Bllokohen gjashtë kompanitë që operojnë në Bulqizë
Ekspertët kërkojnë nga ministria të nisë një studim të plotë të zonës, për shmangien e aksidenteve
Një inspektim i kryer nga ekspertë të minierave, deklaron se kompanitë nuk zbatojnë kushtet teknike sipas kontratës
TIRANË - Ministri i Ekonomisë Genc Ruli, ka urdhëruar bllokimin e përkohshëm të aktivitetit të gjashtë kompanive që merren me nxjerrjen e kromit në minierat e Bulqizës. Urdhri i tij është mbështetur në raportin e Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave. Sipas këtij raporti, i cili ka përfunduar ditën e martë, kompanitë të cilat operojnë në këtë sektor, nuk u kanë qëndruar korrekt kushteve, mbi bazën e të cilave kanë përfituar edhe licencën. "Urdhri i ministrit për pezullimin e punimeve në këto miniera, është dhënë si pasojë e mosrespektimit të kushteve që parashikohen gjatë dhënies së licencave nga shoqëritë që shfrytëzojnë këtë minierë. Këto shoqëri nuk u kanë qëndruar korrekt kurrikulave që parashikohen në licencë, duke ndërhyrë në zona të tjera, të cilat nuk u përkasin atyre", - tha në një intervistë për "Shekulli"-n, Drejtori i Përgjithshëm i Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave, Indrit Selba. Sipas tij, ky urdhër është dhënë i bazuar mbi raportin e këtij reparti, i cili me të përfunduar, i është dorëzuar ditën e martë pasdite, ministrit Ruli. Gjithashtu, ai thotë se, para dhënies së urdhrit për pezullimin e punimeve, shoqërive u është kërkuar përmbushja e të gjitha kushteve teknike që kanë të bëjnë me ecurinë normale të punimeve në një miniere. Kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga këto shoqëri, duke detyruar ministrin Ruli të urdhërojë ndalimin e punimeve në to, deri në përmbushjen e plotë të elementeve të sigurisë. Në fakt, urdhri i djeshëm për pezullimin e punimeve në këtë zonë, nuk është i vetmi. Si pasojë e aksidenteve të njëpasnjëshme, jo më larg se pesë muaj më parë, METE gjithashtu, kishte urdhëruar pezullimin e punimeve në galerinë nr.104. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, në këtë galeri nuk është ndaluar aspak punimi dhe shoqëria ka zhvilluar aktivitetin në kundërshti të plotë me vendimin e METE-s.
Krahas shkeljeve nga shoqëritë shfrytëzuese të minierave, në studimin e saj, RISHM-ja ka vërejtur edhe lëvizje të masivit shkëmbor të kësaj zone. "Që në janar të këtij viti, ne kemi vërejtur një dalje në sipërfaqe të dy hinkave dhe lëvizje të masivit shkëmbor në këtë zonë. Pas përballjes me këtë fakt, ne dhamë alarmin që të rishikohej edhe njëherë kjo zonë", - shprehet Selba. Sipas tij, miniera e Bulqizës kishte që në vitet '80-të që nuk shfrytëzohej dhe licenca e parë është dhënë vetëm në vitin 2005, duke bërë që të shtohej kërkesa nga shoqëri të tjera. Numri i madh i të vdekurve nga aksidentet në këtë minierë, e kishte bërë më se të domosdoshme marrjen e masave të menjëhershme për shmangien e tyre. "Pezullimi i punimeve është bërë me qëllim përmirësimin e kushteve teknike të minierave, duke e bërë sa më të sigurt mbarëvajtjen e punimeve në to. Ne i kemi kërkuar ministrisë kryerjen e një studimi tërësor të zonës, për të shmangur aksidentet", - përfundoi Drejtori i RISHM-së. Brenda një periudhe kohore prej një viti e gjysmë, në këtë minierë kanë humbur jetën plot 20 punonjës të saj, për shkak të mospërmbushjes së standardeve të sigurisë teknike nga kompanitë koncensionare.