Gratë në politikë dhe sfidat e shoqërisë shqiptare
Barazia gjinore është një parim sipas të cilit të gjitha qeniet njerëzore, pa dallim race, seksi e bindjeje fetare, niveli social-kulturor apo status politik duhet të kenë të drejta ligjore të barabarta dhe është një ndër aspektet më të rëndësishme të barazisë dhe drejtësisë sociale. Duke e parë në një këndvështrim më specifik, barazia gjinore përfshin vlerat e parimeve demokratike e të drejtat themelore të njeriut, të cilat kërkojnë që burrat e gratë të kenë kushte të barabarta, drejtësi sociale, politike e ligjore. Në këtë kontekst vëzhgimi i mjedisit politik dhe publik i shoqërisë shqiptare nxjerr në pah se thelbi i problemit janë stereotipat rreth rolit gjinor dhe pasojat e diskriminimit që vijnë si rezultat i tyre. Janë stereotipa që burojnë dhe i kanë rrënjët në mendësinë tradicionale patriarkale e kanunore të familjes shqiptare. Modeli tradicional i familjes shqiptare, ku burri është zoti i shtëpisë dhe gruaja bën punët e shtëpisë e kujdeset për fëmijët, përbën filozofinë e mentalitetit maskilist të shoqërisë shqiptare. Ndryshimi i mentalitetit dhe bindja e saj se gratë meritojnë dhe duhet të jenë pjesëmarrëse si në jetën publike ashtu dhe politike, duhet të bëhet pjesë e filozofisë së lëvizjes për barazi gjinore e cila në vetvete nuk duhet të konsiderohet vetëm një problem personal i grave, por është një problem që i takon gjithë shoqërisë
Barazia gjinore nuk mund të konceptohet thjesht si një barazim ekuacioni matematikor që “burri = grua”, por ka një kuptim filozofik të drejtpërdrejtë që si burri dhe gruaja duhet të kenë mundësi e kushte të barabarta që të jenë aktivë si në jetën private, ashtu dhe atë publike.
Kohët e fundit, falë angazhimeve të mëdha të shoqërisë civile, përmirësimit të kornizave ligjore për mbrojtjen e gruas si dhe miratimi i ligjit “Për barazinë gjinore”, ka filluar një sensibilizim i shoqërisë si në median e shkruar dhe atë vizive në lidhje me barazinë gjinore. Por problemi i barazisë gjinore nuk qëndron vetëm tek miratimi i ligjeve apo tek imponimi i kuotave gjinore, po të studiojmë thellë-thellë mendësinë dhe mentalitetin shqiptar. Po të studiojmë familjen shqiptare që është qeliza bazë e shoqërisë, përballemi me një filozofi diskriminuese ndaj gjinisë femër. Në momentin që lind një femër, ne e “ngushëllojmë” familjen: “Tjetër herë me djalë”, pra që në momentin që lind gjinia femër është e paragjykuar dhe e diskriminuar.
Kohët e fundit po shfaqet një fenomen sa serioz dhe i dhimbshëm. Nënat, të shtyra nga mentaliteti maskilist shqiptar, tradita dhe vlerat sociale po abortojnë seksin femër, duke bërë që të rritet në mënyrë të konsiderueshme lindja e seksit mashkull. Pra problemi në këtë rast është i nivelit kulturor, d.m.th. edukimi që në embrion i familjes bëhet i paragjykuar dhe i diskriminuar dhe roli i stereotipave fillon të ndahet duke bërë dallime ndërmjet gjinive.
Miratimi i ligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri” është një fasadë e bukur ku trumbetohet se “gratë tani e tutje do të jenë të barabarta me burrat”. Por natyrshëm lind pyetja:
- A është e përgatitur shoqëria …?
- A është e lirë një grua të bëjë karrierë?
- A ndihet ajo e paragjykuar… dhe a e gëzon respektin e shoqërisë?
- A mundet ajo, të jetë njëkohësisht familjare dhe të bëjë karrierë?
Mos vallë refreni i përditshëm që ne ndeshim rëndom se “gruaja e ka vendin në kuzhinë e burri në biznes e politikë” i zbeh vlerat e të qenit grua?!
Mes diversitetit të sistemit politik, ekonomik dhe kulturor portretizimi e performanca e figurës së femrës shfaqet në disavantazh me rolin e stereotipit mashkullor, përqindja e femrave të punësuara në sektorin shtetëror dhe në sektorin privat është në pozicione e nivele dytësore që sjell si pasojë një diskriminim të dyfishtë si në aspektin e karrierës dhe atë ekonomik që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në pavarësinë e saj financiare.
Po të vëzhgojmë realitetin në zonat malore dhe rurale, problemi i barazisë gjinore është shumë më i prekshëm, pasi këtu ballafaqohesh me varfërinë, nivelin e ulët ekonomik, problemin e dhunës e krimit në familje, që sjell si pasojë pjesëmarrjen e grave pothuajse të papërfillshme në jetën publike e politike.
Lufta për të drejtat e grave është një sfidë e hapur e shoqërisë, pasi rolet tradicionale dhe portretizimi gjinor në familjen shqiptare janë të sanksionuara nga një traditë patriarkale e kanunore.
Ndërgjegjësimi publik dhe botëkuptimi i shoqërisë për rolin e gruas duhet të bëhet në mënyrë që këto paragjykime tradicionale e stereotipa të zbehen sa më shumë, që në të ardhmen të mund të shpresojmë për një shoqëri të emancipuar pa dallime ndërmjet gjinive, ku impakti dhe perceptimi i rolit të barazisë gjinore nuk duhet të mbetet vetëm në kuadrin de jure, por ai duhet të përkthehet në realitetin de facto. Krijimi i mekanizmave, instrumenteve ligjore për implementimin, monitorimin, promovimin e portretizimin e barazisë gjinore përbën elementet më prioritare të arritjes së integrimit gjinor e barazisë njerëzore. Rritja e pjesëmarrjes dhe aksesit të grave ndaj shprehjes së lirë, krijimi i mundësive të barabarta për punësim, paga e përfaqësim politik, implementimi i detyrueshëm ligjor i kuotës gjinore do të sillte ekuilibrin e balancës gjinore dhe do të thyente “mitin mashkull”, duke ndryshuar tiparet mashkullore të vendimmarrjes politike dhe përfaqësimit parlamentar. Prandaj, më së fundi, familja dhe e gjithë shoqëria duhet të çlirohen nga tabutë mbi femrën, të zhdukë paragjykimet dhe të ndryshojë mentalitetin që kanë një rëndësi të madhe për edukimin e brezit të ri dhe arritjen e një shoqërie të mundësive të barabarta.