qind e totalit të saj për gjithë vitin, thuhet në njoftimin e ministrisë. Sipas të njëjtave burime mësohet se në rast të emetimit të Eurobondit, për të cilin Ministria po pret momentin më të përshtatshëm dhe stabilizimin e tregjeve të kapitalit, pjesa e të ardhurave prej tij që do të mbeten pas shlyerjes së kredisë sindikale të kontraktuar vitin e kaluar, mund të shkojë për të maturuar një sasi të borxhit të brendshëm afatshkurtër, pra për të zëvendësuar një pjesë të huamarrjes së brendshme me të ardhura në euro nga jashtë. Likuiditeti në tregun e brendshëm të bonove dhe obligacioneve vazhdon të mbetet i konsiderueshëm. Huamarrja e brendshme nuk ka cënuar aspak likuiditetin e bankave në dispozicion të sektorit privat, gjë që është evidente nga norma mesatare e mbulimit te ankandeve. Kjo norme ka qenë rreth 150 për qind për pesë muajt e fundit, pra për çdo njësi monetare të titujve të shitur nga qeveria, oferta e tregut ka qenë mesatarisht 1.5, apo 50 për qind më e lartë sesa nevoja jonë.