E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i madh i takon Shqipërisë (+5.4%)

20/02/2009  “Dagblad De Pers”: Në Tiranë mund të valëvitet flamuri kombëtar i qetë

“Në Tiranë mund të valëvitet flamuri kombëtar i qetë: Shqipëria është vendi me rritjen ekonomike më të madhe në Europë për vitin 2009”, - kështu shkruan gazeta holandeze “Dagblad De Pers”, ku analizon situatën që po kalon Shqipëria. “Pas vitesh heshtjeje, papritur dëgjon diçka shumë të rëndësishme nga ky vend. Në fakt, në këtë vend duket sikur po ndodh ajo që duhet të ndodhte edhe në pjesën tjetër të Europës, edhe të globit: rritje ekonomike e shëndoshë. Nuk bëhet fjalë për vitin 2008, por për vitin 2009, vit i cili është cilësuar si vendimtar në ekonominë botërore. Bëhet fjalë për vitin 2009, të cilin kryeministri Britanik Gordon Broën ‘gabimisht’ e interpretoi si një vit depresioni”, - vijon më tej artikulli për Shqipërinë. Në shkrim thuhet se ekonomia Shqiptare është e para në Europë për sa i përket rritjes ekonomike dhe për vitin 2009 parashikohet një rritje prej 5.4%. Këtë parashikim e ka dhënë instituti i “Global Insight”, një institut prestigjioz, me një përvojë më shumë se 40-vjeçare në fushën e kërkimeve analitike të ekonomive të më shumë se 200 vendeve në botë. “Kjo është një arritje impresionuese, - vijon më tej artikulli, - me të cilën Shqipëria renditet shumë lart edhe në rang botëror”: vetëm 10 vende kanë një rritje më të lartë me Turkmenistanin në krye (+10.9 %). Një arritje e tillë është në majat e nivelit botëror, duke pasur parasysh faktin se vetëm 10 vende të tjera kanë një rritje ekonomike më të madhe se Shqipëria për vitin 2009. Raporti i “Global Insight” është në vazhdimësi me raportet e mëparshme të dhëna nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Shqipëria është nxënësi më i mirë i klasës në Europë për vitin 2009”, - theksohet në artikullin e gazetës holandeze. Më tej shtrohet pyetja: “Si ka mundësi?” Autori i shkrimit, Jan heit Strop, shkruan se që kur Shqipëria u nda nga komunizmi në vitin 1991 ekonomia e tregut, e kombinuar me reforma, inflacion të ulët dhe stabilitet politik, ka bërë mrekullira. “Në vitin 1997 u duk sikur gjërat do merrnin për keq kur shpërthyen trazirat në gjithë vendin me dështimin e skemave piramidale, ku humben lekët shumë shqiptarë”, - vijon artikulli. Duke iu referuar raportit të Bankës Botërore për nivelin e kredidhënieve dhe kredimarrjeve në Shqipëri, në artikull thuhet se, megjithëse ky nivel është rritur në vitet e fundit, përsëri niveli i kredive është më i ulët se vendet e tjera të Europës Juglindore. “Pikërisht ky faktor shihet nga ‘Global Insight’ si një aspekt tjetër që ka ndikuar në ecurinë normale të ekonomisë Shqiptare edhe në një vit krize si viti 2009. Si pasojë e kësaj praktike, bankat që operojnë në Shqipëri nuk janë ndikuar nga kriza në sektorin bankar si dhe nga rritja e dollarit. Paksa e bezdisshme është fakti që në Shqipëri importet janë shumë më të larta se eksportet, një problem ky që pjesërisht kompensohet me faktin se një pjesë e madhe e GDP-së së Shqipërisë fitohet nga shqiptarët që punojnë jashtë (Greqi, Itali). Ndërkohë lufta kundër ekonomisë informale mbetet një drejtim kryesor i punës së qeverisë”, - thuhet në artikullin e “Dagblad De Pers”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›