E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, asnjë vërtetim pa pasaportë ose kartë identiteti

19/02/2009  Në këtë mënyrë stimulohet rritja e aplikimeve për pajisje me dokumentet e reja

Me dhjetëra qytetarë të interesuar për vërtetime janë kthyer mbrapsht

TIRANË- Marrja e një vërtetimi në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë është vështirësuar së tepërmi ditët e fundit. Burime pranë kësaj gjykate bëjnë të ditur se kanë marrë urdhër për të mos lëshuar asnjë vërtetim nëse personat nuk janë të pajisur me pasaportë ose me kartë identiteti për ata që e kanë marrë, në të kundërt duhet të paraqesin kuponin përkatës. Një njoftim i tillë ka dalë pak kohë më parë. Sipas të njëjtave burime, gjykata është njoftuar të mos lëshojë vërtetime pa dokumentet e mësipërme, disa ditë pas fillimit të aplikimit për kartë identiteti. Një rregull i tillë është vënë për të patur në kontroll personat, të cilët nuk janë të pajisur me pasaportë dhe që ende nuk kanë aplikuar për kartë identiteti. Nga ana tjetër certifikatat, të cilat pak kohë më parë ishin kryesore për të parë një vërtetim tani nuk lejohet të përdoren. Në bazë të të dhënave që do të dalin nga regjistrat e gjykatës, do të shihet edhe numri i personave që janë të pajisur me pasaportë ose me kartë identiteti. Në gjykatën e Tiranës marrja e një vërtetimi bëhet për shumë arsye. Kështu të gjithë ata që bëjnë kursin e patentës duhet të marrin vërtetimin se nuk ndiqen penalisht dhe nuk janë në proces gjyqësor. E njëjta rrugë ndiqet edhe me institucionet e tjera shtetërore dhe private. Të interesuar për këtë problem në gjykatë na bëjnë të ditur se procesi i marrjes së një vërtetimi është thjeshtuar shumë që në momentin kur si rregull është vënë paraqitja me pasaportë dhe kuponin e kartës së identitetit në mungesë të tij. Megjithatë, jo të gjithë njerëzit janë në dijeni të këtij urdhri të dalë. Shumë persona paraqiten pranë sportelit të gjykatës për të marrë një vërtetim dhe kthehen mbrapsht, pasi nuk kanë dokumentet e mësipërme.

Procedura e verifikimit

Marrja e vërtetimeve në gjykatë ka disa vite që ka filluar të aplikohet. Sekretarja fillimisht bën verifikimin e personat në kompjuter. Më pas ajo e pajis atë me vërtetimin e firmosur nga kreu i gjykatës. Vërtetimet firmosen dhe vulosen që në mëngjes nga kreu i gjykatës më pas i jepen sekretares për të bërë pajisjen e qytetarëve. Sipas sekretares që bën shpërndarjen e tyre në bazë të kërkesave, në sportele ka edhe probleme. Shumë qytetarë nuk dinë rregullat duke u paraqitur pa asnjë dokument, ose në disa raste me patentën, e cila nuk njihet si mjet identifikimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›